Si të mos hartosh një antologji poetike - Gazeta Express
string(39) "si-te-mos-hartosh-nje-antologji-poetike"

Arte

Gazeta Express

06/07/2022 13:14

Si të mos hartosh një antologji poetike

Arte

Gazeta Express

06/07/2022 13:14

Ajo që i mungon hartimit të antologjive tona është mungesa e shijeve estetike të përzgjedhjeve të poezive të vërteta. Por dhe një keqkuptim i vetë poezisë nga ana e tyre. Në emrin e ca parimeve puritaniste sterilizuese estetike

Shkruan: Rudolf Marku

Lexo Edhe:

Një ndër angazhimet e Poetit Laureat është dhe hartimi i një Antologjie të Poezisë Shqipe, gjatë periudhës dyvjeçare që ai/ajo mban këtë emër. Mendoj se do të ishte e tepërt të flisja për rëndësinë që ka hartimi dhe botimi i një antologjie letrare (e poezisë, e tregimit të shkurtër apo dhe e kritikës letrare). Kjo rëndësi merr përmasa shumë më të mëdha në një shoqëri si kjo e jona, që përjeton kohëra kaotike dhe mishmashet e veta, sidomos në fushën e kulturës. Kësisoj, një Antologji poetike do të qe një përpjekje për të vendosur njëfarë kahut në drejtimin e vlerave të krijimtarisë së poezisë shqipe deri më sot. Përmes evidentimit të krijimtarisë më të mirë që është krijuar, një krijimtari të papërmendur nga askush, sikur të qe një veprimtari ose ilegale, ose e papërfillshme për t’i kushtuar sadopak vëmendje. Pa përmendur pastaj sharjet dhe sulmet e çuditshme të një agresiviteti tipik shqiptar kundër librave të sapobotuar në gazeta dhe madje dhe në kanale televizive publike, madje dhe pa u lexuar prej gurëgjuajtësve të zellshëm laramanë të gjithfarëllojshme.

Tre muaj më parë, përpara se të filloja nga hartimi i Antologjisë poetike (e cila shpresoj të shohë dritën e botimit në fillimin e kësaj vjeshte që vjen), u kërkova punonjësve të Bibliotekës Kombëtare nëse mund të më ndihmonin me një informacion të listës së të gjitha Antologjive letrare të botuar në Shqipëri në tridhjetë vitet e fundit. Të them të drejtën, më mungonte një informacion i saktë rreth Antologjive të botuara në Shqipëri, por po ashtu më mungonte dhe informacioni i botimeve të librave poetikë, në një vend ku botimet e librave kanë vite që qenë bërë të paarritshëm prej lexuesve të paktë që kanë dëshirë të lexojnë e të kuptojnë se çfarë është duke ndodhur me letërsinë shqipe të viteve më të fundit. Ose, më e keqja, duke kërkuar Antologjitë e botuara, lexuesit ndodhen përpara ca keqprezantimeve të librave të botuar, prej ca recensionistëve fillestarë amatorë dhe ndonjëherë dhe të palexuar, të cilëve u jepet e drejta të shpallin në faqe gazetash hierarkinë më të fundit të librave të botuar.

Punonjësit e Bibliotekës më dhanë, veç tri ditë më vonë, listën e plotë të gjithë Antologjive poetike botuar në tridhjetë vitet e fundit: 378 Antologji. Qe një listë që e shkapërcente gjithë pritshmërinë time naive. Kisha menduar se mund të qenë e shumta nja 15 a 20 Antologji. (Me këtë rast desha të shpreh mirënjohjen time të thellë punonjësve të kësaj Biblioteke, durimit dhe profesionalizmit të tyre).

Lista e Antologjive më tregoi dy ekstremet e veta: një grup më vete përbënin librat e Akademikëve a të mbiakademikëve, fosilizim shijesh dhe pëlqimesh të letërsisë të normalizuar prej ca kodeve jashtë letrare të socrealizmit; pjesa tjetër, pjesa më e madhe e tyre, ndoshta mbi 80 për qind e gjithë botimeve, përfshinin Antologjitë amatoreske. Dua të bëj një sqarim se çfarë dua të them me të dyja grupimet e sipërpërmendur.

Në grupin e parë përfshihen autorët e antologjive poetike që i quaj Fosilizime të shijeve të mëparshme, orientuar nga shkaqe dhe shije joletrare dhe jo estetike. Ironia është se autorët e këtij grupi Antologjish janë zakonisht akademikë, profesorë Universitetesh a studiues të instituteve akademike të letërsisë. Antologjitë e këtyre autorëve pretendojnë të jenë bërë sipas kritereve moderne të përzgjedhjes dhe të vlerësimeve bashkëkohore të letërsisë. Pa asnjë përjashtim, autorëve të këtyre antologjive, u pëlqen të flasin për modernizmin dhe postmodernizmin, duke cituar sidomos ”Teorinë e letërsisë” të René Wellek and Austin Warren, dhe, herë pas here, përzier me ndonjë exotic spices coating të emrave Roland Barthes a Harold Bloom. Ajo që i bashkon këta autorë antologjish është mungesa flagrante e shijes letrare. Ndonëse emirat e autorëve të cituar janë rinovuar me përmendje të autoriteteve të sotëm të studiuesve dhe kritikëve të njohur (disa sish), zgjedhja e poezive të autorëve që përfshihen është e njëjta. Nuk them thjesht autorët e (mos)zgjedhur, por sidomos poezitë që përfaqësojnë autorët! Zgjidhen poezitë më pak përfaqësuese të autorëve- nisur nga kriteret e përmbajtjes ideologjike (patriotike, përmbajtjesore, tematike etj.), por jo nga shijet estetike, të cilat duket se vetë studiuesit dhe hartuesit nuk i kanë. Antologjitë e këtij grupi zakonisht janë përjashtues dhe pseudo-selektivë. Antologjitë e tyre dallohen nga përmendja e rezervuar e autorëve të poezisë së pasviteve 60 e deri më sot, aq sa të japin përshtypjen se për gati 60 vite në vendin tonë nuk është shkruar poezi, dhe se letërsia jonë paskësh qenë pjesë e peizazhit shkretan të shkretëtirës së Gobit. Ironia më e madhe është se vetë këta hartues Antologjish janë prodhimi më i keq i traditës së kritikës dhe studimit të letërsisë shqipe pas viteve ’60, madje disa prej tyre-ata më të zellshmit-kanë qenë në krye të skuadronve vigjilentë të mbajtjes së pastertisë së letersisë nga ndotjet ideologjike të letersive moderne a bashkëkohore botërore. Po qe se Antologjitë e tyre mund të skanohen sipas kriterit se një Antologji vlerësohet jo nga autorët e përfshirë, sesa prej autorëve që nuk janë përfshirë, Antologjitë e tyre do të shfaqen si një skematizëm modern më i keq sesa skematizmi përjashtues i kohës së censurës së dikurshme. Është për të ardhur keq kur ndjen një agresivitet të heshtur të këtyre antologjibërësish ndaj krijimtarisë së poezisë shqipe. Janë po këta kritikë që ekzaltohen nga leximi i një poezie mesatare a nënmesatare të përkthyer keq, mjafton që autori i saj të mos jetë shqiptar. Antologjitë e tyre pretendecioze akademikisht janë një peizazh i varfër botanik veç me dy a tri pemë dhe ca shkurre përreth. Poezia shqipe jo vetëm zvogëlohet, por sakatohet dhe fallsifikohet në mënyrë të turpshme. Lexoj Antologjitë e poezisë bashkëkohore angleze, italiane a greke dhe gjen autorë bashkëkohorë, të cilët asnjëri prej tyre nuk do kishin qenë pranuar në Antologjitë Shqipe, po qe se ata do kishin pasur fatin e keq të ishin poetë shqiptarë. Antologjitë e këtij grupi do t’i quaja Antologji sterilizuese të hartuesve pretendenciozë modernë.

Grupi i dytë, ai më i madhi në numër, është grupi i Antologjive amatoreske. Dua të bëj një sqarim. Kur them amatoreske, nuk dua të bëj asnjë nënvleftësim a të shpreh ndonjë shpërfillje. Libraria e Kongresit (The Library of Congress) në Washington DC merr çdo vit mijëra kërkesa nga autorë amatorë, të cilët duan të gjejnë poezitë e tyre të botuara nëpër Antologji. Botuesit e Antologjive të tilla poetike menaxhojnë konkurse të rregullta me krijime që botohen në revista, gazeta dhe Web-s. Autorët shkruajnë dhe dërgojnë poezitë e veta nëpër konkurse, shpesh me emra të bujshëm (Antologjia botërore e zgjedhur, finalistët e zgjedhur të poezisë europiane, laureatët e poezisë europiane, dhjetë autorët më të mirë të Europës, dy poetët më të mëdhenj të botës, zgjedhur nga juria e njohura e poetëve të Moldovës etj.). Semifinalistët dhe finalistët zakonisht, krahas një pagese modeste, përfshihen në botime të Shtëpive botuese që organizojnë kësi konkursesh. Antologji të tilla, së bashku me botuesit e tyre, sot njihen me emrin Vanity Press. Botuesi më i njohur i Antologjive të tilla poetike, të paktën që nga viti 1980, është Libraria Ndërkombëtare e Poezisë (International Library of Poetry- ILP). Shumica e Antologjive të botuar tek ne i përkasin këtij grup krijimesh poetike në gjuhën shqipe. Por paradoksi është se shumica e këtyre Antologjish Amatoreske të tipit që përshkruam më sipër, të cilat në botë botohen veç me kontributet financiare të vetë autorëve, te ne janë botuar me sponsorizimet e Ministrisë së Kulturës. Nuk është fjala te dëmi financiar, se sa në momentin kur botime të tilla janë sponsorizuar nga Shteti, këto krijime të japin përshtypjen se kanë marrë njëfarë statusi shtetëror, sepse janë përzgjedhur zyrtarisht si poezitë më të mira. Të vjen keq kur sheh ndonjëherë se dhe vetë Qendra e Kulturës së Librit dhe Leximit- me gjithë kontributin e vet të pamohueshëm që nga krijimi i saj- nën nijetin e mirë të inkurajimit të shkrimtarëve të rinj, ka kohë që u jep një vend disproporcionalisht më të gjerë poetëve dhe shkrimtarëve fillestarë amatoreskë të socmedias (në kuptimin që përmendëm më lart) nga vetë krijimtaria e autorëve të konsoliduar. Është e njëjta mendësi e taborreve të kritikës së lartpërmendur keqdashëse dhe sterilizuese snobe: lavdëro mediokritetin dhe nuk ke nevojë të sulmosh vlerat! Shkrimtarët fillestarë duhet të përzgjidhen nga parimi i natyrës- të inkurajohen ata që kanë farën e vazhdimësisë në letërsi, dhe jo autorët që pas librit të parë, – një libër i impulsive të moshës, e jo të talentit- përpihen nga heshtja. Natyrisht, një autor mund të shfaqë talentin e vet me një libër të vetëm- por kjo ndodh veç me talentet e mëdhenj, që mendoj se nuk janë dhe aq të shpeshtë. Pa mohuar edhe faktin tjetër, që edhe një autor i më se dhjetë librash poetikë mund të jetë një mediokër i konsoliduar.

Ajo që i mungon hartimit të antologjive tona është mungesa e shijeve estetike të përzgjedhjeve të poezive të vërteta. Por dhe një keqkuptim i vetë poezisë nga ana e tyre. Në emrin e ca parimeve puritaniste sterilizuese estetike.

Poeti irlandez, Michael Longley, i sapozgjedhur poet fitues i Çmimit prestigjioz European Feltrinelli- këmbëngul që, ndonëse detyra e parë e poetit është imagjinata, ai ka dhe detyrime të tjera-jo vetëm detyrime qytetare. E kam fjalën, thotë ai, se do qe një akt çnjerëzor sikur poeti të mos u përgjigjej ngjarjeve tragjike dhe të dhembshme të komunitetit të vet dhe do qe një krijues i varfër ai krijues, i cili këto ngjarja tragjike nuk do t’i dëshmonte në imagjinatën e vet… Longley vjen nga Irlanda e Veriut, një vend që njeh dhunën dhe varfërinë po aq sa dhe shqiptarët.

Pa dyshim, një pikëpamje e tillë kjo e Longley-y do të refuzohej kategorikisht prej ca hartuesve të tredhur të antologjive tona, si një parim që e ndot estetizmin e panjollosur të poezisë shqipe!

Përdorimi vend e pavend i termave të kritikës letrare dhe i emrave të mëdhenj të letërsisë botërore apo i studiuesve më autoritarë prej këtyre hartuesve antologjish, veçse e ndihmojnë evidentimin e dështimit të hartimit të një antologjie, bërë me kritere shijesh të pastërvitura nga leximet e letërsisë së mirë, mungesën e njohjes së letërsisë shqipe, për të cilën pretendojnë të krijojnë antologjitë, mungesën e dashurisë për letërsinë e vërtete, zëvendësuar me një keqdashje cinike dhe të ligë.

Në fakt, poezia shqipe do të meritonte shumë e shumë herë më tepër se kaq!

/Autori është Poet Laureat i Shqipërisë