Gazeta “The New York Times” ka publikuar një rrëfim të gjatë për presidentin e Serbisë. Dikur tifoz huligan, e sot huligan në politikë, Aleksandër Vuçiq vazhdon ta luftojë Kosovën, të mos i pranojë krimet dhe të urrejë gjithçka shqiptare. Si të merresh vesh me një huligan?
Imer Mushkolaj
Gazeta prestigjioze amerikane “The New York Times” ka publikuar një rrëfim të gjatë për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe lidhjet e tij me botën e krimit. Sipas gazetës, gjatë nëntë vjetëve të Vuçiqit në pushtet, huliganët serbë të futbollit – dhe bandat kriminale që mbivendosen me ta – janë përfshirë në politikën e paqëndrueshme të rajonit dhe kanë ndihmuar nxitjen e kryengritjeve serbe në vendet tjera të Ballkanit. Serbia mbetet ende e pavendosur ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit, duke e kthyer presidentin serb në një pozitë me fuqi të jashtëzakonshme dhe si njeri që, në një krizë, mund të vendosë nëse Ballkanit do të rreshtohet drejt paqes apo do të kthehet te dhuna.
Gazeta sjell, po ashtu, episode nga e kaluara e Vuçiqit si huligan kur më 1988 sulmonin shqiptarë në Beograd. Po ashtu, sjell në vëmendje deklaratën e tij të vitit 1995 – disa ditë pas masakrës mbi më shumë se 8000 boshnjakë në Srebrenicë – kur ai gjatë një fjalimi kishte thënë: “Nëse vrisni një serb, do të vrasim njëqind myslimanë”.
Që atëherë ka kaluar shumë kohë, por Vuçiq asnjëherë nuk ka kërkuar falje plotësisht për krimet e kryera në emër të Serbisë. Disa kriminelë lufte ai i ka trajtuar si heronj dhe i ka lartësuar.
Ai ishte pjesë e regjimit të Slobodan Milosheviqit që kreu krime e masakra në Kosovë, pasi në vitin 1998 u bë ministër i Informacionit. 24 vjet pas luftës po i njëjti Vuçiq është në pushtet në Serbi. Nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, as nuk ka marrë përgjegjësinë shtetërore për këtë. Vazhdon ta luftojë shtetin e Kosovë në çdo mënyrë dhe struktura shtetërore serbe vazhdojnë të mbjellin frikë në veri të vendit. Megjithatë, në të njëjtën kohë, në sytë e Perëndimit ai është një demokrat që po përpiqet t’i normalizojë raportet me Kosovën.
Që nga bërja e Kosovës shtet, dikur në opozitë e tash në pushtet, ai nuk ka kursyer ta luftojë me përbuzje e urrejtje gjithçka që është kosovare. Diskursi i tij dhe i shtetit që drejton është antishqiptar, shpeshherë çnjerëzor. Ai nuk ka treguar pikën e empatisë për krimet dhe masakrat e kryera në Kosovë dhe as ka bërë hapa përpara për të pranuar realitetin e krijuar në shtetin e ri, që ende e konsideron pjesë të Serbisë.
* * *
Portretizimi i tillë i Vuçiqit nga gazeta amerikane s’është i befasishëm. Siç nuk duket të jetë befasi për perëndimorët as qasja e tij karshi Kosovës. Po me këtë Vuçiq – njëherë huligan, përjetë huligan – Kosova po provon të arrijë një marrëveshje për normalizim raportesh. Po me këtë Vuçiq, regjimi i të cilit kishte bartur kufoma shqiptarësh dhe i kishte varrosur në Serbi, Kosova arriti marrëveshje për personat e zhdukur dhe po provon të arrijë marrëveshje të tjera. Ai nuk po ndëshkohet nga Perëndimi për shkelje të marrëveshjeve të nënshkruara me Kosovën, përkundrazi, po konsiderohet garant i paqes në rajon.
Në një situatë normale, politikanët kosovarë nuk do të duhej të negocionin me një politikan të tillë dhe në një realitet kur ai as ka shprehur të paktën keqardhje për gjithë ato krime të kryera në Kosovë. Por, presioni ndërkombëtar i ka detyruar pushtetarët në të kaluarën dhe po e detyron edhe këtë të tashmin që të dialogojë me të. Pyetja thelbësore është: a mund të negociohet dhe si të arrihet marrëveshje me një huligan? Pardon, sipas Perëndimit një demokrat dhe garantues i paqes në rajon. Por, në realitet një autokrat
* * *
Për dy ditë në Serbi ndodhën dy vrasje masive, me gati njëzet viktima. Institucione dhe qytetarë të Kosovës u solidarizuan me familjet e viktimave. Një gjest njerëzor, larg mosdurueshmërisë dhe urrejtjes.
Por, fëmijë e të rinj në Serbi vazhdojnë të helmohen çdo ditë me diskursin antishqiptar. Ndër kreatorët e urrejtjes dhe klimës antikosovare është pikërisht Vuçiq. Urrejtje që verbon, që nuk sjell pajtim, që s’ka të ardhme.