Si te Gadafi! - Gazeta Express
string(12) "si-te-gadafi"

Si te Gadafi!

Gazeta Express

13/11/2020 14:26

Ky tekst është shkruar më 19.03.2013, gati para tetë vitesh. Ata lexues që kanë durim ta lexojnë, mund të binden se në sportin e gjithmbarshëm kosovar nuk ka lëvizur asgjë në aspektin pozitiv. Bile, mund të konstatojmë se jo vetëm që ka stagnuar sporti ynë, por në disa degë sportive jemi shumë prapa. Ndërsa, njerëzit që i udhëheqin Federatat dhe Komitetin Olimpik janë të njëjtit dhe nuk lëvizin nga vendi

Nga: Agim Kasapolli

Lexo Edhe:

Sot, klanet e organizuara po veprojnë me zell si bartës të zhbërjes së pariparueshme mbi sportin tonë. Më kujtohet mirë gjatë okupimit, në kohën e regjimit të Milosheviqit, qëllimi i atëhershëm i pushtetit ishte sakatimi dhe shkatërrimi i çdo dege sportive. Vendimet e regjimit okupues ishin përjashtimi i sportit shqiptar nga objektet dhe moslejimi i zhvillimit të garave. Përkundër të gjitha këtyre trysnive dhe zullumeve, sporti kosovar jo vetëm që mbijetoi, po pati edhe raste kur individët – falë organizimit të mirë të federatave në kushtet e kohës aktuale dhe të punës profesionale – u ngritën në nivelin e cilësisë së lojës.

Të gjitha këto aktivitete u zhvilluan në baza vullnetare, edhe pse gjatë okupimit të jesh në forumet dhe në postet e federatave ishte sakrificë, e jo privilegj. Pati edhe të tillë që tërë pasurinë e shkrinë për të mirën e sportit. Sot, pas 13 vjetëve, jemi të papenguar nga regjimi serb, kur suksesi i sportit tonë varet nga koshienca, vetëdija dhe profesionalizmi ynë. Po sot ku gjendet sporti kosovar?

Në fund të pusit! Arsyeja: kurdisjet e ndeshjeve, të cilat kurrë nuk u zbuluan, euforia, improvizimet, vetëkënaqësi e tepruar, blerja jashtë Kosovës e lojtarëve dhe trajnerëve pa asnjë kriter, prezantime të sukseseve të rrejshme, servilizmi i paparë ndaj asociacioneve ndërkombëtare sportive, vetëm për t’ia bërë vetes dhe klaneve qejfin duke u sorollatur nëpër botë me taksa të këtij populli fakir, dhuna në terrenet sportive, e cila është në rritje.

Po kush po i bën këto?

Ata që në kohën e okupimit ishin ” feta”, as me ne as me ata! E qe besa ma pak me ne e ma shumë me ata, dhe zaptuan postet nën mbrojtjen e disa “komandantëve” që iu vihen përballë pa pikë turpi dhe ua fshehin të kaluarën. Ka edhe të tillë që paraqiten si biznesmenë në klube, dhe pasi që kryejnë punën (i shpërlajnë paratë) brenda një apo dy viteve humbin pa gjurmë, e me ta zhduken edhe klubet.

Vetëm sa për ilustrim të përmendim një fenomen që ndodhi në vendin tonë. Gjatë vitit 2000, në Kosovë vepruan 158 klube futbolli, ndërsa sot ky numër ka rënë në 58 klube. Ndërsa, në basketbollin kosovar klubet që ishin amatore rekreative, brenda natës bëhen klube profesioniste me lojtarë dhe trajnerë të paguar me para të majme.

Të gjitha këto marifete janë për zezditën e sportit tonë, e në veçanti të basketbollit tonë. Sepse, pas një apo ma së shumti dy vjetëve, këto klube as që ekzistojnë ma. Sepse, kjo praktikë në Kosovë tani më është e njohur. S’është punë sporti këtu!

Në të kaluarën e afërt në klubet kosovare luajtën basketboll edhe lojtarë që i mbushnin hundët me drogë. E vetmja gjë që iu intereson “shpëtimtarëve” të sportit është shpëlarja e parave dhe postet që iu mundësojnë t’i kryejnë punët e pista.

Përveç kësaj, me rëndësi është që kontrolli të bëhet në mënyrë institucionale prej njerëzve militantë, apo udhëheqës partiakë dhe të disa hyzmeqarëve të partisë në pushtet, të cilët shumica u konvertuan prej AAK-së apo prej LDK-së në PDK. E gjithë kjo bëhet me trysninë e ish SHIK-ut, dhe nëpërmes klaneve të cilat në emër të sportit punojnë vetëm për interesa personale duke luajtur rolin e pronarëve të këtij shteti.

Me rëndësi është që nëpërmjet të ministrit të Sportit çdo gjë të jetë nën kontroll partiak. Se a ka zyrtarë sportivë të dënuar me burg, a ka individë apo klube nder hetime, apo a ka federata që Agjencia për korrupsion i ka paraqit në prokurori, apo liga të veçanta paralele që zhvillojnë gara në veri të Kosovës në kuadër të ligave të Serbisë – duke mos e pranuar shtetin e Kosovës këta veprojnë pa kurrfarë pengese, ndërsa kompetentët e sportit kosovar shtihen se për këtë gjëja nuk kanë haber – kjo ma se paku iu intereson këtyre.

Shumica e tyre bëjnë punë me direktiva, duke mbajtur të ashtuquajturat kuvende zgjedhore dhe me delegatë që kanë mandate të pakufizuara ose të përjetshme. Shpikin do cikle olimpike dhe urgjentisht i detyrojnë federatat të mbajnë kuvende zgjedhore sa për sy e faqe, pa asnjë ndryshim apo me ndonjë lëvizjeje kozmetike, por gati çdo herë me largimin e atyre që ishin të padëgjueshëm.

E gjithë kjo, për të lënë përshtypje se u rraskapitën duke punuar!

Emërimi i kryetarëve gjithmonë dihet para se të fillojë kuvendi. Bash si te Gadafi! Dhe, kjo nuk i pengon askujt, e ma së paku ministrit axhami i cili edhe vetë me vota të vjedhura erdhi në këtë post.

Pasi të zgjidhet kryetari, emërohen anëtarët e bordeve, ku për këto poste janë të rezervuara vendet për emërimin i bijve e bijave, kushërinjve e anëtarëve të tjerë të familjes në poste të ndryshme, duke i okupuar klubet dhe federatat. Puna ma e sikletshme në kuvendet, qofshin ato zgjedhore, apo vjetore – nëse mbahen çdo vit, sidomos kur është fjala për kokën – është raporti financiar, i cili zakonisht me qëllim vendoset si pika e fundit e rendit të ditës. Sepse, pritet që ata pak gazetarë që ende s’i kanë korruptuar me ndonjë udhëtim nëpër dynja, apo me ndonjë projekt të majmë në Ministrinë e Sportit – por ka edhe të tillë që mund t’i blejsh me një raki te dudave apo shumë të tillë janë pjesë e bordeve nëpër federata ( janë zhallavatë për të lëpirë ndonjë asht ) – presin të shkojnë e t’i raportojnë miletit pa u ditur raporti financiar!

Në rendin e ditës figuron raporti financiar, por në material askund nuk ka shënime se si dhe ku janë harxhuar paratë. E gjithë kjo ndodh para syve të kuvendarëve dhe para monitoruesve të Departamentit të Sportit. Nuk ka të dhëna se si është harxhuar paraja e popullit (kështu ndodhi në kuvendin e fundit zgjedhor të Komitetit Olimpik). Ata që eventualisht kërkojnë të analizohet raporti financiar i ha terri, kurrë ma në kuvende nuk i shihni! Vetëm në ato federata ku nuk ka para dhe udhëtime nëpër dynja, aty ka rahati dhe qetësi.

Sa u përket sportistëve, ata ekzistojnë sa për numër dhe ata janë viktima që këta zyrtarë në emër të tyre i bëjnë të gjitha. Tani në Kosovë ka lindë edhe një marifet i ri: është bërë modë që të mbahen turne ndërkombëtare në shumë degë sportive, të gjitha këto në emër dhe “në të mirë të Kosovës”, ku në panotë reklamuese – para fillimit të këtyre turneve – paraqiten emra te zëshëm dhe të mëdhenj të sportit ,e krejt kjo për t’i arsyetuar paratë e mbledhura nga biznesi i stërlodhur kosovar , dhe kur nuk dihet ku përfundojnë këto para?

Po Ministria e Sportit?

Bën sehir! Lejon që në emër të njerëzve ma të lavdishëm të kombit të mbahen turne të manipuluara me antivlera sportive, e pastaj nëse janë të klanit të tyre edhe i shpërblejnë duke ua trashë xhepin edhe me para shtesë të taksave të këtij populli fakir.

A ka gjë ma të lehtë se caktimi i datave të turneve ndërkombëtare në të gjitha sportet nga Ministria, por turneve që kanë vlerë dhe dobi për njerëz që e kanë merituar. Këtë këta njerëz nuk kanë guxim ta ndalin!

Një gjë tani është e qartë: qe 13 vjet sportistët, gati në të gjitha degët sportive, janë pengë të këtyre mizevirave që veprojnë si klane në kuadër të federatave, të cilët në emër të internacionalizimit të sportit kosovar sorollaten nëpër dynja, disa edhe me pasaporta të Serbisë. Të gjithë në deklarime gjëja sakrifikojnë për Kosovën, e në realitet me të bërat e tyre punojnë kundër Kosovës.

Disa prej tyre, që tani janë në poste të larta, gjatë okupimit jo vetëm që nuk na ndihmuan, por ishin me ta. Disa si nëpunës luajalë të Sllobës, disa të tjerë kryetarë të JUL-it që kishin për detyrë të afrojnë sa më shumë sportistë shqiptarë në radhët e partisë së Mirës (Milosheviqit). Për këto merita sot të gjithë këta nga shteti i Serbisë marrin pensione të majme.

Disa prej tyre janë përsëri në vende kyç të vendimmarrjes në sportin kosovar. Me gjasë ende do të ngelin aty, sepse në seancën parlamentare pas 13 vjet pritjeje u fol për gjendjen e sportit në vendin tonë. Ky ministër axhami, në analizën që e bëri para deputetëve për ” sukseset” që vetëm ai i di, fliste në vetën e parë dhe fitohej përshtypja se sporti kosovar ka filluar me paraqitjen e tij në skenën kosovare, edhe kësaj here si zakonisht bëri vetëm marketing për punën e vet. Prandaj, sipas tij, sporti kosovar është duke lulëzuar!