Si ta ulni sasinë e kripës pa e humbur shijen e ushqimit – këshillat e ekspertëve - Gazeta Express
string(79) "si-ta-ulni-sasine-e-kripes-pa-e-humbur-shijen-e-ushqimit-keshillat-e-eksperteve"

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

04/11/2025 20:26

Si ta ulni sasinë e kripës pa e humbur shijen e ushqimit – këshillat e ekspertëve

Ushqimi/Dieta

Gazeta Express

04/11/2025 20:26

Kur bëhet fjalë për kripën, shumica prej nesh përqendrohen tek ajo që marrim nga ushqimet e përpunuara apo vaktet jashtë shtëpisë.

Dhe me të drejtë — ato përbëjnë rreth 75% të sasisë së kripës që konsumojmë çdo ditë.

Por shpesh harrojmë se një pjesë e madhe e kripës vjen edhe nga ajo që shtojmë vetë në kuzhinë.

Sipas Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Britanisë (NHS), një i rritur nuk duhet të konsumojë më shumë se 6 gramë kripë në ditë, që i bie rreth një lugë çaji.

Megjithatë, studimet tregojnë se mesatarisht të rriturit konsumojnë rreth 8.4 gramë në ditë, pra mbi 40% më shumë se rekomandimi.

Teprica e kripës bën që trupi të mbajë ujë në gjak, çka rrit tensionin arterial dhe për pasojë rriskun për goditje në tru, infarkt, osteoporozë dhe madje edhe kancer në stomak.

Ndryshe nga sheqeri i tepërt, pasojat e kripës nuk janë menjëherë të dukshme – prandaj e quajnë “vrasës i heshtur”.

Por si ta ulim sasinë e saj pa e bërë ushqimin pa shije?

Tre nga dietologët më të njohur në Britani thonë se është e mundur dhe madje shumë e lehtë.

1. Zëvendësoni kripën me erëza dhe barishte aromatike

“Ulja e kripës nuk do të thotë të sakrifikosh shijen,” – thotë Rhiannon Lambert, nutricioniste në Harley Street dhe autore e librit The Science of Nutrition.

“Aftësia për të gatuar me më shumë kreativitet e bën të lehtë ta zvogëlosh kripën, ndërkohë që ushqimi mbetet po aq i shijshëm.”

Ekspertët këshillojnë të përdorni barishte, erëza dhe përbërës me shije umami si kërpudha, domate dhe ushqime të fermentuara.

Sipas Dr. Federica Amati, nutricioniste pranë ZOE, këto përbërës përmbajnë aminoacide që e bëjnë ushqimin më të këndshëm edhe me më pak kripë.

Për më tepër, disa erëza ndihmojnë drejtpërdrejt në uljen e tensionit dhe në stabilizimin e sheqerit në gjak.

Sipas Dr. Carrie Ruxton, “kurkuma dhe qimnoni kanë veti anti-inflamatore, hudhra ul kolesterolin e keq, ndërsa kanella ndihmon në kontrollin e glukozës.”

Një tjetër këshillë është përdorimi i kripës me pak natrium, që ka shije të ngjashme me kripën e zakonshme, por me ndikim më të vogël në presionin e gjakut.

2. Kujdes me drithërat dhe ushqimet e përpunuara

Kripa shpesh fshihet në produkte të përpunuara, përfshirë drithërat e mëngjesit, ku disa kompani kanë rritur sasinë e saj për të kompensuar uljen e sheqerit.

“Lexoni etiketat dhe zgjidhni versione me më pak natrium,” – këshillon Dr. Amati.

Dr. Ruxton shton: “Sheqeri dhe kripa shtohen për ta bërë më të shijshëm produktin, pasi askush s’e ha dot grurin apo elbin e papërpunuar.”

Aktualisht, nuk ka rregullore të detyrueshme për kufizimin e kripës – ndryshe nga sheqeri – dhe rekomandimi për 6 gramë në ditë mbetet vetëm këshillë vullnetare.

Zgjidhje më të shëndetshme janë drithërat integrale, si tërshëra, muesli, “bran flakes” apo “shredded wheat”.

3. Mos u mashtroni nga “produktet bimore”

Produktet vegane dhe zëvendësuesit e mishit janë bërë shumë të njohur, por shumë prej tyre janë tepër të përpunuar dhe përmbajnë sasi të larta kripe për të imituar shijen e mishit.

“Dietat bimore janë të shkëlqyera për shëndetin dhe mjedisin,” – thotë Lambert, – “por produktet e gatshme shpesh përmbajnë shumë kripë.”

Ajo rekomandon që vaktet të bazohen në ushqime natyrale si fasule, thjerrëza, drithëra dhe perime, në mënyrë që të kontrolloni vetë shijen dhe erëzat.

Dr. Ruxton shton: “Në fakt, mishi natyral përmban shumë pak natrium. Një vakt i shëndetshëm mund të jetë mish i freskët me qiqra apo bishtajore dhe shumë perime.”

4. Rrisni nivelin e kaliumit

Konsumi i frutave dhe perimeve ndihmon trupin të balancojë efektet e kripës.

Kaliumi ndihmon organizmin të eliminojë natriumin e tepërt dhe ul tensionin e gjakut.

Ushqime të pasura me kalium janë: peshku, patatet, bananet, spinaqi, kajsitë e thata, kosi, fasulet dhe domatet.

Ekspertët rekomandojnë që gjysma e pjatës në drekë apo darkë të përmbajë perime, dhe të konsumohen të paktën dy fruta në ditë.

5. Kontrolloni salcat dhe erëzat e gatshme

Salcat, ketchup-i, soya, kubat e lëngut dhe salcat e sallatës shpesh janë burime të fshehura të kripës.

“Zgjidhni versione ‘me pak kripë’ dhe mateni sasinë që shtoni, mos e hidhni direkt nga shishja,” – këshillon Lambert.

Alternativa të shëndetshme janë uthulla balsamike, limoni, tahini apo salcat me bazë kosi, që japin shije të pasur pa rritur natriumin.

Ekspertët këshillojnë që ulja e kripës të bëhet gradualisht, pasi shija përshtatet me kohën.

“Receptorët tanë në gjuhë përshtaten – ndaj reduktimi i ngadaltë bën që të mos ndjejmë mungesë shijeje,” – thotë Dr. Amati.

Në fund të ditës, gjithçka lidhet me vetëdijen dhe zakonet.

Kripa është thelbësore për trupin, por në sasi të vogla.

Ndryshimet e vogla në kuzhinë mund të bëjnë ndryshim të madh për shëndetin e zemrës dhe jetën tuaj. /GazetaExpress/