Një gjyqtare franceze ka bërë publike se si ushtruan përfaqësuesit amerikanë presion ndaj saj. Sipas ekspertëve, ky episod tregon në çfarë mase Franca është në shënjestër të lëvizjes MAGA të Trump-it.
Zemra e administratës amerikane të Presidentit Donald Trump rreh për skajin e djathtë të spektrit politik evropian. Strategjia Kombëtare e Sigurisë e SHBA e dhjetorit 2025 e bën zyrtare: ajo flet për një “shuarje civilizimi” të Evropës për shkak të migrimit. Megjithatë, “ndikimi në rritje i partive patriotike evropiane” është një shkak për optimizëm të madh, thuhet në strategji. Ndaj “duhet t’i ndihmohet Evropës të korrigjojë kursin e saj aktual”. Politikanët amerikanë i përsërisin këto mesazhe rregullisht, ashtu si bëri së fundmi Sekretari i Shtetit amerikan, Marco Rubio, në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Por administrata Trump është gjithashtu aktive prapa skenave. Gjyqtarja franceze Magali Lafourcade është bindur për këtë që më 28 prill 2025, kur për herë të parë lëshoi alarmin për ndërhyrjen e huaj gjatë karrierës së saj në Ministrinë e Jashtme të Francës . Ky episod, që Lafourcade e bëri publik së fundmi, tregon shkallën në të cilën Franca është në shënjestër të SHBA, sipas ekspertëve.
Në atë kohë, Lafourcade, në cilësinë e saj si sekretare e përgjithshme e Komisionit Kombëtar Konsultativ për të Drejtat e Njeriut, priti Samuel D. Samson dhe Christopher Anderson nga Departamenti i Shtetit të SHBA. Të dy ishin në një vizitë në Evropë, gjatë së cilës, sipas raporteve të mediave, ata takuan edhe anëtarë të partisë së ekstremit të djathtë francez Rassemblement National (RN). “Shumë shpejt u bë e qartë se ata po kërkonin informacion rreth çështjes kundër Marine Le Pen,” shpjegon gjyqtarja për DW. Kandidates për presidente nga RN sapo i ishte hequr e drejta për të kandiduar për pesë vjet, ndër të tjera për dyshim të shpërdorimit të fondeve të BE. Kjo do ta pengonte Le Pen të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Një gjykatë apeli do të njoftojë në korrik nëse do ta lërë në fuqi vendimin.
Diplomatët amerikanë flasin për “lirinë e shprehjes”
“Sipas diplomatëve amerikanë, dënimi ishte me motive politike, pasi Le Pen ishte kundër Presidentit Emmanuel Macron,” kujton Lafourcade. “U tregova atyre se ajo ishte shpallur fajtore për korrupsion pas një hetimi të hollësishëm dhjetëvjeçar dhe se penalizimet me heqjen e së drejtës për t’u zgjedhur nuk ishin të pazakonta. Por ata këmbëngulën, sikur po kërkonin prova që nuk kishte qenë një gjyq i drejtë. Pastaj Samsoni tha se Europa duhet të respektojë lirinë e shprehjes. “Unë iu përgjigja se në vendin tonë sundonte liria e shprehjes, përveç se në rastet e fyerjeve, shpifjes, gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe mohimit të Holokaustit,” shpjegon Lafourcade. “Ata thanë: ‘Ne jemi aleatët tuaj, por që kjo të ndodhë, Europa duhet të lejojë përsëri deklaratat e ndaluara”. “MAGA përdor gjuhën e të drejtave të njeriut për t’i minuar ato,” thotë Lafourcade, duke iu referuar lëvizjes MAGA (“Make America Great Again”) të Trumpit. Presidenti Trump herë pas here është subjekt i kritikave për masat e tij kundër atyre që mendojnë ndryshe. Për shembull, ai u ka mohuar gazetarëve qasjen në Shtëpinë e Bardhë dhe ka paditur organizata mediatike.
Nicolas Conquer, anëtar i Republicans Overseas dhe themelues i institucionit me bazë në Paris, të lidhur me MAGA, The Western Arc, e quan “shpifje” të thuash se ky takim ishte një përpjekje për ndërhyrje të huaj. “Kjo është shpifje. Është krejtësisht e ligjshme të kesh rezerva për gjyqin. Ne jemi vëzhgues të ngjarjeve dhe mbrojmë çështje që janë në interes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Evropës,” tha ai në një intervistë për DW.
Sistemi “më i mirë” i mbrojtjes së informacionit në Evropë?
Megjithatë, Ministria e Jashtme franceze sqaron se nuk regjistron më vetëm ndërhyrjen nga Rusia. “Ne u përgjigjemi të gjithëve që na sulmojnë, qoftë nga lindja apo perëndimi,” i thotë DW-së zëdhënësi i ministrisë, Pascal Confavreux, pa specifikuar se cili nga dy kërcënimet është më i madh. Por koha e njoftimit të ministrit të Jashtëm Jean-Noël Barrot për një strategji të re kundër ndërhyrjes së huaj flet vetë: ai e bëri këtë më 29 janar 2025, një javë pas marrjes së mandatit të ri nga Trumpi.
Ministria synon të identifikojë përpjekjet për ndërhyrje të huaja dhe t’u përgjigjet atyre, ndër të tjera me llogarinë në platformën X “French Response”, e cila i përgjigjet në mënyrë ironike informacionit të rremë. “Ne nuk mund ta fitojmë luftën e informacionit pa hyrë në betejë,” thotë Confavreux. Së fundmi, Ministria e Jashtme thirri në ministri ambasadorin amerikan pasi ai komentoi vdekjen e një radikali të ekstremit të djathtë në Marsejë. Në fillim, ai e la ministrinë të priste kot, por më pas premtoi “të mos ndërhynte në debatin publik”.
Për David Colon-in, profesor historie në Universitetin Sciences Po në Paris dhe ekspert në çështjet e manipulimit të informacionit, Franca ka sistemin më të mirë në Evropë të mbrojtjes në luftën e informacionit. “Presidenti Macron ishte tashmë i vetëdijshëm për rrezikun e ndërhyrjes së huaj gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2017: si pjesë e ashtuquajturave ‘Macron-Leaks’, dikush publikoi mijëra email-e nga ekipi i tij,” shpjegon Colon për DW. Europa tani ndodhet në një pozicion delikat. “Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë në pushtet teoricienët e konspiracionit,” thotë studiuesi. “Ata kanë të njëjtat qëllime dhe strategji si rusët: duan të dobësojnë BE dhe ta shohin SHBA të tërhiqet nga NATO-ja.”
Me mendjet te zgjedhjet presidenciale
Tara Varma, drejtoreshë ekzekutive e Parashikimit Strategjik në qendrën kërkimore German Marshall Fund në Paris, madje flet për një “fiksim”. “Mbështetësit e MAGA-s pretendojnë se e’duan’ Evropën, por kjo dashuri është toksike,” i thotë DW-së Varma, e cila deri vonë ka jetuar në Uashington. “Ata duan ta nënshtrojnë Evropën, mohojnë ndryshimet klimatike dhe janë kundër të drejtave të minoriteteve.”
Edhe Maya Kandel, studiuese e ftuar dhe eksperte e politikës së jashtme të SHBA-së në Universitetin Sorbonne Nouvelle në Paris, është e bindur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zhvillojnë një luftë kulturore kundër Evropës dhe, mbi të gjitha, kundër Francës. “Ata mbajnë takime të rregullta me anëtarë të së djathtës dhe të ekstremit të djathtë francez,” i thotë ajo DW-së. “Lëvizja MAGA eksporton idetë e saj përmes konferencave ndërkombëtare, të ashtuquajturave CPAC-e dhe Natcon-e, dhe qeveria amerikane planifikon të financojë organizata me mendime të ngjashme në vende të tjera.”
Për ekspertët, është e qartë pse është objektiv Franca. “Ne luajmë një rol qendror në BE, kemi armë bërthamore dhe jemi anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dhe nuk ka nevojë për shumë që situata të ndryshojë,” thotë gjyqtarja Lafourcade. RN kryeson sondazhet për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. /DW