Si po ndryshon bota jonë? - Gazeta Express
string(24) "si-po-ndryshon-bota-jone"

Si po ndryshon bota jonë?

Gazeta Express

21/05/2020 11:01

Historia mijëravjeçare e betejës së Maratonës vazhdon ta përcjellë botën edhe sot. Atëbotë, një luftëtar athinas kishte shkuar nga Athina në Spartë për të dërguar një lajm gëzimi. Sigurisht se kjo është një legjendë dhe ta vështrosh nga shekulli XXI ku porositë dërgohen me një lehtësi të papërfillshme, tregon për botën e sotme lehtësisht të arritshme.

Shkruan: Valmir Elezi

Lexo Edhe:

Mjafton sot të bësh një vijë të pakontrolluar në hartën e botës, ku bashkon dy vende, dhe do të gjesh, të paktën, një fushë bashkëpunimi, qoftë edhe jo shumë e avancuar.

Megjithkëto lehtësi, edhe problemet e botës janë bërë globale.

Kështu jemi prej disa javëve. E gjithë bota ka vetëm një shqetësim se si të përballojë dhe mposht pandeminë. Grekët e lashtë me fjalën ‘pandemi’ nënkuptonin saktë atë që po ndodhë sot me Covid-19. Ata me këtë fjalë emërtonin një sëmundje e cila kalon kufijtë e shteteve dhe kontinenteve, pra që “i përket të gjithë njerëzve”.

Duke qenë se problemet e botës janë bërë globale edhe përballimi me to dhe zgjidhja e tyre kërkon reagim të përbashkët. Shtetet nuk duhet të mbyllen në kufijtë e tyre dhe të kujdesen vetëm për vetën e tyre. ShBA-të kanë shprehur hapur shqetësimin dhe dyshimin e tyre, ndër tjerash, se qeveria kineze nuk i mori në kohë masat e nevojshme e as nuk informoi në kohë botën, çka do të ndikonte në ndalimin e përhapjes.

Ne kemi akoma shumë pyetje pa përgjigje, por është lehtësisht e vërejtshme se situata që ka krijuar kjo pandemi padyshim se po ndryshon sjelljen e shteteve dhe botën në përgjithësi.

Ajo çka mund të themi tani është se kështu ka qenë edhe në të kaluarën, pavarësisht se nga sa larg ka ardhur një fatkeqësi.  

Në vitin e largët 1815 mijëra kilometra larg Amerikës Veriore dhe Europës shpërtheu vullkani në Malin Tambora në Indonezi, ndër më i madhi i regjistruar në historinë njerëzore. Shpërthimi shkaktoi me mijëra viktima dhe vlerësimet rreth shifrave ndryshojnë. Vdekja e tyre ishin vetëm një pjesë e kësaj katastrofe. Në vitin pasues, 1816, do të shfaqeshin dëmet përtej zonës ku shpërtheu vullkani. Reja e tymit dhe hirit që u ngrit në qiell më shumë se 40 kilometra shkaktuan anomali të klimës në nivel global. Viti 1816 do të njihet në histori si “viti pa verë” për shkak të ndikimit që pati ky shpërthim në motin e Amerikës së Veriut dhe Europës. Temperaturat mesatare globale u ulën mjaftueshëm për të shkaktuar katastrofën. Në qershor të atij viti kishte rënë borë në New York. Pasojat vullkanike bllokuan rrezet e diellit dhe të lashtat dështuan në hemisferën veriore. Uria shkatërroi pjesët e mëdha të Europës, njerëzit vdiqën dhe u goditën nga sëmundjet. Gjendja e rëndë prodhoi trazira në shumë prej shteteve europiane. Kjo do të ndryshonte edhe rregullat dhe ligjet. “Në Angli protestat arritën kulmin në 1817, duke bërë që qeveria konservatore të suspendojë Aktin e Habeas Corpus-it”, thuhet në një studim të Qendrës Oeschger për Kërkimin e Ndryshimeve Klimatike në Universitetin e Bernës, Zvicër.

Kriza e shkaktuar në “vitin pa verë” pas shpërthimit të Tamborës është ideale për të këndvështruar dhe kuptuar bashkëveprimin mes natyrës, njeriut dhe jetës së tij politike.

Këto ditë një paralajmërim i frikshëm u dha nga kreu i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, David Beasley, i cili tha në Këshillin e Sigurimit se bota është në prag të një pandemie të urisë dhe se bota mund të përballet me kriza urie të shumëfishta në përmasa biblike, brenda disa muajve. “Ka një rrezik real se më shumë njerëz do të vdesin nga pasojat ekonomike të COVID-19 sesa nga vetë virusi”, tha Beasley.

Tani, situata padyshim se po ndryshon mënyrën e jetesës sonë dhe periudha post-pandemike mund të sjellë ndryshim të rregullave dhe ligjeve tona në aspektin afatgjatë. Edhe ashtu pranvera ka qenë e ngarkuar për gjykatat që janë marrë kryesisht me vlerësim të ligjeve dhe masave kufizuese të qeverive.     

Sot të gjithë po presim se kush do të japë lajmin e fitores mbi pandeminë. Sigurisht se ky lajm do të përhapet me lehtësi të papërfillshme dhe nuk do t’i duhet kohë sikurse maratonomakut, i cili pasi kishte dërguar lajmin e fitores nga Athina në Spartë kishte dhënë shpirt. Do t’i duhen disa minuta për t’u përhapur në të gjithë globin dhe jo si dikur që duheshin ditë për të dërguar mesazhin qindra kilometra më tutje. Mesazhi i fitores nuk do të ndryshojë. Ai do të jetë ‘gëzim për ne’.

E, pasi të kemi përfunduar me këtë pandemi, bota do të vazhdojë të shfaq ndryshimin. Ajo nuk do të vazhdojë të qëndrojë mbi të njëjtat rregulla. Do të bëhet më e hapur sesa ishte apo më e kufizuar, është pyetja që pret të marrë përgjigjen.

Autori ka mbaruar studimet Master për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës.