Katër serbë të arrestuar për sulme në veri, janë liruar me kusht pas një muaji paraburgim. Opozitarët thonë se ata i liroi pushteti, pas marrëveshjes për shtensionim. Vetëvendosje i lë faj gjykatave, ndërsa Serbia merr meritat se i liroi. Juristi Ehat Miftaraj thotë se vendimi për lirim me kusht është krejtësisht konform ligjit.
Gazeta Express
Të dyshuarit serbë për sulme, kryesisht ndaj gazetarëve në veri, kanë nisur të lirohen me kusht një nga një, një muaj pasi ishin kapur nga shteti dhe kishin qëndruar në paraburgim. Deri tash, janë liruar katër nga ta.
Disa kundërshtarë të Qeverisë i lidhin lirimet me kusht, më një marrëveshje mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri. Pas një muaji rezistencë, Qeveria, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në emër të saj, pranoi një pjesë të propozimeve për de-eskalim në veri.
Qeveria dhe LV akuzojnë gjykatat dhe opozitën
As Kryeministri Albin Kurti, as Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili raportonte për secilin arrestim të të dyshuarve, nuk ka komentuar lirimin e tyre. Megjithatë, Këshilltari i Sveçlës për Media, Arlind Manxhuka, është shprehur i çuditur me vendimin e gjykatës.
“Është vërtetë e çuditshme mënyra si është marrë vendimi për lirim të këtyre personave veçanërisht me dorëzani kur Kodi Penal ka dhjetëra opsione tjera në këto raste. Këto lirime do të jenë vetëm inkurajim që ata të vazhdojnë avazin e vjetër, ndërkaq për të tjerët stimulim për t’u përfshirë në këto raste/grupe”, ka shkruar Manxhuka në Facebook.
Për lirimet me dorëzani, ka reaguar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, për të cilin, vendimi i gjykatës është “i papranueshëm” dhe “i gabuar”.
“Vetëm njëri prej të liruarve në dorëzani, Nemanja Vlaskoviq, që së fundmi ka sulmuar gazetarët ka dosje të thukët kriminale. Ai përveç tjerash ka punuar në komunën paralele të Leposaviqit. Po ashtu ai është pjesë e grupit kriminal ‘’Udarna Ekipa’’, që merren me sulme të befasishme me mjete të forta dhe shpërthyese ndaj PK-së, Qeverisë etj. Po ashtu i dyshohet edhe për vepra tjera”,
Edhe Muja, si Manxhuka, ka përmendur “opsionet tjera” që është dashur t’i përdor gjyqësori në rastin e të dyshuarve për sulme në veri.
“Është tërësisht i papranueshëm dhe i gabuar një vendim i tillë nga ana e gjyqtarit kur ka pasur qindra opsione tjera të parapara me Kodin Penal”, shkroi deputeti.
Zyrtari i lartë i LV-së, Elvis Hoxha, ka shkuar një hap tutje, duke akuzuar partitë opozitare PDK-në dhe LDK-në për lirimin e këtyre të dyshuarve.
Opozitarët akuzojnë Qeverinë
Reagimet të eksponentëve të LV-së, sipas zyrtarit të PDK-së, Betim Gjoshi, janë përpjekje të Kurtit që lirimin e të dyshuarve për sulme t’ia faturojë të tjerëve.
“Kot po mundohet Albin Kurti, direkt apo nëpërmjet papagallëve të tij, që lirimin e pjestarëve të bandës së Milan Radojçiqit, t’ia faturojë të tjerëve. Koordinimin e fshehtë të Albin Kurtit me Milan Radojçiqin, vetëm sa e ka formalizuar në Bratisllavë zëvendësi i tij i dhunshëm, Besnik Bislimi”, ka shkruar Gjoshi.
Ish-deputeti Frashër Krasniqi e sheh marrëveshjen politike si një nga arsyet që mund të ketë çuar në lirimin e serbëve të dyshuar për sulme.
“Dy arsye janë të mundshme për lirimin e tyre. Një që nuk ka pas’ shteti prova dhe fakte për involvimin e tyre në krime dhe është detyru me i liru. Kurse, arsyeja e dytë është që edhe pse ka mujtë me pas prova, është detyru me i liru për shkak të marrëveshjes politike mes Kosovës dhe Serbisë, përmes ndërmjetësuesve të dialogut”, ka thënë Krasniqi në nji videoadresim.
Derisa në Kosovë akuzohet sa gjyqësori, sa ekzekutivi për lirimin e serbëve të arrestuar për sulme e gjatë tensioneve në Veri, Qeveria serbe në Beograd i ka marrë meritat për lirimin e tyre.
Petar Pektkoviq, kryenegociator serb në dialogun teknik mes Kosovës dhe Serbisë, pas lirimit të një prej të dyshuarve, shkroi se ai ishte serbi i katërt që Qeveria serbe “arriti ta lirojë”.
“Dhe Urosh Vukashinoviq, serb i arrestuar në Leposaviq më 17 qershor nga policia e Kurtit, sot është liruar! Ai sapo ishte bashkuar me familjen e tij. Uroshi është serbi i katërt që e liruam dhe vazhdojmë luftën për të gjithë bashkatdhetarët tanë të arrestuar pafajësisht!”, ka shkruar Petkoviq në llogarinë e tij në “Tëitter”.
Lirimi me kusht, sipas juristit
Juristi Ehat Miftaraj e depolitizon lirimin me kusht të të dyshuarve serbë. Ai thotë se i paraburgimit me një masë më të lehtë, si dhënia e dorëzanisë në rastet konkrete, parashihet me Kodin e Procedurës Penale.
“Kodi i Procedurës Penale në kuptim të gjykimit të drejtë, te paanshëm dhe ne afat të arsyeshëm përcakton se heqja e lirisë apo caktimi i masës së paraburgimit duhet zvogëluar në masën sa më të shkurtër të mundshme. Duhet kuptuar se caktimi i masës së paraburgimit apo zëvendësimi i kësaj mase me ndonjë masë më të lehtë si dorëzania nuk është as dënim dhe as lirim nga përgjegjësia penale. Këto masa janë kryesisht masa për të siguruar praninë e të pandehurit në procedurë penale”, ka thënë Miftaraj për Gazetën Express.
Të gjitha palët që kanë reaguar pas lirimit me kusht të të dyshuarve, sipas juristit, cenojnë pavarësinë e sistemit gjyqësor. Deklaratat në Serbi se kanë dorë në lirimin e këtyre qytetarëve serbe të Kosovës, Miftaraj thotë se janë të pavlera.
“Andaj, politizimi i kësaj çështje qoftë nga qeveria e Kosovës apo nga kushdo qoftë cenon pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe si të tilla duhet të ndërpriten. Serbia dhe Petkoviq nuk kanë asnjë rol në tërë këtë proces, andaj edhe deklaratat e tyre duhet të shihen si deklarata patetike dhe pa asnjë vlerë për sistemin juridik në Kosovë”, ka thënë ai.
“Është e drejtë e prokurorit që në rastet kur ka dëshmi dhe e vlerëson të bëjë kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit dhe është detyrë e gjykatësit të vendosë nëse një kërkese e tillë i plotëson kriteret dhe kushtet e përcaktuara më Kodin e Procedurës Penale apo mund të caktoj masë tjetër të sigurisë”, shton Miftaraj.
Lirimi i Dejan Pantiqit në dhjetor
Një skenar i ngjashëm i reagimeve kishte ndodhur edhe shtatë muaj më parë kur gjykata vendosi t’ia zbusë masën ish-Policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, duke e liruar në arrest shtëpiak. Pantiq ishte arrestuar në dhjetor të 2020-s, nën dyshimet se kishte marrë pjesë në një sulm ndaj zyrtarëve të Komisionitn Qendror Zgjedhor.
Me arrestimin e Pantiqit, ishin vënë barrikada nëpër rrugët e veriut të Kosovës, të cilat u hoqën vetëm pas ndryshimit të masës ndaj Pantiqit, më 29 dhjetor.
Derisa dërgimi i Pantiqit në arrest shtëpiak nga opozita shihej si marrëveshje e Qeverisë për ta shtensionuar veriun, vetë Kryeministri Kurti dhe partia e tij shënjestruan gjyqtarin dhe prokurorin e këtij rasti.
“Kur kemi akuzë për terrorizëm të dërgohesh në arrest shtëpiak, jam kureshtar se cili është ai prokuror që e bën kërkesë dhe cili është ai gjyqtar i procedurës paraprake që e aprovon”, ishte shprehur Kurti.
Manxhuka i LV-së e kishte quajtur ndryshimin e masës së sigurisë si “akt tradhtie”.
Atë kohë, emrat e prokurorit dhe gjyqtarin ishin shkruar nëpër Prishtinë, duke u cilësuar si tradhtarë.
Gjykata Themelore e Prishtinës nxori aktvendim për ndryshimin e masës së sigurisë, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale. /Express/