Si po e “keqkuptojmë” qeverinë - Gazeta Express
string(28) "si-po-e-keqkuptojme-qeverine"

Si po e “keqkuptojmë” qeverinë

OP/ED

Gazeta Express

01/10/2021 15:38

Zyrtarë dhe mbështetës të Vetëvendosjes po vazhdojnë përpjekjet dëshpëruese që për veprimet dhe vendimet e qeverisë, për të cilat sa ishin në opozitë thoshin se nuk do t’i ndërmarrin kurrë, t’i fajësojnë të tjerët se i paskan keqkuptuar qëllimshëm. Sipas tyre të gjithë e kanë keq, janë “të shitur” dhe pa parime – veç Vetëvendosja është e pagabueshme dhe parimore.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Në më shumë se gjashtë muaj të qeverisjes së Vetëvendosjes dhe të Albin Kurtit, arsyetimi më i shpeshtë i zyrtarëve të qeverisë dhe të partisë ka qenë se vendimet dhe veprimet e ndërmarra po keqkuptohen qëllimshëm nga të tjerët. Diskursi që ata janë përpjekur ta ndërtojnë vazhdimisht është se vendimet e Kurtit dhe të qeverisë janë të drejta, por se ato po keqkuptohen e devijohen qëllimshëm kryesisht nga analistë politikë. Njësoj ndodhi me marrëveshjen për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që u arrit në Bruksel.

Zëdhënësi i partisë më të madhe, në përpjekje për të arsyetuar numrin dy të qeverisë – përgjegjës për dialogun, tha se deklaratat e tij ishin keqkuptuar qëllimshëm.

Edhe pse ende nuk ishte bërë e ditur zyrtarishjt se çfarë do të ndodhte me targat ilegale serbe, me akronimet e qyteteve të Kosovës por që lëshohen në Serbi, ishte më se e qartë se palët ishin marrë vesh që makinat me to të vazhdojnë së qarkulluari pa problem edhe për një kohë. Pra, ky duket të jetë kompromisi i Kosovës, në raport me marrëveshjen e arritur.

Por, përkrahës të Vetëvendosjes dhe vetë zyrtarë të saj vazhdojnë përpjekjet për të paraqitur marrëveshjen si fitore të madhe për Kosovën, edhe pse bëhet fjalë për asgjë më shumë sesa zbatim nga ana e Serbisë i marrëveshjes së vitit 2016.

Akuzat për keqkuptim të qëllimshëm të deklaratave ose vendimeve e veprimeve të qeverisë më tepër janë përpjekje dëshpëruese për të arsyetuar gjithçka që tash Vetëvendosja po e bën, por që kur ishte në opozitë zotohej se nuk do ta bënte kurrë.

Këtu hyjnë premtimet se anjëherë nuk do të negociohej me Serbinë pa kërkuar falje për krimet e kryera në Kosovë, asnjëherë nuk do të bisedohej me Serbinë për veriun e vendit, asnjëherë nuk do të ndodhnin punësime familjare e partiake e të tjera premtime – dikur parime – si këto, por që me krijimin e qeverisë po fshihen një nga një, thua se nuk kanë ekzistuar kurrë. Siç u fshi, thua se nuk është thënë kurrë, deklarata e vititt 2016 e Vetëvendosjes për marrëveshjen e targave, e cila atëherë etiketohej si “marrëveshje turpi”.

* * *

Njësoj si për marrëveshjen e targave zyrtarë të Vetëvendosjes ngarendën para pak javësh që të arsyetojnë deklaratat e zyrtarëve qeveritarë rreth marrëveshjes për qasje në arkivin e UÇK’së. Edhe atëherë thanë se numri dy i qeverisë, përgjegjës për dialogun, ishte keqkuptuar. Të njëjtët u përpoqën t’ua mbushin mendjen qytetarëve se me qëllim po keqkuptoheshin edhe shifrat sa i përket menaxhimit të pandemisë, madje duke e arsyetuar edhe hapjen skandaloze të pakontrolluar dhe pa mbikëqyrje gjatë muajve të verës, që rezultoi me qindra viktima.

Lëvizja Vetëvendosje për 15 vjet në opozitë ka ndërtuar rrëfimin e vet, narracionin e vet sipas të cilit gjithçka që kanë bërë qeveritë paraprake është bërë keq. Njësoj deklarohej edhe për marrëveshjet e arritura në Bruksel, njërës nga të cilat iu kthye këto ditë. Pra, “marrëveshjen e turpit” për targat tash e pranoi si të mirëqenë. Marrëveshja është po ajo, nuk ka ndryshuar. E vetmja që ka ndryshuar është Vetëvendosja.

Punësimet partiake e familjare dikur ishin të papranueshme për këtë parti. Por, tash qasja ka ndryshuar. Për Vetëvendosjen këto punësime janë në rregull, nëse bëhet fjalë për njerëz profesionistë. A është edhe ky keqkuptim?

Edhe qasja ndaj dialogut ka ndryshuar. Albin Kurti promovonte dialogun me serbët lokalë, përpara dialogut të nivelit të lartë në Bruksel. Tash ai është përfshirë në dialogun në Bruksel, ndërkaq dialogu me serbët lokalë as që ka filluar. Edhe ky duhet të jetë keqkuptim, sigurisht.

Siç duket të jenë “keqkuptime të qëllimshme” edhe kritikat për plot deklarata e veprime që Vetëvendosja i ka bërë sa ka qenë në opozitë, por që i ka “harruar” me marrjen e pushtetit.

Është legjitime që partitë, sa të jenë në opozitë, të kritikojnë fenomene e veprime të qeverive. Është e natyrshme, po ashtu, që në pushtet obligohen të sillen ndryshe, përbrenda disa kornizave menaxhuese e kushtetuese. Por, është jokorrekte që këto qëndrime e parime të ndërrohen thua se nuk kanë ekzistuar kurrë, pa kurrfarë shpjegimi e arsyetimi të paktën për ata që ua kanë dhënë votën për ato zotime.

Nëse Vetëvendosja tash në pushtet vepron ndryshe prej kohës sa ka qenë në opozitë, atëherë nuk ka ndryshuar opinioni publik e as opinionistët, por ka ndryshuar Vetëvendosja. Andaj përpjekjet për fajësim të të tjerëve për “keqkuptime të qëllimshme” janë dëshpërimisht të kota, janë të dështuara.