Si përfundoi Asociacioni në deklaratën e Borell dhe çfarë sinjale kishte dhënë Kurti - Gazeta Express
string(84) "si-perfundoi-asociacioni-ne-deklaraten-e-borell-dhe-cfare-sinjale-kishte-dhene-kurti"

Lajme

Gazeta Express

24/11/2022 15:35

Si përfundoi Asociacioni në deklaratën e Borell dhe çfarë sinjale kishte dhënë Kurti

Lajme

Gazeta Express

24/11/2022 15:35

Presionit të fortë diplomatik të javëve të fundit që Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe të hyjë në agjendë, Kryeministri Albin Kurti më në fund iu përgjigj me një ofertë që e shpalosi në mediumin gjerman DW gjatë këtij muaji. Kurti tha se Serbia mund ta hapë çështjen e Asociacionit në kuadër të propozimit franko – gjerman. Kjo në deklaratën e Borell u reflektua me këtë fjali: “Palët e kuptojnë që të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën në Bruksel duhet të implementohen”, u tha aty. Me këtë paragraf Brukseli dhe Serbia e mendojnë së pari Asociacionin. Mbrëmë BE forcoi pozicionin e saj duke thënë se ndërmjetësi mund t’u japë fund bisedimeve  nëse njëra palë bllokon.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti përgjatë gjithë opozitarizmit të tij një prej kauzave më të mëdha e ka pasur kundërshtimin e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Si opozitar, Kurti në protestat që organizonte theksonte më të madhe se nuk pranohet një marrëveshje e cila bosnjëzon Kosovën duke e përdorur termin “Zajednicë” për të.

Megjithatë pas ardhjes në pushtet dhe pas një insistimi të fortë ndërkombëtar që kjo temë të futet në agjendë Kurti ka dhënë sinjale. Në në një intervistë të dhënë për Deutsche Welle këtë muaj, Kurti është treguar paksa më i hapur në raport me Asociacionin.

Në këtë intervistë për mediumin gjerman, Kurti ka thënë se në kuadër të planit franko-gjerman parashihet që të diskutohen edhe çështjet që ndërlidhen me minoritetet dhe ka potencuar se Serbia mund të adresojë në kuadër të atij propozimi Asociacionin.

“Propozimi franko-gjerman, që në thelb është propozimi i Brukselit, i mbështetur së tepërmi nga Berlini dhe Parisi, por edhe nga Uashingtoni, është një bazë e mirë për vijimin e diskutimeve për marrëveshjen përfundimtare, që do të thotë normalizim i plotë mes marrëdhenieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke pasur në qendër njohjen reciproke. Do të ketë edhe detaje të tjera të kësaj marrëveshjeje, por kryesorja duhet të jetë njohja reciproke. Në këtë propozim, parashikohen gjithashtu edhe diskutimet rreth të drejtave të pakicave, dhe në këtë pikë Beogradi mund të shprehë kërkesën e tij për temën që ata e quajnë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e cila është një formë për të adresuar çështjen e pakicës serbe”, ka thënë Kurti më 11 nëntor 2022, duke shtuar më pas se s’mund të pranojë themelim të një Asociacioni mbi baza etnike.

Për këtë çështje ka folur edhe numri dy i Qeverisë, i cili nevrikoset sa herë pyetet nga gazetarët kosovarë se çfarë do të bëjë Kosova me kërkesën dhe presionin ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit.

Në një intervistë për Tëvë1, Bislimi ka thënë se Asociacioni ose siç e quan Qeveria “çështja e të drejtave të minoriteteve” të trajtohet në kuadër të pakos së përgjithshme të marrëveshjes me Serbinë.

“ Pse po bëhet pikërisht në këtë kohë, duhet me i pyet ata. Ne kemi arritur në Bruksel një sërë marrëveshjes, për të cilat s’ka pasur një tentativë që ato të rangohen sipas rëndësisë. Për dallim nga Serbia, ne marrëveshjen për Asociacion e shohim si një nga 33 marrëveshjet. Nuk themi janë 32 dhe Asociacioni. Nuk i japim rëndësi që Serbia kishte dashtë me i dhanë. Për ne është shumë me rëndësi që të drejtat e minoriteteve të jenë të mbrojtura, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi. Po ashtu kjo është e rëndësishme që kjo të trajtohet si pjesë e pakos së përgjithshme. Ky është dakordimi jonë”, ka thënë Bislimi pak ditë pas Kurtit.

Kjo lëvizje e pozicionit të Qeverisë Kurti në raport me Asociacionin është reflektuar edhe në komunikatën e lëshuar dje nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, në të cilën thuhet se Kosova dhe Serbia e kuptojnë që marrëveshjet e nënshkruar në Bruksel duhet të implementohen.

“Palët e kuptojnë që të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën në Bruksel duhet të implementohen”, thuhet në komunikatën zyrtare të Brukselit.

Një zhvillim i tillë, pra thyerja e pozicionit të ngurtë për Asociacionin dhe deklarata e Borell se palët e kuptojnë se duhet implementuar marrëveshjet e të kaluarës, vjen në një kohë kur serbët kanë lëshuar institucionet e Republikës së Kosovës dhe kushti i tyre për kthim është që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Kërkesë eksplicite për një gjë të tillë ka pasur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku thuhet se Kosova duhet të fillojë diskutimet për krijimin e Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./GazetaExpress/