Si në kohën e Gruevskit - Nxënësit shqiptarë nga Tetova sulmohen fizikisht nga tifozët maqedonas - Gazeta Express
string(94) "si-ne-kohen-e-gruevskit-nxenesit-shqiptare-nga-tetova-sulmohen-fizikisht-nga-tifozet-maqedonas"

Maqedoni

Gazeta Express

04/09/2025 11:41

Si në kohën e Gruevskit – Nxënësit shqiptarë nga Tetova sulmohen fizikisht nga tifozët maqedonas

Maqedoni

Gazeta Express

04/09/2025 11:41

Mbrëmjen e djeshme një grup maqedonasish kanë rrahur dy nxënës të shkollës ekonomike të Tetovës, të cilët kanë pësuar lëndime trupore, përcjell Gazeta Express. 

Dy nxënësit e sulmuar, në një prononcim për portalin TetovaSot theksuan se janë sulmuar nga rreth 20 tifozë të “Teteksit”, ata thanë se fillimisht ishin sharë në gjuhën maqedonase dhe më pas i kanë rrahur. 

“Shajshin, ne ecnim në punën tonë, e ktheva kokën ta shoh kush është mos është ndonjë shok i imi, eca pastaj, pastaj erdhën pas nesh, shumë ishin”, tha njëri nxënës. 

Pas sulmit ata u dërguan në Spitalin e Tetovës ku janë konstatuar lëndimet. 

Nga Spitali i Tetovës në një prononcim për Portalb.mk theksuan se rasti ishe i paraqitur në polici dhe se bëhet fjalë për dy të rinj 17 dhe 15 vjeç të cilët kanë pasur lëndime në fytyrë.

“17 vjeçari është me frakturë të eshtrave të hundës, ndërsa 15 vjeçari ka plasaritje të eshtrave të hundës, lëndime të konstatuara nga radiologu, u bëmë impoilizim të hundës te pacienti me frakturë, i shkruam terapi dhe u lëshuan në trajtim shtëpiak”, thanë nga Spitali i Tetovës.

Policia e Tetovës ende nuk ka dalë me detaje. 

Në ndërkohë, kanë reaguar partitë politike, ku kërkojnë që ky rast të zbardhet menjëherë. 

Nga BDI thanë se ky është një akt barbar, i rrezikshëm dhe i papranueshëm, që përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë në Tetovë dhe për marrëdhëniet ndëretnike në vend. 

“Kërkojmë me urgjencë nga organet e rendit dhe drejtësisë që brenda orëve të ardhshme të identifikojnë dhe të ndëshkojnë autorët e këtij sulmi. Çdo vonesë është e barabartë me nxitje të dhunës dhe dëm të sigurisë publike. U bëjmë thirrje të rinjve shqiptarë në Tetovë të mos bien pre e provokimeve”, thanë nga BDI. 

Nga Aleanca për Shqiptarët theksojnë se këto skena të dhimbshme po përsëriten edhe sot, të nxitura nga një klimë politike gjithnjë e më shumë antishqiptare.

“Bëjmë thirrje urgjente autoriteteve policore dhe gjyqësore që ky rast të zbardhet sa më shpejt, autorët të gjenden dhe të marrin dënimin maksimal.. Presim që autorët e këtij akti të dalin para drejtësisë pa vonesë. Në të kundërt, çdo dyshim i yni do të jetë i arsyeshëm se vetë politika qeveritare po i nxit këto incidente të dhunshme dhe të përgjakshme.”, thanë nga Aleanca për Shqiptarët. 

Ndryshe, pak ditë më parë, në Manastir, disa persona të panjohur rreth 20 vjeç iu afruan një personi për t’i zhveshur bluzën që kishte veshur, e cila kishte të vizatuar një kokë shqiponje në pjesën e përparme dhe të pasme.