string(71) "si-ndodhi-qe-shqiptaret-te-vendosin-zgjedhjet-ne-tri-komuna-te-gjeneves"

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 7:51

Si ndodhi që shqiptarët të vendosin zgjedhjet në tri komuna të Gjenevës?

Lajme

Gazeta Express

06/05/2025 7:51

Mobilizimi i madh elektoral i komunitetit shqiptar në Vernier, Meyrin dhe Onex (Kantoni i Gjenevës) ka nxitur një debat të fortë publik dhe politik në Zvicër. Ndërsa disa e shohin këtë fenomen si një dëshmi të integrimit demokratik dhe qytetar, të tjerë kanë ngritur shqetësime mbi instrumentalizimin politik dhe manipulimet e mundshme të procesit zgjedhor.

Të kujtojmë: Në Meyrin, pjesëmarrja e shqiptarëve ka bërë një kërcim të papritur nga 14% në vitin 2020 në 41% në vitin 2025, duke tejkaluar edhe pjesëmarrjen e votuesve zviceranë. Në Vernier, pjesëmarrja ka shkuar nga 27% në 34%. Kjo rritje e papritur ka sjellë akuza dhe dyshime serioze për manipulime dhe parregullsi zgjedhore.

Disa kandidatë të panjohur më parë kanë tejkaluar në mënyrë të pazakontë figura të njohura politike vendore. Në fund të majit pritet vendimi i gjykatës për të sqaruar këto dyshime. Deri atëherë, situata mbetet alarmante dhe ngre pyetje thelbësore: A jemi përballë një shenje pozitive të integrimit demokratik, apo kemi të bëjmë me një fenomen të rrezikshëm instrumentalizimi dhe manipulimi?

Sean Müller, profesor në Universitetin e Lozanës dhe ekspert për demokracinë direkte dhe federalizmin, e vlerëson pozitivisht këtë mobilizim duke deklaruar: “Çdo strategji që inkurajon qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës është e mirëseardhur, pasi një pjesëmarrje e lartë forcon legjitimitetin dhe stabilitetin politik”.

Ai sqaron se komunitetet emigrante, duke parë një përfaqësim më të mirë politik, ndihen më të integruara dhe të njohura në shoqërinë zvicerane. Müller paralajmëron megjithatë ndaj një përqendrimi të tepruar në përkatësinë etnike ose kulturore, duke rrezikuar kështu fleksibilitetin dhe dinamizmin natyral të debatit politik.


Dorina Xhixho, ish-anëtare e Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste të Gjenevës, ka ngritur shqetësime serioze dhe ka konfirmuar dorëheqjen e saj në lidhje me këtë çështje. Xhixho, duke folur për albinfo.ch dënon heshtjen dhe mungesën e reagimit nga strukturat drejtuese të PS-së përballë akuzave ndaj shqiptarëve për “votë komunitare”.

Sipas saj, “mungesa e një reagimi të qartë nga PS-ja ka nxitur stigmatizimin dhe delegjitimimin e shqiptarëve”. Ajo thekson gjithashtu se mentaliteti dominues brenda PS-së nuk ka mundësuar asnjëherë një përfaqësim të vërtetë të minoriteteve, veçanërisht të komunitetit shqiptar.

Xhixho kritikon ashpër hendekun mes retorikës së PS-së mbi barazinë dhe integrimin dhe realitetit të brendshëm të partisë, ku diskriminimi dhe racizmi struktural mbeten pengesa madhore. Ajo jep shembuj konkretë si zgjedhjet për Këshillin e Shtetit (Parlamentin) të Kantonit të Gjenevës në vitin 2017, ku kandidati Thierry Apothéloz u akuzua padrejtësisht për “mobilizim masiv” të shqiptarëve përmes anëtarësimeve në seksionin Vernier, ku ai ishte këshilltar administrativ.

Një situatë e ngjashme ndodhi edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2024 për Këshillin Administrativ të Bashkisë së Gjenevës, ku rreth 25 anëtarësime, kryesisht emigrantë dhe mes tyre 5 deri në 6 shqiptarë, u pezulluan padrejtësisht për të parandaluar një “votë komunitare” të supozuar. PS-ja jo vetëm që nuk reagoi, por edhe e nxiti këtë narrativë negative në media.

Xhixho përshkruan gjithashtu presionet dhe intimidimet që ajo ka përjetuar personalisht pasi ngriti këto çështje brenda partisë, duke përfshirë pasoja në jetën e saj private dhe profesionale. Një hetim i brendshëm më vonë tregoi se pezullimi i anëtarësimeve ishte i pabazuar. Sipas saj, ky është një shembull i qartë i hipokrizisë politike dhe standardeve të dyfishta.

Në letrën e saj publike të dorëheqjes, Xhixho shpreh zhgënjimin e saj të thellë ndaj PS-së, e cila tradicionalisht përfiton një mbështetje të gjerë nga komunitetet emigrante, por nuk reagoi fuqishëm ndaj këtyre diskriminimeve të brendshme, duke kontribuar kështu në një klimë të përgjithshme mosbesimi ndaj pjesëmarrjes politike të shqiptarëve.

Sandro Cattacin, profesor në Universitetin e Gjenevës, nënvizon rëndësinë e këtij mobilizimi elektoral si një hap pozitiv drejt integrimit demokratik. Ai shpjegon se zgjedhja e kandidatëve në bazë të prejardhjeve të përbashkëta është një praktikë e zakonshme dhe normale në demokraci, duke bërë krahasim me votën në favor të grave. Megjithatë, ai paralajmëron se rreziku i instrumentalizimit bëhet real kur përkatësia komunitare bëhet kriteri kryesor në zgjedhje.

Cattacin thekson përgjegjësinë e autoriteteve lokale dhe partive politike për të marrë masa të qarta për të shmangur diskriminimin dhe instrumentalizimin negativ. Ai propozon edukimin kundër racizmit në shkolla, formimin e vazhdueshëm të stafit të administratës publike mbi respektimin e diversitetit kulturor dhe politika të qarta për rekrutim që pasqyrojnë diversitetin real të popullsisë lokale, shkruan albinfo.ch. Sipas tij, këto masa do të forconin integrimin, kohezionin social dhe besimin e komuniteteve të ndryshme ndaj institucioneve publike.

Leonard Ferati, deputet socialist në Gjenevë, duke folur për albinfo.ch, e përforcon këtë perspektivë pozitive duke e konsideruar këtë mobilizim si shenjë të maturisë politike të komunitetit shqiptar. Ai refuzon fuqishëm çdo stigmatizim dhe kriminalizim të shqiptarëve, duke gjykuar se akuzat e pabaza për manipulime janë më shumë shprehje e një frike politike sesa realitet i bazuar. Ferati shton se komuniteti shqiptar thjesht po ushtron të drejtën demokratike dhe është plotësisht në gjendje të zgjedhë përfaqësuesit e vet bazuar në kompetencat dhe programet politike të tyre.

Në përfundim, ky mobilizim elektoral duhet parë si shenjë pozitive e rëndësishme e integrimit demokratik, ndërsa problemet lidhur me instrumentalizimin dhe stigmatizimin kërkojnë një qasje të kujdesshme dhe gjithëpërfshirëse nga partitë politike dhe shoqëria zvicerane, për të ruajtur kështu kohezionin social dhe për të forcuar demokracinë lokale.