Derisa Bashkimi Europian po bën përpjekje për paqe në Ballkanin Perëndimor, duhet të fokusohet që ta çojë dialogun Kosovë-Serbi përtej ngërçit aktual për të krijuar një stabilitet afatgjatë rajonal dhe për të frenuar ndikimin rus.
Shkruan: Engjellushe Morina
Dialogu Kosovë-Serbi, i nisur në vitin 2011 nën administrimin e Bashkimit Europian, është një nga negociatat diplomatike më komplekse dhe më të gjata të Europës. Kërkohet normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë (e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës) dhe Kosovës (e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008 pas shkëputjes nga Serbia). Por, inavzioni i përgjithshëm i Rusisë në Ukrainë në vitin 2022 e shtyu BE-në të bënte një përpjekje më të bashkërenduar për të nxitur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, mes frikës se Rusia mund të shtrijë ndikimin e saj gjeopolitik në Serbi dhe të destabilizojë më tej marrëdhëniet europiane. Blloku tani duhet të fokusohet në lëvizjen e dialogut Kosovë-Serbi përtej ngërçit aktual dhe në zbutjen e ndikimit rajonal rus në proces.
Në qendër të mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi është refuzimi i Serbisë për të njohur Kosovën si shtet të pavarur. Derisa disa hapa drejt normalizimit janë të mundshëm pa zgjidhjen e çështjes së sovranitetit, ajo mbetet pengesa më e rëndësishme. Propozimi i fundit i paraqitur nga përfaqësuesit specialë të BE-së, Marrëveshja Bazike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përqendrohet në përmirësimin e afinitetit mes dy palëve pa adresuar drejtpërdrejt pavarësinë e Kosovës. Mes zhvillimeve politike pas zgjedhjeve të fundit parlamentare europiane, vendet kryesore anëtare të BE-së si Franca dhe Gjermania, si dhe administrata aktuale e Shteteve të Bashkuara, vazhdojnë të mbështesin diskursin e lehtësuar nga BE-ja. Për më tepër, një përfaqësues i ri i mundshëm special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë do të emërohet në janar 2025, për të zëvendësuar emisarin aktual në detyrë Miroslav Lajçak – ndërrimi mund të gjejë një moment të rinovuar drejt gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Por niveli i besimit midis palëve është në nivelin më të ulët historik. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dialogu i udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka pësuar disa pengesa për shkak të mosmarrëveshjeve mbi vizionin e një zgjidhjeje të qëndrueshme për komunitetin serb në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit. Tani duket se Serbia nuk ka gjasa ta njohë zyrtarisht Kosovën në të ardhmen e afërt – jo vetëm për shkak të presioneve të brendshme politike, por edhe për shkak të ndikimit të aleatit të saj kryesor në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusisë. Kërcënimi i një Rusie të pakontrolluar që përhap ndikimin e saj keqdashës gjeopolitik në të gjithë Serbinë dhe rajonin, së bashku me veprimet e vendit në Ukrainë, çoi në një përpjekje të re diplomatike të udhëhequr nga BE, e cila kulmoi me Marrëveshjen e dytë Bazike të Brukselit të miratuar nga palët në shkurt dhe mars 2023.
Pavarësisht entuziazmit fillestar, marrëdhëniet janë përkeqësuar shpejt. Palët nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen, me shpresat për ndonjë zbatim të shpejtë që ka ngecur si rezultat i kësaj. Udhëheqësit e Kosovës po hezitojnë të zbatojnë një nga aspektet kryesore të saj, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe (ASM), për shkak të frikës se mos nuk po arrihet rezultati i dëshiruar (në të cilin Kosova arrin integrimin e plotë të territoreve të saj veriore dhe njohjen reciproke nga Serbia). Por Serbia dëshiron të kundërtën: dhe nëse nuk sheh vullnet nga Kosova për të zbatuar ASM-në që në fillim, atëherë nuk ka gjasa që pjesa tjetër e Marrëveshjes Bazike ketë sukses.
Në nivel kombëtar, Kosova dhe Serbia mbeten intransigjente [pa kompromis] në qëndrimet e tyre; Asnjëra nuk duket e gatshme për të ecur drejt normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe. Problemet strukturore vazhdojnë të pengojnë zbatimin e marrëveshjeve diplomatike, përfshirë propozimin e fundit të BE-së. Përderisa Kosova pretendon se pranon Marrëveshjen Bazike në tërësinë e saj, kundërshtimet kryesore të Serbisë, siç është shkruar në letrën e dërguar nga ish-kryeministrja e saj Ana Brnabiq në BE në vitin 2023, janë “njohja de fakto dhe de jure e Kosovës”. Ngjashëm, lidershipi kosovar frikësohet se sapo Serbia të “marrë atë që dëshiron” – domethënë themelimin e Asociacionit – do të heqë dorë nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Prishtina është e shqetësuar: ajo dëshiron të parandalojë ngecjen ose bllokimin e Kosovës, duke forcuar shtetësinë e saj dhe të fitojë njohje të mëtejshme ndërkombëtare. Si rezultat i këtyre dallimeve, asimetria mes dy vendeve vazhdon të rritet.
Vëzhguesit besojnë se qeveritë si në Kosovë ashtu edhe në Serbi janë në pritje të krijimit të kushteve më të qëndrueshme politike europiane dhe amerikane, të cilat mund të jenë më të favorshme për secilën nga preferencat e tyre. Serbia dëshiron kthimin e Donald Trump: ai do të nxiste shkëmbimin e territoreve dhe do të merrte veriun e Kosovës nën kontrollin serb. Nga ana tjetër, kosovarët duan që konsensusi i administratës së Bidenit të vazhdojë pasi duket më në gjendje për t’i ofruar rajonit sigurinë që i nevojitet. Pavarësisht kësaj, BE-ja është e vendosur të vazhdojë të shtyjë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, me mendimin që mbizotëron se palëve u mungon vullneti i nevojshëm politik për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo është përkundër faktit se BE-ja deri tani nuk ka qenë në gjendje – dhe nuk dëshiron – t’u ofrojë palëve perspektivën e anëtarësimit në BE. Për më tepër, tani për tani BE-ja e trajton Kosovën si ‘status neutrale’ për shkak se pesë shtete anëtare (Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja) nuk e njohin vendin si të pavarur. Jo vetëm që ky kategorizim pengon perspektivat e Kosovës për t’u anëtarësuar, por i jep Serbisë një shtysë për të punuar me “jo-njohësit” për të ruajtur status quo-në.
Si e tillë, BE-ja duhet të zhvillojë një proces dialogu të zbatueshëm për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të nxitur njohjen reciproke. Në të njëjtën kohë, në anën e Kosovës dhe Serbisë, disa çështje kërkojnë vëmendje urgjente.
Së pari, për të krijuar kushte të favorshme për paqe të qëndrueshme, BE-ja, Kosova dhe SHBA-ja duhet të ndërmarrin hapa praktikë për të përmirësuar situatën e sigurisë në terren në një mënyrë që të qetësojë popullsinë serbe lokale. Konflikti dhe incidenti i fundit e kanë dëmtuar situatën e sigurisë në Kosovë – veçanërisht në veriun me shumicë serbe– ndonjëherë duke rezultuar me vdekje. Si rezultat, forca e udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR, ka forcuar praninë e saj: së bashku me institucionet e tjera të sigurisë së Kosovës, ajo synon të krijojë një mjedis më të sigurt të brendshëm. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me popullatën serbe lokale që e sheh praninë e policisë së Kosovës në veri të vendit si një integrim me forcë. Ndërsa zhvillimi dhe mbajtja e një mjedisi efektiv të sigurisë është thelbësore, institucionet e Kosovës duhet gjithashtu të sigurojnë që të mos shfaqen si ndëshkuese për të parandaluar tjetërsimin e komunitetit serb të rajonit. Për më tepër, situata e sigurisë në dhe rreth veriut të vendit duhet të përmirësohet sapo Beogradi të fillojë të japë përgjegjësi për sulmin në Banjska.
Së dyti, integrimi i suksesshëm i serbëve të Kosovës është vendimtar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve në Kosovë, i cili mund të arrihet përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në prill, megjithatë, mungesa e pjesëmarrjes së serbëve nënkuptonte se zgjedhjet lokale dështuan. Kjo pati pasoja negative për komunitetin verior të Kosovës, i cili do të përfitonte nga integrimi i menaxhuar vetë për të lehtësuar ndikimin e aktorëve të jashtëm armiqësorë si Rusia. Institucionet politike të Kosovës duhet të sigurojnë një proces zgjedhor demokratik, ndërsa qeveria serbe duhet të përmbahet nga presioni ndaj komunitetit serb në Kosovë për mospjesëmarrje në kutitë e votimit. Për më tepër, tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022 në shenjë proteste ndaj shkeljes së supozuar të marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja krijoi një vakum në institucionet lokale të Kosovës, duke përfshirë gjyqësorin dhe policinë. Është e rëndësishme që serbët të kthehen në këto pozita për të siguruar integrimin e ardhshëm – i cili do të jetë i suksesshëm vetëm pa ndikimin keqdashës nga Beogradi.
Së fundi, pa përfitime të prekshme nga zgjerimi i BE-së, të dy vendet do të mbeten në anët e kundërta. Hyrja në BE është një motivim i rëndësishëm në mënyrë që secili vend të kuptojë perspektivën e tjetrit. Prandaj, BE-ja duhet të rivlerësojë se çfarë lloj zgjidhjeje për mosmarrëveshjen Kosovë-Serbi mund të shtrojë rrugën për një ‘ngjitje’ më të lehtë: me këtë në objektiv, mund të ndërmerret një përpjekje e përbashkët për të përmirësuar dialogun dypalësh me premtimin për arritjen e një qëllimi të përbashkët. Nëse BE-ja e bën premtimin për anëtarësim më të prekshëm, kjo mund të nxisë Kosovën dhe Serbinë për të zbatuar marrëveshjet e ndryshme të penguara më parë nga pengesat strukturore. Por, që BE-ja të jetë e besueshme në ofertën e saj për Kosovën, ajo së pari duhet të zhvillojë një mirëkuptim të përbashkët midis shteteve anëtare lidhur me mënyrën se si të trajtohet shtetësia e Kosovës – dhe t’i ofrojë Kosovës statusin e kandidatit për në BE.
Derisa BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj lehtësimit dhe ndërmjetësimit, natyra e rrënjosur thellë e konfliktit, si dhe politika nacionaliste dhe rivaliteti ndërkombëtar, do të thotë se e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi është e mbushur me sfida. Progresi në rritje në çështjet teknike si targat e regjistrimit të veturave të lëshuara nga Kosova, kartat e identitetit dhe diplomat, ka të ngjarë të vazhdojë: por pa zgjidhjen e çështjes së mosnjohjes, dialogu mund të mbetet i paplotë. Për stabilitet të qëndrueshëm rajonal, të dy vendeve do të duhet të bëjnë kompromise të vështira. Por BE-ja dhe SHBA-ja mund ta ndihmojnë Kosovën të forcojë sundimin e ligjit, sovranitetin dhe integritetin territorial në veri dhe të shtyjë për integrim më të thellë të komunitetit të saj serb. Muajt dhe vitet e ardhshme do të jenë vendimtare në përcaktimin nëse dialogu Kosovë-Serbi mund të çojë në një zgjidhje të qëndrueshme; apo nëse konflikti do të vazhdojë të hedhë hije mbi Ballkanin Perëndimor.
*Engjellushe Morina është një bashkëpunëtore e lartë e politikave në Wider Europe Programme në Këshillin Europian për Marrëdhëniet me Jashtë. Ajo punon nga zyra e ECFR në Berlin.