Vendimi i qeverisë gjermane, e udhëhequr nga kancelari Friedrich Merz, për të rritur ndjeshëm investimet në mbrojtje ka hapur dyert për kompanitë gjermane të industrisë ushtarake për të marrë fonde për zhvillimin e teknologjive të reja.
Këto kompani, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë “viktima” të politikës gjermane të mbrojtjes, që mbështetej në mbrojtjen e SHBA-së, tani po punojnë në projekte të shumta.
Ndër to është edhe “buburreca spiune”, një projekt i kompanisë Swarm Biotactics. Kjo kompani planifikon të krijojë “buburreca kibernetikë” të pajisur me “çanta shpine” të vogla të specializuara, që mundësojnë mbledhjen e të dhënave në kohë reale përmes kamerave.
Stimulimet elektrike do t’u lejonin njerëzve të kontrollojnë në distancë lëvizjen e insekteve. Qëllimi është që këta “agjentë biologjikë” të sigurojnë informacione të inteligjencës në mjedise armiqësore, siç janë të dhënat për pozicionet e armikut, raporton reuters.
“Biorobotët tanë, të bazuar në insekte të gjalla, janë të pajisur me stimulim nervor, sensorë dhe module të sigurta komunikimi. Ata mund të kontrollohen individualisht ose të veprojnë në mënyrë autonome në grupe”, tha drejtori Stefan Wilhelm.
Përveç këtij koncepti interesant, kompanitë gjermane planifikojnë gjithashtu të zhvillojnë robotë të kontrolluar nga inteligjenca artificiale, si dhe nëndetëse të vogla të telekomanduara, ngjashëm me mënyrën si funksionojnë dronët sot.
Disa nga këto kompani më të vogla tani këshillojnë qeverinë krahas kompanive të mëdha të njohura, të ashtuquajturat kompani “kryesore” si Rheinmetall dhe Hensoldt, të cilat kanë më pak nxitje për t’u përqendruar në inovacione, për shkak të porosive afatgjata për sistemet tradicionale.
Projektligji i ri për prokurimet publike, i miratuar të mërkurën nga qeveria e Merzit, synon të ulë pengesat për kompanitë e reja me fonde të kufizuara për të marrë pjesë në tenderë, duke lejuar pagesa paraprake për këto kompani.
Ligji gjithashtu do t’u mundësonte autoriteteve që të kufizojnë tenderët vetëm për ofertuesit brenda Bashkimit Evropian. /Telegrafi