Në shumë medie serbe, ka një ndjenjë të theksuar pro-ruse dhe kundër vlerave të Bashkimit Evropian. Vlerësimi i organizatës jo-qeveritare serbe CRTA tregon se për ironi të fatit, kompanitë perëndimore i financojnë këto medie përmes reklamave – duke përfshirë edhe ato gjermane.
“Rusia u detyrua të hynte në luftë”, në Ukrainë ishte kryer “spastrim etnik” dhe se Perëndimi e kishte nisur luftën në Ukrainë. Jo më pak pas kësaj qëndron presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili ka krijuar këtë peizazh mediatik në vend, nën kontrollin e tij.
Sipas CRTA-së, shumë nga mediet serbe financohen në një masë të madhe nga reklamat e kompanive perëndimore.
Nga vlerësimi i reklamave në televizionet kombëtare dhe gazetat ditore, për vitin e kaluar, del në përfundimin se rreth 63 për qind e tyre kanë ardhur nga kompanitë brenda BE-së.
“Pa paratë e kompanive perëndimore, makineria propaganduese serbe nuk do të ishte e mundur”, thotë Rasa Nedeljkov nga CRTA, raporton Gazeta Express.
Pothuajse 10 për qind e reklamave vijnë nga kompanitë gjermane
Kompanitë gjermane janë gjithashtu të përfshira në masë të madhe dhe sipas Nedeljkovit janë ndër “aktorët më të rëndësishëm në tregun serb të reklamave”, ato përbëjnë pothuajse 10 për qind të reklamave.
CRTA thekson se kompanitë private dhe ato shtetërore serbe përbëjnë së bashku 36 për qind të tregut.
Gjatë vitit të kaluar, më shumë se 10 kompani gjermane vendosën reklama me vlerë më shumë se 1 milion euro në mediet serbe. Kompania Lidl ka shpenzuar më së shumti para, së bashku me grupin që ka paguar reklama me vlerë 54 milionë euro. Më pas vjen Beiersdorf me 10.3 milionë euro, Glovo – që i përket Delivery Hero – me 5 milionë euro dhe Berlin Chemie me 3.7 milionë euro. Gjithashtu, Dr. Theiss, Bayer dhe Metro secila prej tyre paguan reklama me vlerë më shumë se 1 milion euro.
“Sipas gjetjeve tona, më shumë se gjysma e shpenzimeve për reklama të Lidl shkuan për kanalet televizive TV Pink dhe TV Happy, të cilat janë të njohura për propagandën e tyre pro-ruse dhe raportim joprofesional dhe joetik”, shton Nedeljkov.
Sipas Nielsen Television Audience Measurement, TV Pink është kanali televiziv komercial më i ndjekur në Serbi dhe nga vlerësimi i KRRT-së, kompanitë e tjera gjermane kanë vendosur reklama edhe në medie.
Imazhi i keq i BE-së në Serbi
TV Pink, krahas TV Happy, konsiderohet si një nga mediet më ekstreme në vend. Për shembull, në lidhje me luftën në Ukrainë, kryesish janë narrativat ruse ato që po shpërndahen. Pranohet dezinformimi rus për gjoja “denazifikimin” ose krimet e luftës që pretendohet se janë kryer nga ushtarët rusë në Bucha, paraqiten si manipulim. Për më tepër, NATO bëhet fajtore për luftën.
Përveç kësaj, mediet në Serbi japin një imazh të keq për BE-në. Ndër të tjera pretendohet se në BE nuk ka liri të shprehjes. Një shkrim thoshte se i vetmi “zë i arsyes” në BE ishte kryeministri hungarez Viktor Orban. Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu denigrohen rregullisht.
Mediet e tjera që kanë shtrirje të gjerë në Serbi po përhapin gjithashtu pikëpamje të ngjashme – siç janë kanalet TV Prva dhe TV B92 ose gazetat Informer dhe Večernje Novosti. Edhe këtu disa kompani gjermane kanë vendosur reklama me vlerë mbi 1 milion euro.
“Të gjitha mediet me shtrirje të gjerë, qofshin ato TV, online apo të shkruara, janë në linjë. Ka vetëm degradime”, thotë Thomas Brey, menaxher rajonal i DPA-së në Evropën Juglindore.
Deputeti i FDP-së apelon për ‘vlerat evropiane’
Anëtar i Bundestagut nga FDP-ja, Thomas Hacker u bën thirrje kompanive gjermane që të analizojnë para se të reklamojnë.
“Edhe si kompani, unë duhet të shikoj situatën botërore në të cilën ndodhemi. Dhe ju duhet të pyesni veten se çfarë lloj propagande jam duke financuar me shpenzimet e mia? Për shkak se Serbia është dukshëm më e vogël se Gjermania, madhësia e shumave është aq e lartë sa bën dallimin. Kjo është arsyeja pse kompanitë gjermane duhet të sigurohen para se të vendosin reklama në ato medie që mishërojnë edhe vlerat evropiane”, thotë Hacker.
Anëtari i të Gjelbërve të Bundestagut, Boris Mijatoviq e konsideron sjelljen e kompanive gjermane si të “dyshimta”, veçanërisht në funksion të agresionit rus në Ukrainë.
“Nuk është në interes të politikës evropiane perëndimore të mbështesë narrativat ruse me më shumë se 20 milionë euro”, thekson Mijatoviq.
Interesat ekonomike në plan të parë?
Nedeljkov ka dyshimet e tij për injorancën e kompanive, ku sipas tij kjo është për shkak të shtrirjes së këtyre medieve që i bën ato tërheqëse për reklamim nga pikëpamja e kompanisë.
Drejtoresha menaxhuese e Fondit Evropian për Ballkanin, Aleksandra Tomaniq gjithashtu i sheh kompanitë gjermane si përgjegjëse.
“Ekziston një përgjegjësi morale dhe sociale. Nuk mund të flitet për një ekonomi të tregut të lirë në Serbi nëse shikoni kushtet dhe ndikimin politik. Fatkeqësisht, thjesht Serbia nuk është një vend demokratik”, thekson Tomaniq.
Kompanitë mohojnë përgjegjësinë
Të pyetur nga “faktmbledhësi” i ARD-së, ata nuk kanë dashur të tregojnë se sa para kanë shpenzuar kompanitë vitin e kaluar për reklama në mediet serbe. Një zëdhënës i Lidl Serbia tha se vendimi se ku të vendosen reklamat merret “bazuar në metrikat e marketingut, në mënyrë që të arrijë më së miri te klientët potencial”.
“Vendimet për masat specifike të marketingut merren në nivel kombëtar ku Lidl përdor strukturat ekzistuese të medias në rrethana specifike të vendit. Ato nuk pasqyrojnë qëndrimin politik të kompanisë”, thekson ky zëdhënës.
Po ashtu, një zëdhënës i Metro Serbia tha se kompania punon me disa medie si pjesë e aktiviteteve të saj promovuese në mënyrë që të arrijë grupet e saj të synuara, duke ndjekur vetëm qëllime komerciale.
Ndërsa, një zëdhënës i Beiersdorf tha se kompania në përgjithësi reklamon në kanalet “në të cilat arrijnë shtrirjen më të madhe dhe arrijmë te konsumatorët në mënyrë efikase”. Në Serbi, kjo përfshinë edhe kanalin TV Pink. Bayer njoftoi se do të hetojë këtë çështje.
Një skandal për të cilin nuk flitet sa duhet
Përveç kompanive, veçanërisht ekspertët e shohin BE-në si një detyrim, ngase mbyllin sytë para faktit se Vuçiqi i ka vënë pothuajse të gjitha mediet nën kontrollin e tij.
“Shumë nga mediet serbe janë si një zëdhënës i zgjatur për Vuçiqin. Nuk diskutohet për opozitën”, thotë Brey.
Kjo përkon me një analizë tjetër të KRRT-së, sipas së cilës vetëm në vitin 2022 kishte 258 paraqitje të drejtpërdrejta të fjalimeve të Vuçiqit në TV Pink, tre të katërtat e kohës së lajmeve i ishin rezervuar Vuçiqit.
Tomaniq e sheh gjithashtu mosveprimin e BE-së si problemin më të madh.
“Dihet mirë se demokracia dhe liria e medieve është gërryer në Serbi. Ky është një skandal për të cilin nuk flitet sa duhet në BE dhe aq më pak po veprohet”, paralajmëron Tomaniq.
BE-ja qartazi heziton të kritikojë Vuçiqin dhe mangësitë janë të dukshme. /tagesschau.de /Gazeta Express
aaaaa