Si është të jetosh me depresion - Gazeta Express
string(31) "si-eshte-te-jetosh-me-depresion"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

14/10/2022 12:45

Si është të jetosh me depresion

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

14/10/2022 12:45

Shumë njerëz mendojnë se depresioni është thjesht një ndjejnë pikëllimi, por në fakt depresioni është gjendje shumë më e rëndë se sa emocionet që vijnë dhe shkojnë si reagim ndaj ngjarjeve të jetës.

Brikena Krasniqi Hoti

Për ata që vuajnë nga depresioni, kjo gjendje është ndjenjë e vazhdueshme e zbrazëtisë, pakënaqësisë dhe mungesës së shpresës, e cila bëhet pjesë e vazhdueshme e përditshmërisë!

Kjo gjendje e prek individin në shumë sfera te jetës: në punë, në familje dhe marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, ndërsa mund të manifestohet në këtë formë:

S’ka kënaqësi apo gëzim në jetë. Një person me depresion mund të mos kënaqet me gjërat që dikur i ka dashur dhe të ndihet sikur nuk ka interesim per asgjë. 

Përqendrimi dhe marrja e vendimeve bëhet më e vështirë. Njerëzit nuk mund të mendojnë qartë ose të ndjekin atë që po ndodh përreth.

Gjithçka duket e pashpresë: Depresioni mund t’i bëjë njerëzit të ndiejnë se nuk ka asnjë mënyrë për t’u ndjerë përsëri mirë ose të lumtur.

Vetëvlerësimi shpesh mungon: Njerëzit me depresion mund të ndihen sikur janë të pavlerë ose të dështuar në çdo gjë dhe nuk mund të shohin cilësi pozitive në vetvete.

Gjumi mund të jetë i vështirë: Të biesh në gjumë ose të qëndrosh në gjumë gjatë gjithë natës mund të duket pothuajse e pamundur.  Një person mund të zgjohet herët dhe të mos jetë në gjendje të flejë përsëri.  Të tjerët mund të flenë tepër, por sërish zgjohen duke u ndjerë të lodhur.

Nivelet e energjisë dhe vullneti për të ndërmarrë iniciativa është i ulet. Disa njerëz kanë vështirësi të ngrihen nga shtrati ose ndihen të rraskapitur gjatë gjithë kohës, edhe kur flenë mjaftueshëm dhe janë shumë të lodhur për të bërë detyra të thjeshta, të përditshme.

Disa njerëz me depresion ndihen sikur nuk duan të hanë asgjë dhe duhet ta detyrojnë veten të hanë.  Kjo mund të rezultojë në humbje peshe. Disa të tjerë mund të hanë tepër, ushqime qe u japin prehje emocionale përkohësisht, duke çuar në shtim në peshë. 

Disa njerëz përjetojnë dhimbje koke, të përziera, dhimbje trupi dhe dhimbje të tjera fizike bashke me depresion.

Disa të tjerë ndihen sikur s’ka kuptim jeta e tyre dhe mund të kenë mendime për të lënduar veten apo për t’i dhënë fund jetës!

Kjo gjendje mund të trajtohet me psikoterapi, e cila mund t’ua lehtësojë vuajtjen dhe barrën e rënde emocionale qe ua shkakton depresioni. Në disa raste më të rënda nevojitet edhe trajtimi me medikamente nga psikiatri. Vetë gjendja e depresionit e bën të vështirë të kërkosh ndihmë, por nuk është e pamundur të bësh hapin e parë!