Edhe pas më shumë se tri dekadash martesë, Michelle dhe Barack Obama vazhdojnë të jenë shembull i dashurisë dhe respektit në çift.
Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara ka treguar se sekreti i një lidhjeje të gjatë nuk qëndron tek gjestet e mëdha, por tek momentet e vogla, të sinqerta dhe plot dashuri.
Në një intervistë të fundit për revistën prestigjioze “People”, Michelle u shpreh se ajo dhe Baracku kanë krijuar një ritual romantik që i ndihmon të ruajnë lidhjen dhe afërsinë mes tyre, pavarësisht viteve, angazhimeve dhe ndryshimeve të jetës.
“Jemi të martuar prej 32, 33 vitesh… gjithmonë harroj. Kush po numëron më? Kur të dy jemi të lumtur për një dalje në mbrëmje, jemi mirë,” – tha ajo me humor.
“Nuk vishemi shumë bukur, thjesht hamë një darkë të këndshme, ndezim qirinj, dëgjojmë muzikë dhe flasim.”
Michelle tregoi se tani, pas shumë vitesh përvojë dhe rritjeje së bashku, daljet e tyre janë më të thjeshta, por më të kuptimta se kurrë. Shpesh zgjedhin të hanë darkë në Washington, ku jetojnë pas daljes nga Shtëpia e Bardhë, larg zhurmës së eventeve zyrtare dhe vëmendjes mediatike.
Ajo kujtoi me nostalgji kohën kur ndodhej në qendër të vëmendjes, si Zonjë e Parë:
“Në ato evente, çdo herë ishte si dasma jonë. Ndihesha si mbretëresha e mbrëmjes së maturës,” – tha Michelle me të qeshur.
Por ajo shtoi se edhe gjatë viteve në Shtëpinë e Bardhë, ruante një ritual të vogël romantik me bashkëshortin:
“Kishte një ritual të pathënë – ai nuk e dinte kurrë se çfarë kisha veshur derisa dola para tij. Ishte një surprizë e vogël, një mënyrë për të mbajtur gjallë romancën. Ato momente të vogla kanë shumë rëndësi në këtë botë të çmendur.”
“Pas kësaj, ne zbrisnim shkallët dhe ishte sikur t’i thosha vetes: ‘Thjesht qëndro në këtë moment’. Ishim vetëm ne dhe ishte e bukur,” – përfundoi ajo me emocion.
Michelle dhe Barack Obama janë të martuar që nga viti 1992 dhe janë prindër të dy vajzave, Malia dhe Sasha Obama. Çifti vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën me mënyrën se si e ndërthurin dashurinë, respektin dhe partneritetin në çdo aspekt të jetës së tyre. /GazetaExpress/