Si e komenton opozita arrestimin e Henri Çilit, flet Gazmend Bardhi - Gazeta Express

Si e komenton opozita arrestimin e Henri Çilit, flet Gazmend Bardhi

Shqiperi

Gazeta Express

28/02/2020 22:30

Ndalimi i botuesit Henri Çili është komentuar mbrëmjen e sotme edhe në studion e “Zonë e Lirë” në Tv Klan.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, i ftuar në studio, ka thënë se arrestimi i Çilit është bërë me urdhër-ndalimit të prokurorit dhe nuk ka një vendim gjykate për t’u hetuar në masën arrest në burg.

Sipas Bardhit, do të duhet të shihen provat që ekzistojnë për këtë dosje.

Arian Çani: Pyetja që shtrohet në ekran është: Po me Henri Çilin ç’patën? Sigurisht që shumë njerëz në këtë qytet prej shumë vitesh, unë, Curri e kemi njohur Çilin nga afër, kemi kaluar ditë pafund dhe orë të gjata të mbrëmjes sepse ai mbi të gjitha ka qenë dhe është gazetar, pavarësisht se ai nuk është arrestuar si i tillë. Lajmi na erdhi që në mëngjes. Gazi, unë do doja të dija, kur pe dhe more vesh akuzat që rëndojnë mbi Çilin, ç’ndjesi pate. Henri Çili, duhet është thënë, është një person që edhe po të ishte i pa arrestuar, po ta merrnin në telefon t’i thoshin Çili je i arrestuar, Çili do paraqitej, nuk është nga ata njerëz që mund t’i iki drejtësisë.

Gazment Bardhi: Unë nuk e njoh personalisht, por kur bëhet fjalë për një figurë publike sigurisht që lajmi tërheq vëmendje. Kam ndjekur deklaratën e drejtuesve të Policisë së Shtetit. Ishin akuza të rënda. Sigurisht nuk duhet të nxitohemi për të etiketuar individë të caktuar si kriminelë apo jo. Në parim, cilido që ka kryer një krim do duhet të përgjigjet për krimet që ka kryer, por kjo është një çështje që duhet të trajtohet në rrugë gjyqësore. Unë nuk mund të jap një opinion mbi çështjen, sa kohë nuk kam parë dosjen dhe ka shumë pak elementë që media ka pasqyruar lidhur me këtë çështje. Pra ka vetëm veprat penale për të cilat akuzohet, u dukte sikur ishte gjithë Kodi Penal aty brenda. 6 vepra penale të rënda.

Arian Çani: Deri tani ne dimë që ka pasur vetëm përgjime. Në Shqipëri, a mund të të arrestojnë vetëm sepse je përgjuar? Pra, përgjimet janë të ligjshme?

Gazment Bardhi: Bëhet fjalë për urdhër-ndalimi nga organi i Prokurorisë. Pra nuk ka një vendim gjykate për ta hetuar në masën e arrestit me burg.

Arian Çani: Është përgjimi provë?

Gazment Bardhi: Përgjimi është indicie që të çon tek prova. Pra, varet nga lloji i përgjimit.

Arian Çani: Po ne s’dimë ka prova apo jo?

Gazment Bardhi: Nuk dimë se ne nuk kemi parë dosjen.