Albin Kurti në pozitën e kryeministrit dhe Albin Kurti me megafon në rrugë pa kravatë, s’po e shohin njëjtë marrëveshjen me Serbinë 7 vjet pas marrëveshjes Kosovë -Serbi. Të njëjtën marrëveshje të cilën Kurti e kundërshtonte me gjuajtje vezësh më 2015, e pranoi dje në Bruksel zëvendësi i tij, natyrisht me bekimin e Kurtit.
Ai sot në institucionin më të lartë ligjvënës të Kosovës, “marrëveshjen që ka qenë aty” e prezantoi si ndalje të “gjakderdhjes financiare” shkruan Gazeta Express.
“Pas më shumë se 20 viteve buxhetit të Kosovës do t’i kursehen miliona euro në vit, pasi 4 komunat në veri do të kalojnë në pagesat e rrymës. Udhërrëfyesi e mundëson këtë, kurse BE-ja do ta mbikëqyrë atë, dhe me këtë përfundon problematika e mos pagesës së rrymës. Kemi trashëguar shumë gjëra që s’kemi dashur, po bëjmë më të mirën me atë që kemi trashëguar, pra pas 20 viteve po e ndalim një gjakderdhje financiare në atë pjesë të vendit”, tha ai.
Për ta arsyetuar ujdinë me Serbinë në fushën e energjisë, Kurti përdori “armën” e tij më të fortë, lojën e fjalëve.
Ai e pranoi se po e pranon realitetin, por që s’ka mundësi më të mira se aq.
“Nuk kam mundësi të tjera më të mira se kaq, minimumi i pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të realitetit”, u arsyetua Kurti para deputetëve.
Marrëveshjen që e kundërshtoi e që pas 7 viteve e nënshkroi, shefi i qeverisë Albin Kurti, nuk po e cilëson si ndërrim qëndrimesh.
“Unë nuk kam ndryshuar as koncept as qëllime, as qëndrime, mirëpo kam metoda të cilat për konceptin dhe qëllimin e njëjtë bëjnë më të mirën e mundshme në kohën që është e ngopur me trashëgimi të mbrapshta”, tha Kurti.
Edhe pse kompania “Drustvo Elektrosever D.O.O” është pronë e shtetit të Serbisë, për kryeministrin Kurti ajo është kompani e zakonshme si gjithë të tjerat që bënë furnizimin me rrymë.
“Si çdo kompani tjetër të furnizimit të energjisë do të kemi edhe në veri që operon nën korrnizën ligjore të Republikës së Kosovës. Edhe licencimi është i kushtëzuar, së treti, marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 nuk janë të mira, së katërti gjendja në terren është shumë më keq se marrëveshjet e këqija. Prandaj ne kemi bërë udhërrëfyesin më të mirë të mundshëm në këtë kontekst politik”, u shpreh Kurti në arsyetimin e radhës para ligjvënësve.
Në bazë të Udhërrëfyesit që e ka nënshkruar dje qeveria e Albin Kurtit “Elektrosever” do të licencohet nga ZRrE-ja. Kjo e fundit do ta shqyrtojë licencimin të premten në mbledhjen e radhës.
Çfarë ndodhi më 2015 në Kuvendin e Kosovës
Derisa ish-kryeministri Isa Mustafa, më 22 shtator 2015 po raportonte në Kuvend për marrëveshjet e arritura në Bruksel përfshirë edhe marrëveshjen e djeshme për energjinë, deputetët e Vetëvendosjes fillojnë ta gjuajnë me vezë atë e më pastaj edhe pjesën tjetër të Kabinetit qeveritar.
Në sallë futet sigurimi i Kuvendit e më pastaj kryetari i atëhershëm i Kuvendit, Kadri Veseli i çon deputetët në pauzë.
Çfarë ndodhi dje e sot
Dje, qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti u dakordua me Serbinë të nënshkruajë Udhërrëfyesin Zbatimit të Marrëveshjen për Energjinë që ishte arritur në Bruskel qysh më 2013 përkatësisht 2015. Emisari i BE-së, Lajçak që ka ndërmjetësuar marrëveshjen e nënshkruar nga Bislimi e Petkoviq, ka publikuar Udhërrëfyesin me pikat. Udhërrëfyesi me 9 pika, parasheh, licencimin e “Elektrosever”, kompani e shtetit serb që të operojë në veri të Kosovës. Sot, kur Kurti doli në foltoren e Kuvendit për të folur për marrëveshjen me Serbinë, nuk u gjuajt me vezë nga opozita. Atij ia rikujtuan veprimet që kishte ndërmarrë karshi marrëveshjes që e aprovoi vet.