Si e arsyetoi Apeli lirimin e 5 policëve të dyshuar për "vrasjen nga pakujdesia" të Agon Zejnullahut - Gazeta Express
string(98) "si-e-arsyetoi-apeli-lirimin-e-5-policeve-te-dyshuar-per-vrasjen-nga-pakujdesia-te-agon-zejnullahut"

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 19:49

Si e arsyetoi Apeli lirimin e 5 policëve të dyshuar për “vrasjen nga pakujdesia” të Agon Zejnullahut

Lajme

Gazeta Express

31/07/2025 19:49

Gjykata e Apelit përmes vendimit të 31 korrikut 2025 ua ka ndërprerë masën e paraburgimit pesë të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, që dyshohen se kanë kryer vepër penale “vrasje nga pakujdesia” ndaj 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

Apeli ka konstatuar se rreziku i përsëritjes së veprës penale, për të cilën bazë është caktuar masa e paraburgimit nga gjykata e shkallës së parë, është e pabazuar dhe aspak nuk ka të bëjë me rrethanën në të cilën është thirrur gjykata e shkallës së parë “raporteve të acaruara mes familjarëve të të dëmtuarit dhe të pandehurve“.

Sipas vendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, me aprovimin e ankesave të mbojtësve të pesë të dyshuarve, Apeli ndryshoi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Dega në Lipjan, duke ua ndërprerë masën e paraburgimit të dyshuarve për t’u mbrojtur në liri.

Mbrojtja e pesë të dyshuarve, avokatët: Valdet Zeqiri, Urim Vokshi, Blendi Bekteshi, Flamur Bllacaku dhe Besnik Berisha, kishin ushtruar ankesë ndaj vendimit të Themelores të marrë në rivendosje.

Ankesat u parashtruan për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale, mosplotësimit të kushteve ligjore për caktimin e paraburgimit dhe për shkak të shkeljes së të drejtës për liri dhe siguri të garantuar me Kushtetutë, duke propozuar që paraburgimi të ndërpritet.

Ndërkaq, Prokuroria e Apelit me parashtresë kishte propozuar që ankesat e mbrojtësve të refuzohen si të pabazuara dhe të vërtetohet vendimi i ankimuar.

Pas shqyrtimit të pretendimeve ankimore, analizimit të aktvendimit të ankimuar, Apeli gjeti se ekziston dyshimi i bazuar, ndërsa nuk është plotësuar kushti i veçantë i rrezikut të përsëritjes së veprës penale.

Gjetjet e Apelit për dyshimin e bazuar:

Sipas Apelit, shkalla e parë veproi sipas rekomandimeve të Kolegjit të Apelit me rastin e kthimit të rastit në rivendosje, pasi ka analizuar provat relevante, sidomos deklarimin e dëshmitarit okular G.B., i cili ka përshkruar çdo lëvizje të tani të ndjerit në natën kritike, tentimin që ta qetësojë dhe veprimet e zyrtarëve policorë.

Shkalla e dytë po ashtu thekson se provë tjetër që Themelorja e analizoi dhe vlerësoi në hollësi sipas rekomandimeve nga Kolegji i Apelit është edhe CD-ja me video-incizimin ku shihen veprimet e të pandehurve.

“…shihen veprimemt inkriminuese të pandehurve se ditën kritike kanë vepruar dhunshëm në kundërshtim me rregullat e brendshme të policisë ku qarte shihen veprimet e secilit të pandehur”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Aty thuhet se dyshohet se si pasojë e veprimeve të pakujdesshme të të pandehurve, Agon Zejnullahu kishte ndërruar jetë gjatë arrestimit.

Sipas Apelit, ku krahasohen dëshmia e dëshmitarit G.B., dhe video-incizimi, përputhen me njëra-tjetrën plotësisht, por edhe raporti mjekësor i 7 korrikut 2025 për tani të ndjerin Agon, i përpiluar nga mjekja.

“… ku konstatohet se është parë pacienti nën prezencën e policisë në pozitën e ulur me kokë poshtë i prangosur duke u mbajtur nga policia dhe ne vendin e ngjarjes me rastin e ekzaminimit fizik është konstatuar se pacienti është pa shenja jete, pa vetëdije dhe pa puls”, thuhet në vendimin e Apelit.

Kjo Gjykatë vlerëson se këto prova janë relevante për rastin, të besueshme- pasi rruga e sigurimit të tyre është në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale dhe si të tilla kanë fuqi provuse për vërtetim të fakteve relevante në këtë rast.

Po ashtu, Apeli thekson se përmes këtyre provave është arritur të bëhet individualizimi i secilit veprim të të pandehurve me të cilat vërtetojnë tani për tani standardin e dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale.

“Nga këto prova mbi bazën e të cilave individualizohen veprimet e secilit të pandehur e bindin çdo vëzhgues objektiv që një vepër penale ka ndodhur dhe personat në fjalë ka shumë gjasa që ta kenë kryer veprën penale dhe se ky dyshim është i mbështetur në prova të artikulueshme siç janë elaboruar në hollësi”, thuhet në vendim.

Apeli ka vlerësuar faktin se të pandehurit ishin persona zyrtarë- policë të trajnuar në trajnimet më të avancuara në Akademinë Policore të Republikës së Kosovës, të trajnuar në aspektin teorik dhe praktik, të ushtruar praktikisht e posaçërisht për aspektin deri në cilin nivel duhet përdorur forca kur paraqitet nevoja, e veçanërisht kujdesi i shtuar për pjesët më vitale të trupit të njeriut, sidomos koka dhe qafa.

“…përkundër kësaj zyrtarët policorë e sidomos i pandehuri Artidon Konxheli dy herë radhazi ia vënë gjurin në pjesën e qafës i tejkalon autorizimet duke përdorur forcën ndërsa të pandehurit tjerë duke e parë një veprim të vendosjes së gjurit në qafë nga kolegu i tyre, ndërmarrin veprimet siç janë individualizuar më sipër ashtu që të gjithë të pandehurit të vetëdijshëm se me veprimet e tyre mund të vij deri te pasoja e ndaluar pra mund të shkaktohet si rezultat i veprimeve të tyre por me mendjelehtësi mendojnë se ajo nuk do të shkaktohet, apo se ata do të mundë të parandalojnë shkaktimin e saj”, thuhet më tutje në vendim.

Andaj, Apeli gjen se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit dyshohen se kanë kryer vepën për të cilën dyshohen.

Gjetjet e Apelit lidhur me bazën e veçantë për caktimin e masës së paraburgimit:

Kolegji i Apelit gjen se kërkesa e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ishte vetëm sa i përket rrezikut të përsëritjes së veprës penale. Rrjedhimisht, thuhet se në këtë situatë, Themelorja nuk mundi ta tejkalojë kërkesën e Prokurorisë lidhur me kushtin e veçantë- elementin e rrezikut të përsëritjes së veprës, të cilën edhe e ka aprovuar.

Sipas Apelit, kur erdhi tek pjesa e konkretizimit të elementeve, gjegjësisht materializimit konkret të tyre si rrethanë konkrete për rrezik të përsëritjes së veprës penale, Themelorja ka konstatuar faktin e “raporteve të acaruara mes familjarëve të të dëmtuarit dhe të pandehurve“, që sipas Apelit, rezulton se masa e paraburgimit u caktua për t’iu shmangur këtij acarimi dhe jo për faktin se për të pandehurit është vërtetuar ndonjë rrethanë konkrete e cila si e tillë vërteton faktin se ata po të lihen në liri do të përsërisin veprën penale.

Në rastin konkret, Apeli gjen se nuk janë paraqitur asnjë nga rrethanat si: sjellja e mëparshme e të pandehurve me ambientin dhe kushtet nën të cilat jetojnë ose ndonjë rrethanë tjetër personale.

“Për më tepër kjo dispozitë nuk e ndërlidhë pasojën e veprës penale që është marr si rrethanë nga gjykata e shkallës së parë”, arsyeton Apeli.

Gjykata e Apelit vlerëson se në rastin konkret, nuk mund të dëshmohet se të pandehurit kanë ndonjë karakteristikë personale e cila do të veçohej si e tillë dhe do të dëshmonte rrezikun e përsëritjes së veprës penale nga ana e të pandehurve e as sjellja e mëparshme e tyre.

Më tej, thuhet se nuk evidentohet se ka ndonjë evidencë për çfarëdo sjellje jashtë rregullave ligjore, as ambienti dhe kushtet në të cilat jetojnë. Apeli thekson se meqenëse zyrtarët policorë janë të suspenduar, në asnjë mënyrë nuk mund të ushtrojnë detyrën e zyrtarëve policorë dhe se konstatimi se mund të përsërisin veprën penale del të jetë hipotetik.

“Lidhur me bazën e veçantë- rrezikun e përsëritjes së veprës penale për të cilën bazë është caktuar masa e paraburgimit nga gjykata e shkallës së parë, e njëjta vlerësohet se është e pabazuar dhe aspak nuk ka të bëjë me rrethanën në të cilën është thirrur gjykata e shkallës së parë “raporteve të acaruara mes familjarëve të të dëmtuarit dhe të pandehurve” për faktin se kjo rrethanë nuk kërkohet me dispozitën konkrete ligjore dhe si e tillë është e përgjithësuar pa e veçuar ndonjë rrethanë konkrete që ndërlidhet me të pandehurit e që si e tillë kishte me paraqitur rrezik për përsëritje të veprës penale”, konstaton Apeli.

Në fund, Apeli thekson se vetëm dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën peneale në rastin konkret nuk mjafton për caktimin e masës së paraburgimit nëse nuk vërtetohen rethana konkrete për bazat e veçanta për caktimin e masës.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan më 9 korrik 2025 ua kishte caktuar paraburgimin për një muaj pesë të dyshuarve.

Kurse, Gjykata e Apelit– Departamenti i Përgjithshëm më 17 korrik 2025 kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të dyshuarve- rreshterit Ibrahim Nela dhe zyrtarëve policorë: Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, dhe sipas detyrës zyrtare kishte anuluar aktvendimin e Themelores.

Edhe në rivendosje, Themelorja më 23 korrik 2025 kishte vendosur sërish që të dyshuarit të mbeten në paraburgim. Ndaj këtij vendimi, ishte ushtruar ankesë në Apel më 25 korrik 2025.

“Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht mbi vendimin fillestar të Gjykatës Themelore për caktimin e masës së paraburgimit, Dosjen e Prokurorisë dhe deklarimin e të dyshuarve në Prokurori. /BetimipërDrejtësi