Zyra e presidentit francez Emmanuel Macron ka komentuar një video të publikuar, ku dukej se bashkëshortja e presidentit Briggite, “e godet” atë në fytyrë, ndërsa çifti ishte duke mbërritur në Vietnam, një turne në Azinë Juglindore.
Në video, Brigitte Macron duket se e shtyn burrin e saj “me shuplakë në fytyrë,” përpara se ai të zbriste nga aeroplani presidencial, duke bërë që ai të tërhiqej një hap pas. Ajo duket se për një moment mbetet e fshehur, derisa më pas çifti dalin bashkë.
Megjithatë, kjo video e cila po bën tituj në media, është komentuar dhe minimizuar nga një zyrtar i Pallatit Elysee, duke thënë se: “Ishte një moment relaksi mes presidentit dhe bashkëshortes së tij, përpara nisjes së vizitës – një çast humori.”
Sipas Reuters, ai ka shtuar, se pamjet tregojnë vetëm, “një moment afërsie.”
Vizita e Macron në Vietnam – e para nga një president francez në pothuajse një dekadë – vjen ndërsa ai synon të rrisë ndikimin e Francës në ish-koloninë e saj.
Ndërkohë, Vietnami, me një ekonomi të orientuar fort nga eksportet, ka bërë lëshime ndaj SHBA-së në negociatat tregtare për të shmangur tarifat 46%. Megjithatë, Brukseli ka shprehur shqetësime se përpjekjet e Vietnamit për të blerë më shumë mallra amerikane mund të shkojnë në dëm të Evropës.