Shumica e institucioneve dhe agjencive të pavarura në paralizë - qeveria dhe moskonstituimi i Kuvendit përgjegjës - Gazeta Express
string(111) "shumica-e-institucioneve-dhe-agjencive-te-pavarura-ne-paralize-qeveria-dhe-moskonstituimi-i-kuvendit-pergjegjes"

Gazeta Express

13/08/2025 23:23

Shumica e institucioneve dhe agjencive të pavarura në paralizë – qeveria dhe moskonstituimi i Kuvendit përgjegjës

Gazeta Express

13/08/2025 23:23

Më shumë se gjysma e institucioneve dhe agjencive të pavarura në Kosovë aktualisht janë pa borde funksionale. Nga 31 institucionet që Kuvendi ua zgjedh bordet, vetëm 14 kanë përbërje të plotë, derisa 17 të tjerat kanë mungesë të anëtarëve të bordeve. Në disa prej tyre, vendet janë bosh që nga viti 2021 e 2022.

Përgjegjësia për këtë “paralizë” bie mbi Qeverinë dhe mungesën e konstituimit të Kuvendit. Në këto rrethana është bllokuar vendimmarrja strategjike, janë bllokuar projektet dhe është rrezikuar funksionimi normal i sektorëve kyç- përfshirë mbikëqyrjen e shërbimeve publike, menaxhimin e pronës, konkurrencën në treg, median, energjinë, transportin, prokurimin publik dhe shumë të tjera.

Kuvendi i Kosovës përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka treguar se mungesë të anëtarëve të bordeve kanë institucionet/agjencitë si: Avokati i Popullit, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Agjencia Kosovare e Pronës – Komisioni për Kërkesa Pronësore, Agjencia Kosovare e Pronës – Komisioni për Verifikimin dhe Vendosje për Prona, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale, Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare e Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Në gjendje të njëjtë janë edhe Komisioni i Pavarur për Media, Bordi Ankesave të Mediave, Radio Televizioni i Kosovës, Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës, Bordi i Ndërmarrjes KOSTT Sh.a, Komisioni për Ndihmë Shtetërore, Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave.

Komisioni për Ndihmë Shtetërore është pa kryesues dhe katër anëtarë që nga 07.03.2022.

“Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës nga data 12 korrik 2022 dhe 16 janar 2025 është pa dy (2) anëtarë, pas dy dorëheqjeve” – thuhet mes tjerash në përgjigjet e Kuvendit të Kosovës.

Ngjashëm Avokati i Popullit që nga 14.06.2025 është pa katër zëvendës-avokatët, kurse vet Avokatit të Popullit i skadon mandati më 28.09.2025.

Gjendja në mekanizmat e pavarur

Sipas të dhënave zyrtare nga Kuvendi, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave është pa Bord që nga 21 korriku 2021, pas shkarkimit të katër anëtarëve. Edhe Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është pa një anëtar të Bordit që nga datat 28 tetor 2022 dhe 13 korrik 2023, siç është KRPP pa kryetar të Bordit që nga 2 nëntori 2023.

KPMSHC ka vetëm katër anëtarë nga 15 sa do duhej t’i kishte, ndërkaq KPMM nga 26.10.2023 është pa dy anëtarë. ARKEP nga 30.08.2023 është pa një anëtar të Bordit, kurse AKP nga 06.08.2025 është pa gjashtë anëtarë të Bordit. BAM, në anën tjetër, nga 29.10.2023 është pa dy anëtarë, njëjtë si KPM e cila nga 21.01.2025 nuk ka dy anëtarë të Bordit. Sipas Kuvendit aplikacionet janë dorëzuar në Kuvend dhe janë në pritje për procedim.

RTK po ashtu nuk ka përbërjen e plotë dhe ka mungesë kuorumi për marrje të vendimit. Edhe për RTK-në aplikacionet janë dorëzuar në Kuvend dhe janë në pritje për procedim. KOSTT nga 24.10.2024 dhe 29.10.2024 është pa dy anëtarë. Komisioni Shqyrtues i Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit nga 17.06.2024 është pa kryesues. Agjencia Kosovare e Pronës, edhe pse është i përcaktuar me ligj, anëtarët nuk janë emëruar.

Krejt këto sipas Kuvendit kanë ndodhur për shkak të Qeverisë dhe moskonstituimit të Kuvendit. “Arsyeja e mosplotësimit të bordeve të institucioneve dhe agjencive të pavarura, sipas ligjeve përkatëse është në mandatin e propozuesit- Qeverisë, dhe moskonstituimit të Kuvendit” – deklaron Kuvendi në përgjigje zyrtare.

Pasojat nga mungesa e bordeve

Mungesën e Bordeve e sheh si problematike Drejtoresha Ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Arbëreshë Loxha-Stublla.

“Mungesa e bordeve ndikon në pamundësinë për të marrë vendime strategjike, për të ushtruar mbikëqyrje si dhe për të siguruar transparencën dhe llogaridhënien institucionale. Në mungesë të tyre, institucionet kalojnë në një gjendje stagnimi, rrezikohet efikasiteti dhe preken sektorë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe shërbimet publike” – ka deklaruar Loxha-Stublla për KALLXO.com.

Tutje ajo ka shtuar se pasojat e mungesës së bordeve janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga mungesa e shërbimeve publike, stagnimi ose ndërprerja e projekteve e deri tek krijimi i hapësirës për keqpërdorime.

“Duke qenë se fjala është për institucionet e pavarura që janë nën ombrellën e Kuvendit të Kosovës, kjo gjendje do të zgjasë deri në konstituimin e Kuvendit. Një ndër pasojat e mungesës së organit legjislativ, është pra edhe kjo situatë e krijuar me këto institucione. Megjithatë, pasi Kuvendi të konstituohet, në rast se kjo ndodh, Kuvendi duhet menjëherë të nisë procedurat administrative sipas ligjit dhe të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të kapërcyer këtë situatë, duke shmangur çdo vonesë shtesë” – ka sqaruar tutje ajo.

Bllokimi i vendimmarrjeve

Mexhide Demolli-Nimani, Drejtoreshë Ekzekutive e Lëvizjes Fol, për KALLXO.com deklaron se kur bordet e institucioneve dhe agjencive të pavarura mungojnë, atëherë bllokohen proceset e vendimmarrjes, vendimet për buxhetin, projektet strategjike dhe ato që kërkojnë miratimet zyrtare për kontrata, marrëveshje apo fonde ndërkombëtare.

“Si rezultat i këtyre, dobësohet llogaridhënia, mungon kontrolli mbi drejtuesit ekzekutiv, dhe rritet rreziku për keqmenaxhim” – ka deklaruar Demolli-Nimani.

Më pas, ajo ka listuar edhe pasojat nga mosfunksionimi i këtyre institucioneve, duke nisur nga  rënia e besimit të qytetarëve, humbja e mundësive ekonomike- siç janë projektet investuese, donacionet apo partneritetet ndërkombëtare, pastaj rritja e ngarkesës ligjore pasi që palët e prekura mund t’iu drejtohen gjykatave për mosveprim dhe kështu rëndohet edhe sistemi gjyqësor me lëndë.

“Në thelb, situata mund të zgjasë edhe me vite për shkak të boshllëqeve ligjore dhe mungesës së afateve detyruese, ndërsa përgjegjësia mbetet kryesisht tek Qeveria, Kuvendi dhe vetë institucionet që nuk e nisin procesin me kohë. Si rezultat, kjo bën që, edhe kur bordet funksionalizohen, rreziku për përsëritjen e bllokimeve të mbetet i lartë” – ka përfunduar ajo.

Kuvendi i Kosovës, në përgjigjen me shkrim për KALLXO.com ka treguar edhe cilat institucione/agjenci të pavarura kanë bord të plotë dhe funksional.

Agjencia për Informim dhe Privatësi, Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, Zyra e Rregullatorit për Energji, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Zyra Kombëtare e Auditimit, Trusti i Kursimeve Pensionale, Këshilli Kombëtar i Shkencës janë disa nga institucionet që kanë funksionalitet.

Kësaj liste i bashkohen edhe Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Komisioni për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, Këshilli Shtetëror i Cilësisë -së Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Agjencia Kosovare e Pronës- Sekretariati Ekzekutiv, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, Agjencia Kosovare e Pronës- Komisioni për Kërkesa Pronësore dhe Agjencia Kosovare e Pronës- Bordi Mbikëqyrës.

Seanca konstituive kishte filluar më 15.04.2025.

Lëvizja Vetëvendosje e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka propozuar gjashtë herë Albulena Haxhiun për Kryekuvendare. Por, asnjëherë ajo nuk mori votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.

Si rrjedhojë vendi vazhdon të jetë pa Kuvend dhe me Qeveri në detyrë, kompetencat e të cilës janë të kufizuara./Kallxo.com