Shukrije Ramadani kritikon politikanët: E dhimbshme t’i shohim interesat meskine, shumë të ulëta - Gazeta Express
string(93) "shukrije-ramadani-kritikon-politikanet-e-dhimbshme-ti-shohim-interesat-meskine-shume-te-uleta"

Lajme

Gazeta Express

09/04/2026 20:54

Shukrije Ramadani kritikon politikanët: E dhimbshme t’i shohim interesat meskine, shumë të ulëta

Lajme

Gazeta Express

09/04/2026 20:54

Në 27-vjetorin e Betejës së Koshares, një nga përballjet më të lavdishme të luftës së UÇK-së, Shukrije Ramadani, bashkëshortja e komandantit të Brigadës 138, Agim Ramadani rikujton me krenari dhe mall bashkëshortin e saj, i rënë për idealin e lirisë.

Ajo sot si një grua e një heroi ka kritika për partitë politike duke thënë se po vendosin para interesit të shtetit interesat e tyre të vogla.

Për këtë ajo bënë thirrje që të mos ruhet pushteti, por shteti pasi,  siç u shpreh, shteti është i përhershëm e pushteti i përkohshëm.

“Këto për neve dëshmorëve dhe familjarëve janë shumë të dhimbshme, ngase i shohim si interesa meskine shumë të ulëta se është interes me i madh të ruajmë këtë shtet mbi gjakun e më të mirëve tanë. Duhet t’i lëmë interesat e vogla anash, të shikojmë interesin e madh, mos ta ruajmë pushtetin, por ta ruajmë shtetin. Shteti është i përhershëm, pushteti është i përkohshëm. Çdo herë andaj le ta shohin si të përkohshëm dhe le ta shohin shtetin si të përhershëm. Dhe e di janë nga vota jonë këta njerëz, por shpresoj vërtet t’i binden votës dhe dashurisë sonë aq sa i deshëm ne, të na duan edhe ata. Shumë shpresoj në këtë ngase një dashuri është më e madhe: atdheu dhe shteti ynë”, tha ajo.

Duke folur për dashurinë e saj për komandantin,Agim Ramadani, i njohur me nofkën Katana, bashkëshortja e tij për KosovaPress rrrëfen se çdo ditë tash e 27 vjet nga rënia e tij ka qenë e vështirë dhe e tillë do të jetë deri në momentin kur të vdes.

Por, Shukrije Ramadani shpreson që do të lartësohen idealet e të rënëve për liri, pasi, sipas saj, vetëm të bashkuar mund të fitojmë e assesi duke sharë njëri-tjetrin.

“Ai ka qenë dashuria ime e vetme në jetë, ka qenë shoku, me të cilin jam rritur nga shkolla fillore e deri në fakultet. Ka rënë shoku im, nuk ka qenë vetëm bashkëshorti im dhe nuk është asnjë hap i lehtë gjatë këtyre 27 vjetëve dhe e di deri në fund… Por me shpresën se vërtet ato ideale do të lartësohen, do të punojnë për to, do t’i realizojmë, ashtu siç deshën, jo vetëm Agimi im, por gjithë Agimët që kanë rënë për liri dhe shumë shpresoj që kjo të bëhet një mësim për ditët e sotme që të bashkuar mund të fitojmë e assesi duke sharë e shtyrë njeri-tjetrin”, tha Ramadani.

Dhimbjen e ka të njëjtë tash e 27 vjet prej që iu vra bashkëudhëtari i jetës dhe heroi Agim Ramadani, por bashkëshortja e tij sot në Koshare thotë se krenaria po e mund çdo dhimbje.

“Dhimbja është e njëjtë si para 27 vjetësh. Por, krenaria është çdo ditë e më e madhe dhe e mund dhimbjen, sidomos tek këto momente dhe në këtë datë ngaqë sot është datë e veçantë, ku thyhet një kufi, i cili padrejtësisht na ka ndarë me shekuj,  një kufi të cilin e kanë pasur ideal të gjitha gjeneratat dhe falë gjakut të dëshmorëve ai kufi u zhbë dhe shpresoj të marrim një mësim të mirë nga kjo luftë, ngase në këtë vend u bashkuan forcat nga të gjitha partitë dhe trojet shqiptare nga mërgata pa shikuar krahë politikë, por vetëm me idealin të jemi bashkë dhe të fitojmë mbi armikun.Ai ideal u arrit. Të bashkuar fituan”, tha ajo.

Komandanti i Brigadës 138, Agim Ramadani ra në altarin e lirisë më 11 prill 1999 gjatë betejës së Koshares, e cila sot shënon 27 vjetorin e saj.

Në këtë betejë për thyerjn e kufirit Kosovë-Shqipëri u vranë 114 luftëtarë./KosovaPress

Advertisement
Advertisement
Advertisement