Arti shqiptar është në zi. Një nga figurat më të shquara të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti, është ndarë nga jeta në orët e para të mëngjesit, në moshën 89-vjeçare. Lajmin e hidhur e ka bërë publik vajza e tij, Juna Anagnosti, përmes një postimi në rrjetet sociale:
“Lamtumirë Dhimitër Anagnosti, regjisori i jetës sonë! Pas një lëngimi të gjatë iu binde ligjit të jetës. Lamtumirë babush!”, shkruan ajo.
Homazhet në nder të tij do të mbahen të martën, më 2 shtator, në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, nga ora 10:00 deri në 13:00.
I lindur më 23 janar 1936 në Vuno, Dhimitër Anagnosti është një nga emrat më të mëdhenj të kinematografisë shqiptare të shekullit XX. Me një karrierë mbi 40-vjeçare, ai realizoi 14 filma artistikë dhe 10 dokumentarë, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore.
Ai njihej për stilin e tij unik regjisorial, për trajtimin e temave sociale në kohë kur liria e shprehjes ishte e kufizuar, dhe për kurajën qytetare në mbrojtje të mendimit të lirë. “Gjykoni veprën time”, ishte shprehja e tij e njohur, e thënë me një modesti që e karakterizonte gjatë gjithë jetës.
Ndër filmat më të njohur që mbajnë firmën e tij janë:
Lulëkuqe mbi mure
Përrallë nga e kaluara
Në shtëpinë tonë
Kthimi i ushtrisë së vdekur
Malet me blerim mbuluar
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj shkruan se plejadës së artistëve të mëdhenj shqiptarë iu shkëput një tjetër yll, arti i madh i të cilit do të vazhdojë të magjepsë shqiptarët. Kryeministri Edi Rama e cilëson Anagnostin, babain e kinemasë shqiptare duke ndarë copëza kujtimesh me të që në moshë të hershme.
Rama: “Babai i kinemasë shqiptare, autori i shumë skenarëve që shenjuan rrugën e kinematografisë sonë të re në një kohë tejet të vështirë për ëndrrat krijuese, regjisori i plot filmave të arrirë dhe i filmit kult “Lulëkuqe mbi mure” që ka mbetur sot e gjithë ditën si kryetitulli i ekranit të historisë së filmit shqiptar, mjeshtri i shumërespektuar nga i madh e i vogël dhe vunjotësi kryeneç që mezi e priste verën për t’u arratisur nga qyteti e shkuar poshtë, tek shtëpia e fëmijërisë në Vlorë, e më vonë tek kasollja e tij buzë detit në Jalë, Barba Taqo siç e njoha unë kur isha fare i vogël e ai ende shumë i ri apo Dhimitër Anagnosti, siç e njohin të gjithë dashamirët e filmit dhe tërë ata që e deshën a jo, ndërroi jetë pasi jetoi gjithnjë me kokën lart. Lamtumirë Barba Taqo, u prehsh në paqe Grand Master”.
Në mesazhin e tij të ngushëllimit kreu i PD Sali Berisha shkroi se ai “do jetojë përgjithmonë në krijimet, veprën, trashëgiminë e tij të ndritur”.
“Homazh për Dhimitër Anagnostin! Të dashur miq, familja e nderuar Anagnosti, miqtë e saj, bota e artit, filmit, kulturës janë në zi e dhimbje. Për Dhimitër Anagnostin, kollos i regjisë, filmit, skenarit, intelektual i shquar i kombit, ish-ministër i aftë dhe dinjitoz, atdhetar, prind, bashkëshort e qytetar shembullor, dielli perëndoi përgjithmonë. Por Dhimitër Anagnosti do jetojë përgjithmonë në krijimet, veprën, trashëgiminë e tij të ndritur”, shkruan Berisha.
Berisha shkruan më tej se “duke shprehur nderimin dhe mirënjohjen time më të thellë për kontributin, veprën e tij të pavdekshme, bashkëpunimin që kemi pasur, shpreh gjithashtu familjes së tij të nderuar, Rozës, fëmijve, miqve, të afërmve ngushëllimet më të ndjera të miat dhe të PD, dhe lutem së bashku me ta që shpirti i madh i Dhimitrit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar”.