Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, sot u pyet nga gazetarët për vendimin për shtyrje të shpalljes së aktgjykimit deri më 20 korrik nga Gjykata Speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Kurti këtu nisi të fliste për “gabimet politike” dhe tha se Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale.
“Sa i përket vendimit të Speciales që të shtyhet për dy muaj nëse s’gaboj vendimi i tyre ne e morëm vesh sikurse gjithë ju për shkak se Qeveria nuk ka qasje ne dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Speciale e cila nuk karakterizohet nga transparenca për vendin tonë. Kosova ka nevojë për gjykata normale e jo për gjykata speciale. Është e domosdoshme që të nxirren mësimet nga gabimet politike që janë bërë e të cilët na kanë sjellë në këtë situatë ku në vend se të kemi gjykata normale, kemi një gjykatë speciale, e cila tash i vonon vendimet e saj. Pra ne besojmë në drejtësinë e UÇK-së, dhe pafajësinë e krerëve të UÇK-së dhe luftëtarëve të saj që vazhdojnë të mbahen në burg padrejtësisht në Hagë”, tha ai.
Kurti tha se lufta e UÇK-së “ishte dhe gjithmonë do të kujtohet dhe mësohet në histori si luftë e drejtë e cila ishte kundër një okupatori, armiku që kishte projekt gjenocidal kundër popullit tonë dhe njëkohësisht ishte luftë antikolonialiste sepse ne nuk e kishim këtë gjenocidin e fundit, ky ishte i katërti që e ka bërë Serbia në më pak se një shekull e gjysmë ndaj popullit tonë”./Express/