Partia në pushtet ka kërkuar që të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e KQZ-së për shtyrje të afatit për regjistrim të partive politike në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave veriore në Kosovë. Lidhur me këtë, për Express kanë folur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se janë duke e trajtuar çështjen e ndryshimit të afateve të aktiviteteve zgjedhore.
“Ju njoftoj se çështja e ndryshimit të disa afateve të aktiviteteve zgjedhore, në mesin e të cilave edhe afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në këto zgjedhje, është duke u trajtuar dhe do t’iu njoftojmë me kohë gjatë ditës”, tha Elezi për Express.
Elezi bëri të ditur deri sot në orën 14:00, KQZ ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut.
“Deri më tani (21 nëntor, 14:00) KQZ-ja ka pranuar një kërkesë për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Subjekti politik Iniciativa Qytetare Mitrovica ka dorëzuar kërkesën për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, tha Elezi.
Se VV ka kërkuar shtyrje të afatit për regjistrim të partive politike për zgjedhjet në veri, e ka konfirmuar anëtari i KQZ-së nga kjo parti, Alim Rama.
Por, Rama e mohoi se kjo kërkesë ka të bëjë me zhvillimet politike në Bruksel dhe mundësinë e kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.
“Jo nuk ka të bëjë me këtë sepse unë këtë çështje e kam ngrit që nga e marta e kaluar. Në kërkesën time i kam paraqitur arsyet që konsideroj se nuk janë projektu siç duhet këto afate dhe është hera e parë që nuk kanë kalu nëpër Këshilla komunal Zgjedhor”, tha Rama për RTV Dukagjini
Kujtojmë që kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqje pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, ndërsa deri më tani Lista Serbe nuk ka dorëzuar në KQZ kërkesë për certifikim. /Express/