Ngritja e dy komisioneve të posaçme parlamentare është shtyrë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të mbajtur këtë të mërkurë, më 8 tetor, në Kryesinë e Kuvendit.
Mbledhja u dominua nga debatet në lidhje me vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili humbi jetën në sallën e gjyqit më 6 tetor.
Opozita kërkoi që Kalaja të shpallet “Dëshmor i Atdheut”, duke e cilësuar aktin si një sulm direkt ndaj drejtësisë dhe rendit kushtetues.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, propozoi mbajtjen e një minute heshtje në seancën plenare të së enjtes, në nderim të gjyqtarit të ndjerë.
Megjithatë, përfaqësuesit e opozitës e cilësuan këtë gjest simbolik si të pamjaftueshëm, duke theksuar rrezikun në rritje që po u kanoset figurave të drejtësisë në vend dhe nevojën për reagim institucional më të fortë.