Shtyhet grumbullimi i Kombëtareve të Kosovës, shkaku i Covid-19 - Gazeta Express
string(62) "shtyhet-grumbullimi-i-kombetareve-te-kosoves-shkaku-i-covid-19"

Shtyhet grumbullimi i Kombëtareve të Kosovës, shkaku i Covid-19

Gazeta Express

01/08/2020 14:33

Federata e Basketbollit e Kosovës ka marrë vendim që të shtyhen grumbullimet e ekipeve kombëtare të Kosovës, në kategorinë e djemve dhe vajzave, shkaku i zhvillimeve të fundit në krizën e Covid-19, ndërsa Fidan Shatri është emëruar trajner i ekipit të vajzave të Kosovës.

Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) në mbledhjen e mbajtur më 30.07.2020 ka shqyrtuar situatën aktuale në basketbollin kosovar, rrethanat e krijuara nga pandemia globale dhe gjendjen e anëtarëve të vet, dhe i marrë disa vendime, transmeton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Ka marrë vendim që të shtyjë grumbullimet e Përfaqësueseve A të Kosovës (Meshkuj/Femra) që ishin paraparë gjatë muajit gusht 2020 për shkak të zhvillimeve të fundit me pandeminë COVID-19 në vendin tonë dhe ka autorizuar Drejtorin e Përfaqësueseve që në koordinim me Sekretaren e Përgjithshme të ri-planifikojë dhe vendosë për grumbullime të mëvonshme në bazë të situatës dhe udhëzimeve nga autoritetet dhe institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

“Ka emëruar Fidan Shatrin, trajnerin e KBF Prishtina dhe ish-përzgjedhësin e Kosova U16 dhe Kosova U20, si përzgjedhës të Përfaqësueses A të Kosovës – Femrat, ndërsa ka autorizuar Drejtorin e Përfaqësueseve, Kryetarin e FBK-së dhe Sekretaren e Përgjithshme për të koordinuar me Përzgjedhësin Shatri anëtarët e tjerë të shtabit teknik, të cilët Bordi i FBK-së do t’i emërojë në mbledhjet e radhës”.

“Ka emëruar Komesar të Garave të FBK-së, z. Faton Kurshumlija me mandat njëvjeçar, konform Statutit të FBK-së”.

“Ka miratuar në parim Draft-Propozicionet e Garave për edicionin e ri 2020/21 (kategorinë seniore), kalendarin e garave të Superligës së Kosovës dhe organizimin e garës përgatitore për edicionin e ardhshëm për ekipet e kategorive më të larta seniore në formë të turneut në disa qendra të Kosovës. Të njëjtat materiale do tu dërgohen të gjitha klubeve seniore që bëjnë gara në kuadër të FBK-së për komente dhe do të rikthehen sërish tek Bordi i FBK-së për miratimin përfundimtar brenda afatit statutor dhe rregullativ”.

Për më tepër, FBK-ja vendosi që t’i ngrijë të gjitha obligimet e klubeve ndaj Federatës deri në datën e regjistrimit të tyre për edicionin 2021/22 dhe e ka miratuar raportin financiar për periudhën janar – korrik 2020. /Gazeta Express/