Pronari i një lokali në Klinë, Shkumbin Maloku, ka ngritur shqetësimin për një faturë të papritur të energjisë elektrike. Ai thotë se për një hapësirë prej 170 metrash katrorë, i është faturuar shuma prej 715 euro, shumë më e lartë krahasuar me muajt paraprak, ku pagesat shkonin deri në 400 apo 490 euro.
“Nëse vazhdojmë kështu, mund të na vijë edhe një mijë euro faturë,” shprehet Maloku me shqetësim për gazetën online Reporteri.net, duke shtuar se kjo situatë është e papërballueshme për bizneset.
Ai kritikoi mënyrën se si po menaxhohet sektori energjetik në vend, duke thënë se “shteti nuk mbahet kështu” dhe duke theksuar se rryma në Kosovë është ndër më të shtrenjtat në botë.
Sipas Malokut, në muajt në vijim mund të ketë edhe rritje të mëtejshme të faturave, gjë që mund të rrezikojë seriozisht funksionimin normal të bizneseve të vogla.