Shtatorja e Fehmi Aganit, kthehet aty ku u vendos në vitin 2006 - Gazeta Express
string(62) "shtatorja-e-fehmi-aganit-kthehet-aty-ku-u-vendos-ne-vitin-2006"

Lajme

Gazeta Express

25/11/2022 13:04

Shtatorja e Fehmi Aganit, kthehet aty ku u vendos në vitin 2006

Lajme

Gazeta Express

25/11/2022 13:04

Më shumë se 16 vjet prejse u vendos në kryeqytet shtatorja e profesorit Fehmi Agani, skulptori Luan Mulliqi është duke u përballur me një situatë që, sipas tij, e zhbën krejt konceptin e tij si autor në raport me këtë vepër arti. Madje për të është e papranueshme se si po bëhet rivendosja e shtatores afër Fakultetit të Filologjisë.

Shtatorja e inauguruar më 12 qershor 2006, në atë që ishte parku para Fakultetit të Filologjisë, ishte larguar nga vendi shkaku i punimeve për ndërtimin e parkingut qendror të Prishtinës. Dy vjet qëndroi skutave të Fakultetit Filologjik.

Lexo Edhe:

Këto ditë ajo është kthyer për t’u vendosur në parkun që tash është improvizuar mbi parking. Por, pozita se si ka zënë vend është krejt tjetër. Më herët ishte midis një hapësire që rrethohej me shkallë. Edhe shtatorja e sociologut e politikanit kishte simbolikën se ishte në lëvizje. Tash do të jetë krahas shkallëve në një bazament ku simbolika e ecjes nuk është e pranishme.

Deri në momentin e rivendosjes anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Luan Mulliqi, nuk ishte konsultuar fare si autor i veprës. Punëkryerësit, sipas tij, e kishin thirrur në një mbrëmje gjatë kësaj jave. Për ironi, në bazamentin e përgatitur nuk prekte njëra këmbë e shtatores. Ajo që ishte paraparë që ta paraqiste simboliken e ecjes nëpër shkallë.

Mulliqi, autor i disa shtatoreve në Kosovë, kishte fituar me konceptin e tij për ta paraqitur profesorin Fehmi Agani në konkursin e dytë me radhë që ishte mbajtur para gati dy dekadash.

“Ajo që i ka pëlqyer komisionit ishte se kishte një dinamikë. Ka dorën kur ngre jakën e palltos, sikur bëhet gati për të dalë në një furtunë, sepse ai u kishte mbijetuar shumë furtunave”, ka shpjeguar Mulliqi. Sipas tij, ideja për të qenë në lëvizje së bashku me studentët ishte pjesa tjetër e konceptit që kishte bërë për vete jurinë.

“Është vendosur asokohe te shkallët ku ai ka kaluar çdo ditë për më shumë se tri dekada. Lartësia ishte bërë 2.2 metra, pra shumë me e ulët sesa që unë e preferoj, vetëm shkaku që të jetë gati i barabartë me studentë dhe të jetë duke zbritur nga shkallët. Ka qenë midis shkallëve”, ka thënë ai.

Versioni se si është duke u vendosur tash, për Mulliqin është përtej një skandali.

“Tash me rivendosje po duket sikur po ikën nga studentët, sikur nuk është pjesë e tyre. Çka po ndodh tash nuk e di, por e di se është larguar nga koncepti. Po bëhet një shteg i veçantë për këtë skulpturë pa pasur shkallë”, ka thënë Mulliqi. Sipas tij, shtatorja e Aganit nuk duket më ajo “e një profesori dhe e një mendimtari fin”, por “ngjan me një profesor plagjiator që ikën nga studentët e tij”.

“Është e papranueshme pasi është e kundërta e konceptit themelor. Vendi ku vendoset ka peshë të madhe për atë vepër. Kërkesë e vetme është të kthehet siç ka qenë koncepti”, ka thënë Mulliqi.

Menaxhmenti i “Parking Center” e ka pranuar se ka pasur një moskoordinim midis autorit të shtatores dhe projektuesit, pasi rivendosja e veprës nuk është paraparë në shkallë, siç ishte për më shumë se një dekadë e gjysmë. Por, sipas menaxhmentit, do të bëhet një zgjidhje në pranverën që vjen.

“Ne kemi folur me profesorin Luan Mulliqi dhe pozicioni i shtatores do të jetë i përhershëm, por në pranverë do të zgjerohen shkallët dhe shtatorja do të jetë ashtu siç ka kërkuar profesori Mullqi. Aktualisht janë kushtet e pafavorshme atmosferike të bëhet kjo”, ka thënë Korab Fazliu, drejtor menaxhues i “Parking Center”. Sipas tij, bazamenti i shtatores do të jetë i mbuluar me mermer natyral sikurse shumica e platesë mbi parking.

Shtatorja është në vendosje e sipër disa metra larg shkallëve që me Fakultetin e Filologjisë i ndal veç rruga që kalon para Fakultetit dhe vazhdon te Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”. Në anën tjetër të shtegut të ecjes do të vendoset shtatorja e mbledhësit të folklorit dhe prijësit të Lëvizjes për faljen e gjaqeve, Anton Çetta.

Hapësira ka ndërruar formën krejtësisht me parking, që ishte aty para se të bëhej parkingu nëntokësor. Kthinat e shumta mbi platenë bëjnë që hapësira të duket goxha e ngarkuar.