Të shtunën nga ora 19:15 në Kino Armata në kuadër të programit “Filmitro: Hapësira publike në fokus” shfaqen shtatë filma të shkurtër.
Në kuadër të programit të kësaj fundjave, ku do të trajtohet çështja e Armatës duke e vendosur në një kontekst më të gjerë urban dhe shoqëror, mbrëmja e të shtunës nis me shfaqjen e shtatë filmave të shkurtër që eksplorojnë hapësirën publike nga këndvështrime të ndryshme.
Filmat që do të shfaqen janë: “Lumi e di”, “Ku janë ato kujtime”, “Përtej karriges”, “Rregull, ç’rregull, qrregull”, “Nonplaces_Mitrovica”, “Rrënjë n’pluhur”, dhe “Sytë e qytetit”.
Të gjithë këta filma janë krijuar në Mitrovicë gjatë punëtorisë “Filmitro: Hapësira publike në fokus”, pjesë e projektit të PSE – Public Space Equity: “Filmitro: Rimendimi i hapësirave publike përmes filmit dhe urbanizmit taktik”, përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia.
Pjesëmarrësit/et e punëtorisë, nga fusha të ndryshme si arkitektura, urbanizmi, artet dramatike e vizuale, IT dhe juridiku, kanë punuar nën mentorimin e regjisorit Zgjim Terziqi.
Filmat do të përcjellen me Q&A dhe diskutim të hapur mbi hapësirat publike.