Shqiptarët (sërish) në udhëkryqin e historisë - Gazeta Express
string(43) "shqiptaret-serish-ne-udhekryqin-e-historise"

Shqiptarët (sërish) në udhëkryqin e historisë

OP/ED

Gazeta Express

03/02/2024 21:31

Shkruan: Enis Allajbeu

Në një shikim të shpejtë, këto 4 vitet e fundit kanë ndodhur ngjarje që janë duke sjellë ndryshime të rëndësishme të ekuilibrave globalë. Mjaft të përmendim pandeminë e covid 19, luftën e Rusisë në Ukrainë, atë të Izraelit në Gaza, pa folur këtu për zhvillimet tektonike të Inteligjencës Artificiale. Bota sot nuk wshtw mw si ka qenw dhe neswr nuk do tw jetw ashtu si e shohim

Lexo Edhe:

Përballë rritjes së Kinës

Çdo ditë e më shumë po shihet dhe projektohet një nevojë urgjente nga SHBA për zhvendosjen e fokusit akoma më shumë drejt Kinës.

Kina është shqetësimi kryesor për Amerikën. Ekonomia e saj vazhdon rritet dhe në vitet e ardhshme projektohet të kalojë atë të SHBA-së.

Fokusi dhe investimet e Kinës në arsim, inovacion dhe Inteligjencë Artificiale, përpjekjet e saj për të kaluar nga teknologjia e kopjimit në atë të zbulimit, borxhi i ulët publik, rritja e shpenzimeve për ushtrinë, heqja e politikës “Një fëmijë” janë disa vetëm disa tregues për të kuptuar objektivat kineze.

Investimet e mëdha kineze në Afrikë, Europën Lindore, por dhe në shumë vende aziatike dëshmojnë një Kinë me një qasje krejt tjetër nga ajo e dinastisë Ming, e cila vetëm njëherë tentoi të dilte nga muret e saj me një lundrim jo ushtarak drejt Afrikës.

Manovrat ushtarake në Taivan dhe Detin e Kinës Jugore tregojnë qartas objektivat kineze për pushtimin e Taivanit si

dhe zotërimin e detit dhe për më tepër të rrugëve detare të cilat janë shumë jetike për Australinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Filipinet, por dhe gjithë vendet e tjera të atij rajoni. Një gjë të tillë SHBA nuk do ta lejojnë me çdo lloj kosto.

NATO ende është mjaftueshëm e fortë të luftojë në dy fronte njëkohësisht në atë kinez dhe rus plus të ruaj ekuilibrat në Lindjen e Mesme ku gjendja po komplikohet çdo ditë e më shumë. Situata e sotme është dinamike. Diferenca me Kinën sa vjen dhe zvogëlohet.

Në vitet në vijim ne do të shohim se si SHBA do të zhvendoset nga Europa drejt Kinës. Riardhja e mundshme e Trump në pushtet, në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti mund ta përshpejtojë këtë proces. Europes do t’i duhet të merret vetë me hallet dhe problematikat që e rrethojnë,- një prej të cilave është Rusia dhe interesat e saj në Ballkan.

 BE, blloku që nuk qëndron “bllok”

Pas luftës në Ukrainë duket që vendet e Europës, përfshi Gjermaninë që me kushtetutë e ka patur të kufizuar investimin në Mbrojtje, nisën armatimin dhe investimet në Ushtri.

Ecuria e Bashkimit Europian edhe në situatë lufte në kufijtë e saj, shfaqi të njëjtat probleme që e shoqërojnë prej dekadash. Përballë agresionit rus, blloku nuk qëndroi “bllok”. Ka vende anëtare si Hungaria e cila ende vazhdon të vendosë veto në çdo nismë kundër Rusise ose në mbështetje të Ukrainës.

Në shume vende të BE-së po rritet ndjeshëm e djathta ekstreme e cila është kundër vazhdimësisë së bllokut.

Brexit (i vitit 2016) është një precedent për vende të tjera.

Krizat ekonomike të Greqisë, Portugalisë dhe pjesërisht Spanjës dhe Italisë në një mënyrë u menaxhuan me ndihmën e ekonomive të forta të vendeve të tjera të BE-së e në veçanti të Gjermanisë, por një krize ekonomike e Gjermanisë mund të krijojë të çara të pariparueshme për Europën.

Shqiptarët dhe mësimet e historisë

Në një vështrim të shpejtë historik kur është dashur të vendosin për vendet e Ballkanit, fuqitë e mëdha europiane në vend që të luftonin për to, i kanë përdorur si plaçkë lufte për t’i ndarë mes tyre ose mes fituesit dhe humbësit. Kjo ka qene qasja kur i lanë në dorë të otomanëve dhe nuk mobilizuan asnjë ushtri të vetme apo legjion për tiu ardhur në ndihmë. Vetëm kur turqit mbërritën në muret e Vienës europianët në Perëndim u bashkuan për të frenuar marshimin Perandorisë Osmane.

Në Luftën e Parë Botërore Rusia i erdhi në ndihmë Serbisë kur Aleatët i shpallën lufte. Trojet shqiptare u përdorën si plaçkë lufte. Po ashtu dhe në Luftën e Dytë Botërore ndikimi në rajon u nda mes Rusisë dhe Perëndimit ku shumica e vendeve të Europes Lindore e Qendrore, përveç Greqisë ju la Stalinit.

Në kongresin e Berlinit më 13 Qershor 1878 Kancelari prusian, Bismark, e çmoi Ballkanin si pjesë e çështjes Lindore se “i gjithi nuk ia vlen as sa eshtrat e e një granadieri të vetëm pomeranez”.[28]

Nën sundimin ottoman shqiptarët kishin disa etapa kryesore ku ndryshojnë qasje ndaj pushtuesit, por dhe shfaqin sjellje të ndryshme nga fqinjët.

Në fillim të pushtimit reagimi dhe lufta e rajoneve te ndryshme shqiptare ka qenë e pashembullt. Kjo bëri që shumë zona të shpopulloheshin si pasojë e humbjeve të mëdha në lufte si dhe emigrimit te detyruar. Aty silleshin kolonë, në përgjithësi shqiptarë të zonave të tjera që ishin asimiluar ose kishin pranuar islamin.

Me kohën shqiptarët e panë perandorinë si mundësi dhe oportunitet. Ata u bënë shtylla kurrizore e jeniçereve po ashtu dhe arritën të merrnin poste të rëndësishme në perandori duke shijuar burimet e tejskajshme që u ofroheshin. Pashallarët dhe bejlerët që qeverisnin në trojet shqiptare luftonin e bënin intriga (të vogla e të mëdha) ndaj njëri – tjetrit duke vjedhur e ngritur një nga administratat më të korruptuara të perandorisë. Qenia në periferi të Perandorisë e kombinuar me keq qeverisjen bëri të mundur që trojet shqiptare të mbeteshin më të pa zhvilluara. Shqiptarët zgjodhën rrugën më të lehtë duke menduar që ekuilibrat nuk do të ndryshonin kurrë. Madje dhe në vitet e fundit të perandorisë Osmane në Lidhjen e Prizrenit, krerët shqiptarë vendosën për autonomi të mbikqyrur nga Perandoria. Pjesemarrësit në Kuvend, shpresonin që kjo do t’i ndihmonte në ruajtjen e trojeve nga copëtimi.

Ky ishte teksti i dalë nga Lidhja e Prizrenit : «[…] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. […]»

Në këtë kohë, fqinjët tanë, grekët, bullgarët dhe serbët armatosnin popullatën e tyre dhe nisën luftën për pavarësi të mbështetur në veçanti nga Rusia. Diaspora e tyre mblidhte fonde për armë, batalionet e tyre përparonin duke ndarë tokat shqiptare të lëna pa zot ku trishtueshëm formacione të ç’rregullta luftonin me çfarë të mundnin. Kështu u humb Çamëria, Janina, Shkupi, Manastiri, Tetova,Struga, Kosova, Plava, Gucia etj.

U pa qartë që ne ishim më të papërgatiturit për ndryshimin e madh që ndodhi. Nuk është që të parët tanë nuk e kishin paraparë këtë, por paria e tyre ishte e zënë me sherret e brendshme dhe korrupsioni ishte i thellë dhe endemik.

Përveç kësaj fqinjët tanë kishin aleatë gjaku,feje dhe historie si Serbia e Bullgaria Rusinë e Greqia Rusinë, Anglinë e gjithë perëndimin.

Pas Luftës së Dytë Botërore kur SHBA dhe Anglia insistuan në përfshirjen e Greqisë ne bllokun perëndimor Shqipëria përsëri ju la Rusisë (Marrëveshja e Jaltës) Dhe këtu ne ‘kërkuam babën’ si në kohën e Osmanëve kur shohim jargavitjet e Enverit ndaj Stalinit. Europa bënte sehir, ndërsa ne jetonim nën një nga diktaturat më të egra të planetit. Pas prishjes me sovjetikët (1961) iu ngjitëm Kinës deri në mes të vitit 1978 dhe u prishëm me të në kohën që Kina nisi hapjen me SHBA- në!

Të gjitha këto lëvizje, partia shtet e kohes i bënte për të zgjatur sa të mundte frymëmarrjen politike dhe ekonomike.

Pse gjithmonë të fundit?

Pas viteve 90 Shqipëria hyri në një rend demokratik dhe deri diku ka ngritur një demokraci funksionale. Sot është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për BE.

Pozicionimi Euro Atlantik pa ekuivok i ka dhënë shqiptarëve një përparësi të ndjeshme gjeo strategjike krahasuar me serbët.

Pavarësia e Kosovës, por dhe forcimi i faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut janë frute të këtij pozicionimi strategjik.

Por përsëri sfidat tona mbeten të njejta. Si përherë dhe në rastin tonë historia ka rimē.

Në këto 33 vite demokraci/tranzicion, Shqipëria është ende në një udhëkryq. Sërish të vonuar, të fundit që ikëm nga Perandoria, të fundit që “rrëzuam” komunizmin dhe të fundit që po i bashkohemi BE-së. Ne nuk arritëm të kapim trenin në kohës si Sllovenia dhe Kroacia. Disa përpiqen ta justifikojnë vonesën me pretekstin që Europa nuk na pranon për arsye të fesë dhe duke sjellë në ndihmë të këtij “argumenti” rastin e Bosnjës. Nuk ka asnjë ngjashmëri në këtë paralelizëm të varfër, pasi Bosnja ka shumë probleme të tjera si ato të ndasisë etnike etj.

Duke injoruar përpjekjen për të gjetur pse-në te Europa ne duhet ta gjejmë te vetja. Duhet të shohim mënyrën e qeverisjes tonë, institucionet tona dhe funksionimin e tyre, luftën ndaj korrupsionit, konkurrencën në ekonomi, të drejtat e njeriut, lirinë e medias, drejtësinë e pavarur, investimin në arsim etj parametra këto që tregojnë e ndihmojnë zhvillimin e një vendi. Këto “standarte” e kanë bërë Japoninë , Korenë e Jugut, Australinë, Singaporin, Taivanin etj të jenë vende demokratike të zhvilluara edhe pse janë në vendndodhje gjeografike të pafavorshme. Shqipëria në këtë pikëpamje është me fat. Ka fituar “llotarinë gjenetike”, ndodhet e rrethuar nga vende të BE-së.

Kur shohim historinë e të kaluarën tonë ne duhet të nxjerrim mësime dhe të mos përsëritim gabimet. Nëse do të presim që në një ndryshim ekuilibrash të tjerët do të luftojnë për ne do të përsëritim gabimet e së shkuarës. Europa dhe Amerika mbase do të luftojnë ose debatojnë në favor të vendeve që ndajnë të njëjta vlera shoqerore, parime dhe mënyrë qeverisje me ta. Por ne fatkeqësisht ende nuk jemi te ky grup. Ndaj duhet të nxitojmë.