Shqiptarët dështuan përballë shqiptarëve - Gazeta Express
string(40) "shqiptaret-deshtuan-perballe-shqiptareve"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

05/04/2022 17:57

Shqiptarët dështuan përballë shqiptarëve

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

05/04/2022 17:57

Nga Egzona Hajrullahu

Në Serbi, të dielën e datës 03 prill 2022 u mbajtën zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të këtij shteti. Partitë shqiptare garuan me dy lista: “Alternativa Demokratike Shqiptare”, të cilës i priu Shqiprim Arifi – kryetar i partisë “Alternativa për Ndryshim”, njëherit partia me më shumë këshilltarë në kuvendin komunal të Preshevës, si dhe “Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar”, në krye me Shaip Kamberin nga Partia për Veprim Demokratik, dega Bujanoc.

Lexo Edhe:

E veçanta e këtyre zgjedhjeve ishte se për herë të parë Lugina e Preshevës ishte përballë dy listave shqiptare, kështu duke shkelur marrëveshjen e Tiranës zyrtare, e cila ishte nënshkruar në vitin 2020 për të vetmin qëllim, unifikimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në një listë të përbashkët karshi zgjedhjeve parlamentare në Serbi.

Dallimet politike dhe egot personale të kandidatëve për deputet sollën deri në mosmarrëveshjen për një listë të përbashkët garuese, kështu duke i ndarë edhe vetë shqiptarët e Luginës së Preshevës përballë problemeve me të cilat po ballafaqohen nga qeveria e Serbisë.

I gjendur në jug të Serbisë, Lugina e Preshevës është e banuar me shumicë absolute shqiptare dhe në këto zgjedhje sipas të dhënave të drejtë vote kishin 42.203 qytetarë në Preshevë, 43.112 qytetarë në Bujanoc dhe rreth 700 votues në Medvegjë. Por, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë vit numri i pjesmarrjes në votim ka qenë në nivel të ulët, pothuajse as 20% e qytetarëve nuk e shfrytëzuan këtë të drejtë dhe sipas të dhënave nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve në Serbi, deri në ora 13:00 të datës 05.04.2022, ku janë numëruar 97,6 % e votave, shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten pa përfaqësues në parlamentin e Serbisë, në krahasim nga viti 2020 ku u fituan tre ulëse. Sigurisht se ndarja në dy lista është arsyeja kryesore e kësaj disfate.

Edhe pse procesi i numërimit nuk është përfunduar ende, gara është tepër e ngushtë dhe sido që të jetë rezultati, këto zgjedhje mbeten dështimi më i madh për shqiptarët e luginës drejt parlamentit të Serbisë.

Duke e ditur se në tetor të këtij viti është paralajmëruar edhe regjistrimi i popullsis në Serbi, një rezultat i tillë duhet të mbetet mësim për faktorin politik shqiptarë në Luginë, t’i bëjë më syçelë karshi unifikimit drejt zgjidhjeve të problemeve dhe përballjes me qeverinë serbe, siç është edhe pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Por, a do të jetë interesi i përbashkët më i fuqishëm se ai personal? Mbetet të shihet!

Autorja e këtij shkrimi është sociologe nga Lugina e Preshevës.