Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, gjatë një brifingu me gazetarë ka folur për problemet me të cilët ballafaqohen vozitësit në Tetovës pas hyrjes në fuqi të sistemit Safe City. Problem me këtë rast janë udhëkryqet, pasi që vozitësit pasi kalojnë semaforët duhet të kthejnë për në rrugën e Bërvenicës dhe nuk mund të kalojnë për shkak të veturave që vijnë në anën e kundërt dhe mbeten në mes të udhëkryqit. Kjo, më pas regjistrohet si shkelje dhe ka shkaktuar shumë revoltë tek vozitësit në Tetovë. Për këtë problematikë ka folur kryetari i Komunës së Tetovës, i cili njoftoi se është çështje ditësh kur në disa udhëkryqe do të vendosen semaforë të rinj, ndërsa ata semaforë që kanë defekte do të riparohen. “Ne veç më kemi zgjedhur kompaninë, e cila do të vendosë semaforë të rinj dhe të gjitha udhëkryqet do të kenë semaforë funksional”, deklaroi kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në ndërkohë, komandanti i Stacionit policor në Tetovë, Muhamet Ademi, është shprehur se nëse vozitësi në udhëkryq kalon në shenjën e gjelbër, atëherë nuk ka dënime. Nëse shqiptohet dënim, duhet të paraqiten në SPB-Tetovë. “Për qytetarët të cilët pa fajin e tyre ngelin në udhëkryq, por kanë kaluar në shenjën e gjelbër, nuk do të kenë dënime. Nëse u vjen dënim, atëherë duhet të vijnë në Sektorin për Punë të Brendshme për ankesë dhe nëse evidentohet se kanë të drejtë, nuk do të kenë dënime”, tha komandanti Ademi.
Ai më tej është shprehur se në Tetovë aktualisht janë vendosur në dy vende kamera në kuadër të sistemit Safe City. “Kamera për matjen e shpejtësisë dhe shkeljeve tjera që kanë të bëjnë me sistemin Safe City, janë vendosur në dy vende edhe atë në bulevardin ‘V.S Bato’ dhe bulevardin ‘Ilinden’. Kurse kamerat tjera që qytetarët i vërejnë, janë të vendosura për siguri publike”, tha komandanti Ademi.
Problem tjetër në kuadër të këtij sistemi janë edhe shenjat. Përderisa brenda në qytet janë vendosur shenja paralajmëruese në dy gjuhë, respektivisht në gjuhën shqipe dhe maqedonase, në autostradën Shkup-Tetovë-Gostivar janë vendosur vetëm në gjuhën maqedonase. Për këtë anashkalim, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se si komunë do të reagojnë deri tek Ndërmarrja për rrugë shtetërore që tabelat të jenë në dy gjuhë. “E kam siguruar si informatë dhe ne si komunë do të reagojmë, sepse në territorin e Komunës së Tetovës të gjitha shenjat do të duhet të jenë në dy gjuhë. Do të reagojmë zyrtarisht deri tek Drejtoria për rrugë shtetërore që tabelat të jenë në dy gjuhë”, tha Kasami.
Ndryshe, me hyrjen në fuqi të këtij sistemi, në Tetovë nëpër disa zona, sidomos afër shkollave, tashmë janë vendosur edhe shenja për kufizim të shpejtësisë deri në 30 kilometra në orë. Shenja të këtilla janë vendosur edhe para disa rrethrotullimeve.
tag_katrorimaqedoni_2