Ka nisur zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ku qytetarët shqiptarë po zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, si dhe forcën politike që do të qeverisë vendin.
Për herë të parë në historinë e pluralizmit, në këtë proces marrin pjesë edhe qytetarët shqiptarë të diasporës, të cilët kanë votuar përmes postës nga 85 shtete të botës. Deri në orën 19:00 pritet mbërritja e zarfeve me fletët e votimit, në të kundërt, ato nuk do të numërohen.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë regjistruar 3,467,962 qytetarë me të drejtë vote, ndërsa 114,642 prej tyre janë votues për herë të parë. Në zgjedhje garojnë 8 parti dhe 3 koalicione me një total prej 2.046 kandidatësh për 140 vende në Kuvend. Risi e këtij procesi është ndarja e listave në të hapura dhe të mbyllura, ku 1/3 e kandidatëve janë të përcaktuar nga partitë dhe pjesa tjetër votohet direkt nga qytetarët.
Zgjedhjet po monitorohen nga misioni i OSBE/ODIHR, me 12 ekspertë ndërkombëtarë, 26 vëzhgues afatgjatë dhe 300 vëzhgues afatshkurtër në terren. Gjithashtu, si projekt pilot po aplikohet votimi dhe numërimi elektronik në Njësinë Nr. 10 në Tiranë dhe në Bashkinë e Vorës.
Kjo ditë shënon një moment vendimtar për demokracinë shqiptare, me pritshmëri të larta për transparencë, përfaqësim dhe përfshirje të diasporës në vendimmarrje.