Kombëtarja shqiptare do të zbresë përsëri sonte në fushën e blertë, tri ditë pas barazimit në shtëpi me Serbinë.
Kuqezinjtë do ta vizitojnë Letoninë, ku do t’i kërkojnë tri pikë për t’i mbajtur gjallë shpresat dhe gjasat për kualifikim në Botërorin 2026.
Shqipëria i ka grumbulluar katër pikë nga tri ndeshje, prej tyre një fitore, një barazim e një humbje, shkruan “Gazeta Express”.
Andaj, trupa e Sylvinhos nuk ka më vend për gabime nëse dëshiron ta synojë kualifikimin historik në Kupën e Botës.
Trajneri brazilian e sheh si të rëndësishme sfidën e sontme, e cila sipas tij duhet të luhet për t’u fituar.
“Në futboll ka gjithmonë presion. Tashmë i kemi bërë tri ndeshje dhe na kanë ngelur edhe pesë. Duhet të mbledhim sa më shumë pikë. Letonia e ka mundur Andorrën. Nuk mund të them vendimtare, por është ndeshje e rëndësishme. Duke e krahasuar skuadrën me dy vite më parë, është rritur presioni. Letonia ka skuadër fizike dhe mund të luajë me skema të ndryshme. Luan një lloj futbolli të kodifikuar. Ka 2-3 lojtarë shumë të shpejtë që mund ta bëjnë diferencën”, deklaroi selektori i Shqipërisë.
Kuqezinjtë vijnë nga barazimi pa gola i së shtunës me Serbinë në Tiranë, i cili ua zbehu sadopak gjasat për kualifikim në Botëror.
Sidoqoftë, Gjimshiti me shokë do ta tentojnë shkuarjen në Kupën e Botës për herë të parë në histori, deri në momentet e fundit.
Ndeshja mes Letonisë dhe Shqipërisë do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:45. /Gazeta Express