Një arritje historike për muzikën elektronike dhe për Shqipërinë: UNUM Festival është shpallur “Festivali më i Mirë Global 2025” nga The DJ Awards Ibiza, një nga organizatat më prestigjioze në botë që vlerëson sukseset më të mëdha në industrinë e muzikës elektronike. Ky vlerësim e vendos UNUM-in përkrah festivaleve gjigante si Burning Man, Tomorrowland dhe Sonus, duke e ngritur Shqipërinë në majat e skenës botërore.
Që nga themelimi në vitin 2019, UNUM është shndërruar në një simbol të artit, natyrës dhe lirisë. I zhvilluar në plazhin mahnitës të Rana e Hedhun në Shëngjin, festivali tërheq çdo vit mijëra vizitorë nga mbi 60 shtete, duke e kthyer bregdetin shqiptar në një qendër ndërkombëtare të muzikës elektronike. Në vetëm pesë edicione, ai ka fituar statusin e një fenomeni global që bashkon kulturat dhe energjitë e botës në një përvojë unike mes detit dhe tingujve.
Edicioni i këtij viti solli një program mbresëlënës me emra të mëdhenj si Black Coffee, Bedouin, Ricardo Villalobos, Seth Troxler, Dixon, Carlita, Damian Lazarus, Rhadoo, Raresh, Priku, Arapu dhe shumë të tjerë – duke e shndërruar Shqipërinë për disa ditë në kryeqytetin botëror të muzikës elektronike.
Ky çmim nuk është vetëm një arritje muzikore, por edhe një dëshmi e fuqisë transformuese që një vizion i guximshëm mund t’i sjellë një vendi të vogël si Shqipëria. Organizatorët e festivalit theksojnë se “ky është fryt i pasionit, punës dhe komunitetit që kemi ndërtuar bashkë me artistët dhe familjen UNUM – një ëndërr që u bë realitet”.
UNUM Festival sot përfaqëson më shumë se një event muzikor – është një lëvizje që bashkon njerëz nga e gjithë bota përmes muzikës, natyrës dhe shpirtit të lirisë. Me këtë çmim, Shqipëria vulos vendin e saj në hartën globale të festivaleve më të rëndësishme të muzikës moderne.
Prishtinë, tetor 2025 – Medieve në Kosovë u është shtuar një platformë e re që do të raportojë dhe...