Shqipëria “sheh” nga Leskovci me afrime, kuqezinjtë e zhvillojnë sot seancën e fundit në Tiranë - Gazeta Express
string(92) "shqiperia-sheh-nga-leskovci-me-afrime-kuqezinjte-e-zhvillojne-sot-seancen-e-fundit-ne-tirane"

Futboll

Gazeta Express

09/10/2025 11:48

Shqipëria “sheh” nga Leskovci me afrime, kuqezinjtë e zhvillojnë sot seancën e fundit në Tiranë

Futboll

Gazeta Express

09/10/2025 11:48

Kuqezinjtë po vijojnë me përgatitjet në prag të ndeshjes ndaj Serbisë e miqësores ndaj Jordanisë.

Prej disa ditësh, Kombëtarja është grumbulluar në Tiranë ku edhe po i jep dorën e fundit përgatitjeve, para udhëtimit për në Leskovc, aty ku do të luhet ndeshja më e rëndësishme për këto eliminatore të Botërorit.

Grupi duket në gjendje optimale, teksa të vetmet mungesa deri më tani, janë ato të Kumbullës, Ismajlit dhe Pajazitit të cilët janë dëmtuar pak ditë më parë.

GRIPSHI – Në stërvitjen e ditës së djeshme, për herë të parë ishte edhe mesfushori golashënues, Nazmi Gripshi. Lojtari i Astanës dhe njëkohësisht golashënuesi më i mirë në Kazakistan, u ftua nga Silvinjo në vend të Pajazitit dhe ditën e djeshme, ka mbërritur në Tiranë duke u bashkuar menjëherë me pjesën tjetër të skuadrës. Forma që Gripshi po kalon në kampionat, padyshim që është një armë e fortë për kuqezinjtë, teksa e vetmja gjë që mund të shqetësojë, është ambientimi i tij me kuqezinjtë pasi kurrë më parë nuk është ftuar, përveç moshave kuqezi.

SUPERIORJA – Dy ditë më parë, Silvinjo kishte ftuar në Kombëtare edhe 2 lojtarë nga kampionati shqiptar, duke bërë pjesë të skuadrës Dervishin dhe Marqeshin. Ditën e djeshme, Silvinjo ka marrë 2 lojtarë të tjerë nga Superiorja dhe këtë herë, bëhet fjalë për dy mbrojtës. Qendërmbrojtësi i Vllaznisë, Elmando Gjini dhe mbrojtësi i Partizanit, Albion Marku, janë bërë pjesë e kuqezinjve, duke ndihmuar Silvinjon në skemat e tij dhe në stërvitje, për të plotësuar grupin.

STËRVITJA E FUNDIT – Skuadra do të mbyllë sot përgatitjet në Tiranë, ku edhe do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit, shkruan “Panorama Sport”. Ditën e nesërme, kuqezinjtë do të nisen në drejtim të Nishit, aty ku edhe do të qëndrojnë të grumbulluar për të pritur ndeshjen e së shtunës në Leskovc. Ndërkohë, të premten pasdite do të zhvillohet seanca e fundit stërvitore në Leskovc si edhe konferenca e shtypit para ndeshjes ndaj Serbisë.