Shqipëria nis përgatitjet për sfidën ndaj Italisë, seanca stërvitore e pasdites ishte e hapur për tifozët - Gazeta Express
string(104) "shqiperia-nis-pergatitjet-per-sfiden-ndaj-italise-seanca-stervitore-e-pasdites-ishte-e-hapur-per-tifozet"

Shqipëria nis përgatitjet për sfidën ndaj Italisë, seanca stërvitore e pasdites ishte e hapur për tifozët

Sport

Gazeta Express

10/06/2024 21:53

Kombëtarja shqiptare ka nisur sot me përgatitjet në tokën gjermane për ndeshjen e parë të Kampionatit Europian ndaj Italisë.

Skuadra ka zhvilluar sot dy seanca stërvitore në kampin bazë të Shqipërisë në Kaiserau, shkruan “Gazeta Express”.

Lexo Edhe:

Seanca stërvitore e pasdites ishte edhe më e veçanta, pasi ishte e hapur për të gjithë tifozët shqiptarë dhe jo vetëm, për të ndjekur nga afër një seancë të plotë stërvitore të Kombëtares shqiptare.

Në këtë seancë të hapur stërvitore ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së Armand Duka dhe Kryetarja e Bashkisë së qytetit të Kamen, Elke Kappen.

Presidenti i FSHF-së Armand Duka, falënderoi bashkinë e Kamen për mikëpritjen dhe theksoi se të gjithë bashkë do të bëjnë të pamundurën për të qenë një vlerë e shtuar në Europianin “Gjermani 2024”.

“Faleminderit bashkisë për pritjen dhe gjithë mbështetjen që na ka dhënë në organizimin e këtij grumbullimi. Të gjithë djemtë iu falënderojnë ju dhe çdo njeri që ka bërë maksimumin për pritjen e tyre këtu. Në emër të tyre unë ju garantoj që do të japim më të mirën për të qenë një vlerë e shtuar për Kampionatin Europian në Gjermani. Unë i ftoj edhe njëherë djemtë dhe uroj që ta shijojnë këtë Kampionat Europian, ta shijojnë mundin e djersës së tyre që kanë arritur deri këtu, për ne është historike”, tha Duka.

Ndërsa Kryetarja e Bashkisë së qytetit të Kamen, Elke Kappen, falënderoi FSHF-nw që përzgjodhi si kamp bazë për finalet e “Euro 2024” SportCentrum Kaiserau dhe i uroi suksese në Kampionatin Europian.

Në përfundim të seancës stërvitore i gjithë ekipi, stafi teknik dhe President Armand Duka, u përshëndetën me tifozët, dhanë autografe dhe bënë foto duke përmbyllur një pasdite me atmosferë fantastike në SportCentrum Kaiserau.

FSHF-ja bën me dije se të gjithë lojtarët janë në gjendje të mirë dhe janë stërvitur normalisht nën urdhrat e stafit teknik dhe trajnerit Silvinjo.

Ndeshja e parë e Shqipërisë në Kampionatin Europian ndaj Italisë do të luhet të shtunën më datë 15 qershor në ora 21:00, në stadiumin e Dortmundit./GazetaExpress/