Shkruan: Kurt Gostentschnigg
Si mund të përmblidhen gjashtë vite qëndrim në Shqipëri në vetëm pak faqe, pa mbetur në sipërfaqen e gjërave? Po e provoj. Për orientim biografik: dy muaj me bursë doktorature në fund të vitit 1992, katër muaj me po këtë bursë në vitin 1993. Pastaj gjashtë vite si lektor në Universitetin e Tiranës, 1993-1995 në Departamentin e Gjuhës Gjermane dhe 1996-2000 në Departamentin e Historisë. Kisha ardhur në Tiranë me bronkit kronik dhe më duhej të shkruaja disertacionin krahas punës si lektor. Për orientim politik: koha e Sali Berishës dhe Partisë Demokratike, e firmave piramidale, e trazirave si në një luftë civile në 1997, e Fatos Nanos dhe Partisë Socialiste, e Luftës së Kosovës dhe refugjatëve kosovarë 1998/1999, e luftës për pushtet dhe pasurim të shpejtë personal. Për orientim ekonomiko-shoqëror: koha e zaptimit të tokës, e shkatërrimit të natyrës, e ikjes së trurit jashtë shtetit, e korrupsionit, e mungesës së perspektivave për rininë, e lënies në baltë të pjesës më të madhe të popullsisë. Për orientim jetese: koha e rrugëve gropa-gropa, e ikjes së dritave, e mungesës së ujit, e ngrohjes me vaj guri, e zhurmës së gjithanshme.
Ishte një diferencë e madhe nëse rrije si turist ose si i punësuar nga jashtë shtetit në Shqipëri. Për një turist ky vend ishte parajsa e aventurave dhe e mikpritjes; për një të huaj perëndimor që punonte atje dhe kuptonte gjuhën, ky vend ishte ferri i keqkuptimeve prej mentaliteteve dhe standardeve të kundërta. Isha në konflikt të vazhdueshëm me mendësinë shqiptare, e cila është kampione botërore e improvizimit duke kryer gjithçka në momentin e fundit. Ndërsa unë si përfaqësues ekstrem i moralit austriako-perëndimor të punës ndihesha i detyruar ndaj punëdhënësit tim në Austri, të cilit duhej t’i prezantoja rezultatet e punës në afate të caktuara.
Nga ana tjetër kisha ardhur në këtë vend me dashurinë time për gjuhën shqipe, kështu që mbaja kontakt vetëm me shqiptarë, për të përmirësuar sa më shpejtë njohurinë time të shqipes dhe për të zbuluar sekretet e kësaj gjuhe tepër të veçantë dhe bukurtingëlluese. Nuk kishte ndonjë fjalë të urtë, e cila mund të më shpëtonte në ato ditë. Njëkohësisht u shmangesha të huajve, me të cilët nuk desha të komunikoja me anglishten time atëherë të dobët. Thithja e plotë e shqipes kishte përparësi absolute për trurin tim të kufizuar.
Tri herë në Tiranë shpëtova për një qime nga vdekja. Në banesën e parë me mobilie të kohës komuniste, ku banoja bashkë me shokun dhe kolegun tim Robert Pichler, sapo kisha larë enët dhe ia kisha kthyer lavamanit shpinën, u rrëzua dollapi i vjetër i mbushur me enë të rënda dhe i varur në mur sipër lavamanit. Një herë tjetër isha duke u kthyer natën nga një darkë tek miqtë e mi dhe mora një shkurtim në një fushë të hapur, ku gati rashë në një gropë të madhe ndërtimi të pakufizuar me rrezik thyerjeje qafe. Përsëri një herë tjetër, pasi ikën dritat, dola në shkallë dhe i futa në errësirë të plotë duart në sallatën e kabllove, sikur isha një ekspert elektrik. Ende nuk e di se cili engjëll mbrojtës ma ka shpëtuar jetën prej budallai.
Pasi kisha ndërruar në Graz me dhjetra herë banesën, më është dashur edhe në Tiranë të ndryshoja disa herë apartamentin. Ose banoja vetëm ose me familje shqiptare. Banesat ishin në përgjithësi pa luks, të cilin nuk e kërkoja fare. Rëndësi për mua kishte në radhë të parë qetësia për punën time, një kërkesë që dilte si kërkesë e kotë luksi. Banimi në Tiranë kthehej në tmerr: kur punoja përkohësisht krahas lektoratit edhe si asistent konsullor në Ambasadën Austriake, më përndiqnin vizakërkuesit gati deri tek hyrja e apartamentit, duke menduar se unë kisha diçka në dorë. Në fakt që nga fillimi e zbulova veten si armik të betuar të çdo lloji korrupsioni, qoftë në Ambasadë, qoftë në Universitet, duke ditur shumë mirë se mund të rrija vetëm në një anë. Nuk isha dakord me trajtimin e vizakërkuesve në Ambasadë, prandaj u prisha me konsullin e atëhershëm dhe u largova vetë.
Një herë tjetër, në kulmin e vapës verore, në një apartament pa kondicioner në katin e fundit, për ditë vinte pasdreke një psikopat në oborrin e pallateve dhe bërtiste me orë të tëra pa ndërprerje me zë të trashë. Çuditesha pse nuk bezdizej kush nga kjo zhurmë e përditshme, dhe isha duke u çmendur, sepse as nuk mund të pushoja as të punoja. Në dëshpërim e sipër fillova të hidhja gurë të vegjël nga ballkoni, gjë që nuk kishte efektin e dëshiruar. Pas dy javësh, vetë në kufi të çuarjes në çmendi, thirra policinë, e cila, më në fund, e largoi këtë person. Por shpejt më erdhi shumë keq për të, sepse e dija që në atë kohë policët kishin zakon t’i rrihnin njerëzit në rajon gjoja si masë disiplinimi. Dhunën policore e pashë rreth vitit 1994 në një autobus, kur një çift i ri udhëtonte pa biletë dhe një polic e goditi burrin e ri në shpinë duke e hedhur nga autobusi. Unë isha në fund të autobusit dhe, kur asnjë pasagjër nuk guxonte të hapte gojën, i bërtita policit duke i kërkuar llogari për sjelljen e tij çnjerëzore. Ai erdhi drejt meje dhe unë drejt tij, si në një film “western”, dhe në momentin e fundit, kur ai duhet të kishte kuptuar nga theksi ose pamja ime se unë isha i huaj, më preku lehtë në shpatull dhe më tha “kalo”.
Pas një jave qetësie zhurmëmadhi u kthye me një mbidozë hakmarrjeje dhe unë për siguri ndërrova banesën. Por demoni i zhurmës më ndiqte nga prapa kudo që shkoja: gabelët që këndonin, u binin veglave dhe kërcenin poshtë apartamentit tim; të dehurit që pinin dhe bërtisnin çdo natë tek kiosku poshtë dritares sime; një ofiçinë në oborrin e pallatit, ku riparoheshin boritë e makinave duke i provuar një qind herë, e kështu me radhë. Arratisjet e mia nga ky demon më çonin zakonisht në parkun madhështor të Tiranës, andej nga liqeni. Mirëpo, atje kishte rrezik të shkelje ndonjë çift duke bërë dashuri gati pas çdo shkurreje. As në malësinë e Shqipërisë Veriore me natyrën e saj përrallore nuk e gjeja dot qetësinë e kërkuar, sepse malësorët tepër mikpritës më vëzhgonin sikur të isha një jashtëtokësor dhe nuk më linin vetëm në asnjë çast. Kur bija në heshtje duke komunikuar së brendshmi me natyrën, ata kujtonin se unë po mërzitesha, dhe prandaj më flisnin menjëherë.
Viti i trazirave 1997 ishte i mbushur me përjetime të jashtëzakonshme. Kur mora pjesë tek universiteti i vjetër në një demonstratë kundër qeverisë së partisë demokratike, e cila nuk kishte paralajmëruar në kohë për rrezikun e firmave piramidale, dhe kur erdhën “malokët” e Berishës, studentët e mi më thanë se do të ishte më mirë për mua të largohesha. Nuk u mendova gjatë dhe mora arratinë përmes parkut. Pak më vonë studentët e mi u rrahën me shkopinj. U kisha kursyer Ambasadës Austriake dhe mediave shqiptare një skandal me titull “U rrah keqazi lektori austriak në një demonstratë studentore kundër qeverisë shqiptare”. Desha të shkoja me një gazetar japonez deri në Vlorë, por u ndalëm në Fier nga ushtarët, sepse ishte tepër e rrezikshme në jug. Me të njëjtin gazetar shkova një vit më vonë në Bajram Curri, ku dëgjoheshin topat serbë kundër UÇK-së.
Pasi u hapën depot e armëve, pothuajse të gjithë burrat u armatosën për të qenë në gjendje të mbronin familjet e tyre në rast nevoje. Por shpeshherë njerëzit qëllonin kot në ajër. Kështu që një ditë shkova nën breshëri plumbash në universitet, ku studentët e mi më prisnin për mësimdhënie. Një herë, i ulur në ballkon, pashë me sytë e mi, kur një burrë shkoi tek makina e vet, nxori një kallashnikov dhe qëlloi në lartësinë e trupit në një drejtim, i cili ishte i mbuluar nga pallate. Kur situata ishte bërë tepër e nxehtë për të huajt, ne austriakët u mblodhëm në Ambasaden Austriake, ku konsullesha e atëhershme donte të ndante një burrë austriak nga bashkëshortja e tij shqiptare, vetëm sepse kishte marrë urdhrin nga qeveria austriake të lejoheshin të kalonin vetëm shtetas austriakë. Përballë këtij vendimi çnjerëzor u nxeha dhe fillova një sherr me konsulleshën e rreptë, e cila u zmbraps në fund.
Konvoji i makinave me të huaj nga lagjja e ambasadave për në portin e Durrësit kaloi në mes të plaçkitjeve të dyqaneve. Në port duhej të prisnim gjithë ditën, derisa erdhi më në fund një varkë me ushtarë italianë, që morën vetëm diplomatët e huaj me vete. Shqiptarët e armatosur u inatosën dhe filluan të qëllonin o në ajër o në drejtim të varkës italiane. Sidoqoftë, ne ishim në mes me kokë të ulur për tokë. Pas dy, tri orëve ushtarët italianë u kthyen, kësaj radhe me dy varka, një për të huajt dhe një për shqiptarët që donin të largoheshin nga vendi i tyre në gjendje lufte civile. Sapo arritëm në anijen e madhe ushtarake, ushtarët italianë i ndanë shqiptarët nga të huajt dhe i sistemuan në një vend të veçuar, ku ua hodhën bukën me dorë. Më vonë morëm vesh se i kishin kthyer përsëri me një varkë në Durrës.
Detyra ime si lektor në Departamentin e Historisë ishte t’i jepja mësim një grupi të vogël studentësh të përzgjedhur nga unë në gjuhën gjermane dhe historinë e marrëdhënieve austro-shqiptare. Evakuimi im ndodhi tre muaj para mbarimit të vitit të parë. Përfundimi i këtij projekti të veçantë katërvjeçar varej nga kthimi im në Shqipëri, ku situata politike u qetësua gradualisht me mbërritjen e trupave ndërkombëtare. Meqë rroga ime austriake si lektor kishte qenë shumë modeste, unë e kushtëzova kthimin me një mbështetje mujore për pagesën e qerasë. Kjo kërkesë u pranua nga ministria, dhe që prej atëherë gjithë lektorët austriakë jashtë shtetit përfitojnë nga kjo. Nga ky projekt i pashoq kishin dalë disa absolventë, të cilët bënë një karrierë të shkëlqyer akademike.
Me studentët e mi kisha në përgjithësi marrëdhënie shumë të mira, megjithëse kreshta midis respektit për mësuesin dhe shfrytëzimit të miqësisë ishte shumë e ngushtë. Së bashku bënim festa, luanim futboll në park dhe shëtisnim në natyrë. Por afrimiteti im me studentët më fuste edhe në situata të rrezikshme, p. sh. kur miqësia kuptohej si gatishmëri për dhënien e notave të pamerituara. Kështu, në kohën e trazirave, erdhi tek unë një herë vëllai i një studenteje, të cilën e kisha vlerësuar me një notë negative, me pistoletë në xhep. Kjo nuk më bëri përshtypje, përkundrazi, kjo më nxehu aq shumë sa e bëra verbalisht si pulë të lagur. Ai nuk e dinte se unë isha rritur në zonën e egër të Steiermark-ut perëndimor në Austri.
Megjithatë, pas gjashtë viteve punë në Tiranë Shqipëria më kishte ardhur në majë të hundës, kështu që u betova se nuk do të punoja kurrë më në këtë vend. Mirëpo, njeriu nuk duhet të thotë kurrë kurrë, sepse pas disa viteve përfundova në Universitetin e Shkodrës për pesë vjet si lektor i gjuhës gjermane. Çdo herë, kur kthehesha pas një kohe të gjatë në Austri, ndihesha i huaj në vendin tim. Dashje pa dashje shqiptarizohesha dhe ndihesha më afër shqiptarëve sesa bashkëkombësve të mi. Në vitet 90 të përjetimeve ekstreme në Shqipëri fillova rrugën time për në brendësi, të merresha me filozofi lindore dhe me jogë. Në kërkim të Shpirtit tim gjeta në vendin e shqiponjave disa njerëz tepër të rrallë, të cilët, shpesh duke bërë një jetë në varfëri të skajshme, kishin një zemër të madhe, e cila përqafonte gjithë botën. Deri më sot më lidh dashuria e pafund me ta.
Një mënyrë më e lehtë dhe më e sigurt për të paguar me iPhone, Apple Watch, iPad, Mac dhe...