string(85) "shqiperia-nder-vendet-me-pak-te-motorizuara-ne-europe-trafiku-mbetet-i-pashpjegueshem"

Shqiperi

Gazeta Express

22/05/2025 8:24

Shqipëria ndër vendet më pak të motorizuara në Europë, trafiku mbetet i pashpjegueshëm

Shqiperi

Gazeta Express

22/05/2025 8:24

Pavarësisht rritjes së vazhdueshme të numrit të automjeteve, Shqipëria mbetet një nga vendet më pak të motorizuara në Europë. Të dhënat më të fundit të Eurostat, të analizuara mbi bazën e popullsisë së përditësuar nga Censusi i vitit 2023, tregojnë se në fund të vitit të kaluar vendi kishte rreth 742 mijë automjete aktive, ose 306 mjete për çdo 1000 banorë. Kjo shifër e rendit Shqipërinë të tretën nga fundi në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë (176 mjete/1000 banorë) dhe Maqedoninë e Veriut (264 mjete/1000 banorë).

Në kryeqytet, megjithatë, situata është ndryshe. Tirana ka afro 500 automjete për 1000 banorë, duke iu afruar ndjeshëm mesatares së Bashkimit Europian prej 550. Por ky nivel urban motorizimi nuk përfaqëson gjithë territorin e vendit, pasi pjesa tjetër e rajoneve mbetet shumë më poshtë këtij mesatareje.

Paradoksi i këtij realiteti është se, ndonëse Shqipëria ka një nivel të ulët motorizimi në raport me popullsinë, trafiku urban, veçanërisht në Tiranë, është tejet i rënduar, duke ngritur pikëpyetje mbi planifikimin urban, transportin publik dhe infrastrukturën rrugore.

Në nivel europian, Italia kryeson me 694 automjete për 1000 banorë, ndërsa vendet me përqindjen më të lartë të automjeteve elektrike janë Holanda, Suedia dhe Danimarka, duke treguar një tjetër prirje drejt teknologjisë së pastër dhe qëndrueshmërisë mjedisore.

Ky realitet e vendos Shqipërinë përpara një dileme të qartë: si të përmirësohet mobiliteti pa rritur domosdoshmërisht numrin e automjeteve, në një kohë kur infrastruktura ekzistuese mezi përballon fluksin aktual.