Këshilli i Ministrave ka miratuar në parim marrëveshjen kuadër me Qeverinë e Izraelit, që synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë.
Marrëveshja është nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit dhe përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, referuar VKM-së.
Ky vendim synon të rrisë kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare dhe të avancojë bashkëpunimin strategjik me një nga partnerët kryesorë në rajon.
Marrëveshja hyn menjëherë në fuqi, duke hapur rrugën për projekte të përbashkëta dhe shkëmbime teknologjike midis dy vendeve, në dobi të sigurisë kombëtare.
Qeveria shqiptare është në bisedime me gjashtë kompani të huaja për të prodhuar pajisje ushtarake, zbuloi në muajin qershor ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Negociatat po përqendrohen mbi investimet në linjat e prodhimit për artileri të rëndë, armatim të lehtë, municion, automjete të blinduara dhe uniforma ushtarake, shtoi Vengu gjatë një interviste për mediat shqiptare.
Qeveria mori shprehje interesi nga 25 investitorë të huaj, përfshirë kompani me seli në SHBA dhe Izrael, vuri në dukje zyrtari i lartë shqiptar.
Partneritetet do të formohen nëpërmjet prodhuesit shtetëror të pajisjeve ushtarake Kayo, të themeluar së fundmi.
Njëra prej tyre është kompania izraelite Elbit Systems Ltd., e cila në prill të këtij viti nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me autoritetet shqiptare.
Sic mëson Albanian Post, Elbit Systems do të angazhohet për montimin e dronëve në vendin tonë, si dhe për prodhimin e armatimit të lehtë dhe artilerisë së rëndë në ish-Uzinën e Bakrit në Rubik, e cila do të shndërrohet në një prej qendrave kryesore të prodhimeve ushtarake për Forcat e Armatosura.
Elbit Systems është ndër kompanitë më të renditura të mbrojtjes në botë, me Globes – Israel Business News që raporton se është kompania izraelite e mbrojtjes me renditjen më të lartë në listën e Defense News për vitin 2024.
Autoritetet shqiptare pranojnë për AP-në se shumë shpejt do të kenë vepra konkrete po ashtu për rivendosjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë.