Kombëtarja shqiptare ka njohur mbrëmjen e sotme kundërshtarët për edicionin e ardhshëm të UEFA Nations League. Shorti i hedhur në Bruksel e pozicionoi Shqipërinë në Grupin C1, së bashku me Bjellorusinë, Finlandën dhe San Marinon.
Një grup që në letër duket i përballueshëm për kuqezinjtë, por trajneri Silvinjo ka zgjedhur të mos shpërqendrohet nga objektivi kryesor i momentit: play-off-et e Botërorit 2026.
Në një prononcim për fshf.org, tekniku brazilian theksoi se Nations League është një kompeticion i fortë dhe intensiv, por aktualisht e gjithë vëmendja e skuadrës është e përqendruar te sfidat vendimtare të marsit.
“Është gjithmonë një kompeticion shumë i vështirë, shumë i bukur. Luhet në një mënyrë shumë të shpejtë… Gjithçka luhet shumë shpejt, është një kompeticion i bukur. Kemi parë këtu shumë skuadra të forta.
Por për ne nuk është e lehtë të mendojmë edhe për Nations League, sepse kemi rreth një muaj e gjysmë që punojmë për play-off-et. Është një gjë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, si federatë dhe si vend… Tani e kemi mendjen te play-off-i i marsit.”
Mesazhi i Silvinjos është i qartë: Nations League mund të presë, ndërsa objektivi madhor mbetet kualifikimi historik në Botërorin 2026.
Kuqezinjtë pritet të hyjnë në muajin mars me ambicie të mëdha, ndërsa shorti i Nations League mbetet një kapitull që do të hapet më vonë. /GazetaExpress