Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me të rinjtë e angazhuar në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, ku ka theksuar angazhimin e qeverisë për zhvillimin e Shqipërisë Digjitale. Rama ka njoftuar disa investime të reja dhe projekte që do të fuqizojnë këtë sektor, duke përfshirë një shkollë të re dhe nisma për zhvillimin e start-up-eve.
Gjatë takimit, Rama u shpreh se një nga objektivat kryesore të qeverisë është të rrisë numrin e laboratorëve inteligjentë në shkolla, duke e çuar atë në 1000 deri në vitin 2025. Ai gjithashtu foli për një tjetër strukturë që do të hapet në Tiranë, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, e mbështetur nga Franca.
“Këtu tek piramida për pak ditë, besoj në mesin e majit kur do të bëhet Samiti i Komunitetit Politik Evropian, është planifikuar që së bashku me presidentin e Francës të hapim dhe një tjetër strukturë, është tanimë gati. Ngjitur këtu. Është një strukturë shumë e njohur tanimë në botën e teknologjisë, një shkollë tërësisht ndryshe nga shkollat tradicionale. Quhet ‘Ecole 42’ ku jepet mundësia të gjithëve pavarësisht moshës, pavarësisht backgroundit akademik, shkollës që kanë kryer që të konkurrojnë për të hyrë në atë shkollë dhe me një program shumë më specifik dhe inovativ, të gjithë këtyre njerëzve që janë të moshave të ndryshme, janë të background-eve të ndryshme, ju jepet çelësi për të hyrë në botën e teknologjisë,” tha Rama.
Kryeministri gjithashtu premtoi mbështetje të mëtejshme për programin e start-up-eve dhe nismat që inkurajojnë investimet e huaja në sektorin e teknologjisë. S
“Po shohim një prurje të pazakonshme, nëse mund ta quaj kështu, kompanish të huaja që duan të konsiderojnë Shqipërinë si një pikë për të vendosur operacionet e tyre, në pikërisht fushën e teknologjisë. Dhe nga ana tjetër, ne jemi shumë të vetëdijshëm që paralelisht me çka bëjmë për të nxitur sipërmarrjen në këtë fushë, kemi një hendek akoma të konsiderueshëm në kërkim-zhvillim dhe duhet të japim më shumë së bashku, për të forcuar pikërisht kërkim-zhvillimin,” u shpreh Rama.