Partia Demokratike ka ngritur shqetësime për procesin e votimit nga diaspora për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke theksuar se ky proces nuk gëzon besimin e plotë të opozitës. Jozefina Topalli, drejtuese politike e PD për Diasporën, ka renditur disa prej problemeve që ajo i konsideron si kërcënim për integritetin e zgjedhjeve.
Në një deklaratë për mediat, Topalli shpjegoi se një nga problemet kryesore është dërgimi i zarfeve të votimit në adresa të pasakta, duke theksuar se ka pasur raste kur fletët e votimit kanë munguar dhe kur zarfe janë hedhur në oborr ose janë marrë nga fqinjët, veprime që, sipas saj, janë të paligjshme. “Një ndër problematikat është mos shkuarja në adresë përkatëse për të tërhequr zarfin siç është marrëveshja, ka patur raste që ka munguar fleta e votimit. Ka patur raste që zarfet janë hedhur në oborr ose e ka marrë komshiu që nuk është e ligjshme”,tha Topalli.
Përveç kësaj, ajo kritikoi sistemin e logjistikës së dërgimit të zarfeve, konkretisht bashkëpunimin me kompaninë DHL, sipas saj për dështimin në përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe logjistike. “T’i kërkojë DHL-së që të përmbushë detyrimet ligjore dhe logjistike. Thyerja e afateve dhe standardeve të vendosura në ligj është një cenim i votës dhe cenon integritetin e zgjedhjeve”, tha Topalli.
Partia Demokratike ka theksuar se, pavarësisht këtyre shkeljeve, ajo nuk ka për qëllim të kontestojë procesin zgjedhor, por kërkon që autoritetet të ndërmarrin masa për të adresuar këto problematika dhe për të garantuar se zgjedhjet do të zhvillohen në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. “Ne nuk po kërkojmë që të anulohet procesi, por kërkojmë që të merren masa për të adresuar këto problematika për të ruajtur integritetin e zgjedhjeve“, përfundoi Topalli.