string(81) "shqiperi-britani-marreveshje-te-reja-per-mbrojtjen-dhe-emigracionin-rama-jo-kampe"

Shqiperi

Gazeta Express

15/05/2025 15:32

Shqipëri–Britani, marrëveshje të reja për mbrojtjen dhe emigracionin! Rama: Jo kampe

Shqiperi

Gazeta Express

15/05/2025 15:32

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, zhvilloi sot vizitën e tij të parë zyrtare në Shqipëri, ku u prit me ceremoni shtetërore nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe më pas nga Kryeministri Edi Rama. Vizita vjen në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimit të bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve, në fusha të tilla si mbrojtja, siguria dhe emigracioni.

Pas takimit kokë më kokë mes dy kryeministrave dhe diskutimeve mes delegacioneve përkatëse, u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp, ku Starmer dhe Rama dhanë mesazhe të qarta për bashkëpunim konkret dhe të orientuar drejt rezultateve.

Ecuria jonë e përbashkët dhe progresi në uljen e numrit të gomoneve ka qenë ulje e konsiderueshme, dhe kjo është mesazh i qartë i asaj që arrihet kur dy vende punojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën”, deklaroi Starmer, duke theksuar angazhimin për të frenuar emigracionin e paligjshëm.

Kryeministri britanik theksoi se partneriteti me Shqipërinë përfshin edhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake.

“Kemi edhe marrëveshjen tonë të përbashkët për transferimin e personave të dënuar. Mund të shprehem edhe për deklaratën tonë të përbashkët për bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes. Do të punojmë së bashku për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake. Dëshirojmë të fuqizojmë sigurinë kombëtare, novacionin dhe rritjen ekonomike të vendeve tona”, u shpreh ai.

Duke ju referuar sfidave globale, Starmer nënvizoi nevojën për unitet në përballjen me agresionin rus.

“Ky është moment që shtetet evropiane duhet të rrinë së bashku, të bëjmë qëndresë ndaj agresionit rus. Do të vizitoj trupat shqiptare dhe britanike që po punojnë së bashku për të mbrojtur lirinë tonë, dhe ajo që po bëjmë për Ukrainën është dëshmi e qartë e asaj që ne po punojmë në formë kaq efikase”, tha Starmer.

Kryeministri Rama, nga ana e tij, sqaroi se Shqipëria nuk është e angazhuar për ndonjë marrëveshje të ngjashme me atë me Italinë për ndërtimin e kampeve për emigrantët në territorin shqiptar.

“Kam qenë shumë i qartë kur nisëm këtë proces me Italinë. Kjo ishte një marrëveshje e vetme me Italinë për shkak të marrëdhënies sonë të veçantë, por edhe për shkak të situatës gjeografike që është mjaft kuptimplotë. Dhe për të qenë shumë i sinqertë me ju, na kanë kërkuar një sërë vendesh dhe u kemi thënë jo, sepse i jemi besnik ‘martesës’ me Italinë, dhe pjesa tjetër është thjesht dashuri”, deklaroi Rama.

Starmer nënvizoi gjithashtu ndryshimin e qasjes së tij ndaj Shqipërisë, duke theksuar se kjo vizitë duhet parë si një “deklaratë qëllimi”.

“Fakti që unë, kryeministri i parë britanik që vij në Tiranë në këtë takim dypalësh, duhet të shihet edhe si një deklaratë qëllimi për mënyrën sesi ka krijuar një lloj force marrëdhënia jonë. Nuk dua të bërtas për problemet, po thjesht dua të përvesh mëngët edhe të jem shumë pragmatist që t’i zgjidh këto çështje dhe këtë e kemi treguar dhe dëshmuar tashmë”, u shpreh ai.

Rama iu rikthye kritikave që i janë bërë në të kaluarën emigrantëve shqiptarë nga disa përfaqësues të mëparshëm të politikës britanike:

“Mallkimi i shqiptarëve nuk ishte shumë i mirë për ta, se tani janë jashtë parlamentit. Kjo mjafton, nuk ka nevojë për më shumë se kaq”, shtoi Rama

Në përfundim të vizitës, delegacionet e të dy qeverive nënshkruan dy marrëveshje kryesore:

-“Deklarata e Përbashkët Mbretëri e Bashkuar–Shqipëri për Avancimin e Bashkëpunimit Dypalësh mbi Prioritetet e Përbashkëta”, e nënshkruar nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe Ambasadori britanik Nicholas Robert John Abbott.

-“Deklarata e qëllimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut, në lidhje me eksportet në fushën e mbrojtjes dhe bashkëpunimin industrial”, e nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, dhe Ambasadori Abbott.