Shqetësuese: Rritet numri i aksidenteve me vdekje në Kosovë - Gazeta Express
string(58) "shqetesuese-rritet-numri-i-aksidenteve-me-vdekje-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

20/08/2025 7:33

Shqetësuese: Rritet numri i aksidenteve me vdekje në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

20/08/2025 7:33

Rrugët e Kosovës pothuajse çdo ditë përballën me aksidente të shumta. Raportet e Policisë tregojnë se vetëm në shtatë muajt e parë të vitit 2025, 58 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku një rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ekspertët fajësojnë sjelljen e pakujdesshme të shoferëve, ndërsa Policia e Kosovës vazhdon thirrjet për respektim të rregullave të qarkullimit, në përpjekje për ta ndalur këtë trend tragjik.

Numri i aksidenteve me pasoja fatale në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme përgjatë këtij viti, krahasuar me vitin e kaluar. Rasti i fundit ndodhi të hënën në mbrëmje në rrugën Prishtinë-Pejë, konkretisht në Llapushnik, ku si pasojë e një aksidenti ka mbetur të vdekur çift bashkëshortor, ndërsa i lënduar djali i tyre, 19 vjeçar.

Sipas të dhënave të Policisë, nga janari deri në korrik 2025 janë regjistruar 51 aksidente me fatalitet, ku kanë humbur jetën 58 persona, 6 më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Po ashtu, gjatë këtyre 7 muajve janë shqiptuar 448,661 gjoba për shkelje të rregullave në trafik, është rritur numri i aksidenteve me lëndime e personave të lënduar. Kjo ka bërë që Policia e Kosovës të apelojë te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të jenë më të kujdesshëm dhe t’i respektojnë shenjat rrugore.

Ekspertët e komunikacionit rrugor, këto aksidente me përfundim fatal i lidhin me disa faktorë.

“Ajo që ka shkaktuar më shumë aksidente është faktori njeri me elemente të tyre që ndikojnë drejtpërsëdrejti, elementi kryesor është shpejtësia që ndikon si shkaktar i aksidenteve me fatalitet, faktori rrugë, faktori automjet”, tha Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit rrugor.

Eksperti tjetër i sigurisë rrugore thotë se pjesë më të madhe të fajit e kanë vetë drejtuesit e automjeteve.

“Nuk është krejt faji tek institucionet, është faji tek ne, tek pjesëmarrësit në trafikun rrugor, nuk janë koshient me veprimet e tyre dhe nuk i respektojnë situatat në trafikun rrugor. Këtu e kemi tejkalimin e shpejtësisë, përdorimin e telefonit, ngasjen e veturës në ndikimin e alkoolit, sidomos në mbrëmjet verore”, tha Muhamed Krasniqi, ekspert i komunikacionit.

Pikërisht në parandalimin e aksidenteve fatale, Policia e Kosovës ka njoftuar se aktivitetet e saja janë shtuara më shumë se 9% krahasuar me periudhën krahasuese 2024. / rtk