Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova, është duke u përballur me një problem fizik vetëm pak ditë para ndeshjes së rëndësishme të “Dardanëve” në play-off ndaj Sllovakisë.
Sipas raportimeve të publikuara nga Calciomercato, Zhegrova ka shfaqur shenja të lodhjes muskulore gjatë orëve të fundit, pas një periudhe me ngarkesë të lartë stërvitore.
Gjendja e tij aktualisht është nën vëzhgim të rreptë nga stafi mjekësor, i cili po tregon kujdes maksimal për të shmangur komplikime të mundshme.
Burimet bëjnë të ditur se mjekët kanë rekomanduar prudencë të madhe, pasi ekziston rreziku që lodhja të shndërrohet në një dëmtim më serioz, gjë që do ta mbante futbollistin jashtë fushave për një periudhë më të gjatë.
Megjithatë, përkundër këtij shqetësimi, Zhegrova është përfshirë në listën e të ftuarve për ndeshjen e Juventusit sonte ndaj Sassuolos, ndërsa Luciano Spalletti po ndjek nga afër zhvillimet rreth tij.
Vendimi përfundimtar pritet të merret vetëm në prag të ndeshjes, ndërkohë që në Kosovë mbetet shpresa që një nga lojtarët më kreativë të ekipit të jetë i gatshëm për sfidën vendimtare që luhet pas pesë ditësh.