Në mungesë të një konsensusi midis partive politike për konstituimin e Kuvendit, shpresa e fundit për zgjidhje të bllokadës po shihet tek iniciativa e presidentes Osmani që përmes takimeve konsultative të arrihet ndonjë marrëveshje.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, thotë se krijimi i hapësirës nga presidentja për takime me krerët e partive duhet të shfrytëzohet për gjetjen e një zgjidhjeje.
‘’Klima që mund ta krijojë presidentja mund të ketë një peshë të caktuar, por duhet të kuptojmë se ky është vullnet politik”, tha Hoxha për rtv21.
Deputeti i LDK-së, Alban Zogaj tha se zgjidhja më e mirë është një qeveri gjithëpërfshirëse.
‘’Takimi tek presidentja ishte një hap shumë i mirë drejtë daljes nga bllokada. Të shohin se si po rrjedhin ngjarjet gjatë kësaj jave. Propozimi jonë është që të gjithë të marrin pjesë në një qeveri me afat të caktuar“, tha Zogaj.
Por, propozimi i LDK-së për qeveri gjithëpërfshirëse për LVV-në është devijim i vullnetit të qytetarëve. Deputeti i këtij subjekti politik, Arbër Rexhaj, tha se presidentja e ka bërë punën e saj duke ftuar në takim përfaqësuesit e partive politike.
‘’Propozimi i LDK-së për një qeveri gjithëpërfshirëse është devijim i vullnetit të qytetarëve dhe kjo është kthim në kohën e UNMIK-ut”, tha Rexhaj.
Por, si e vlerësojnë deputetët e Kuvendit s në mungesë të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, Kosova po i humb milionat nga BE-ja.
‘’Në legjislaturën e kaluar me mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare qikjo opozitë ia ka humbur Kosovës qindra miliona euro. Jo, kjo vonesë nuk është e mirë por nuk është faji i LVV-së”, deklaroi Rexhaj
‘’Ne jemi në dijeni se çfarë Kosova mund të humbë, por partia që ka fituar zgjedhjet duhet të gjejë zgjidhje”, theksoi Hoxha e PDK-së.
Presidentja Vjosa Osmani javën e kaluar kishte mbajtur takim me kryetarët e partive politike për gjetjen e një zgjidhje dalje nga bllokada politike për konstituimin e Kuvendit, por takimi përfundoj pa një marrëveshje konkrete, siç u tha, në mungesë të vullnetit politik. Presidentja e ka lënë të hapur mundësinë se do të ftoj takime të tjera.