Shpëtim Shijaku dhe fundi i palavdishëm i ARMOS-s - Gazeta Express
string(49) "shpetim-shijaku-dhe-fundi-i-palavdishem-i-armos-s"

Shpëtim Shijaku dhe fundi i palavdishëm i ARMOS-s

Shqiperi

Gazeta Express

01/12/2021 23:14

Kur në vitin 1978, inxhinierët shqiptarë dhe ata kinezë përfunduan rafinerinë e naftës në Ballsh, askush nuk mund ta çonte nëpër mend se fundi i krenarisë teknologjike të komunizmit do të vinte nga një biznesmen periferik i Shqipërisë kapitaliste.

I lindur në Arrameras të Fushë Krujës, Shpëtim Shijaku në atë kohë duhet të ketë qenë ende në çetat e pionerëve dhe me shumë gjasa as kishte dëgjuar ndonjëherë për ARMO-n. Aq më tepër të mendonte se një ditë ai do të ishte njeriu që do të çmontonte uzinën e pararojës së industrializimit të Shqipërisë. Por jeta është një ironi e madhe.

Lexo Edhe:

Gjithçka ka nisur pak ditë më parë, kur kamionët dhe punonjësit e kompanisë Shijaku u dislokuan në Verbas të Fierit. Gjatë ditës ata qëndrojnë në bazë, ndërsa natën çmontojnë fshehtaz pajisjet e ARMO-s.

Të parët që konstatuan se rafineria po demontohej ishin naftëtarët. Që nga ai moment, ata mblidhen çdo ditë përpara rafinerisë për të protestuar dhe duke kërkuar të informohen se kush po e shkatërron ARMO-n. Por më kot. I gjithë operacioni po zhvillohet në fshehtësi.

“Këto ditë kanë hequr dhe një apo dy pompa nga TEC-i se kur u leverdis atyre vijnë vënë dorë, kur s’u leverdis e kalojnë për skrap,” thotë kryetari i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj.

Në fakt vendimi për të demontuar rafinerinë e Ballshit është marrë në Tiranë. Mbetet ende e panjohur se si kompania Shijaku ka arritur ta shtjerë në dorë ARMO-n. Vitet e fundit rafineria ka ndërruar disa herë duar duke kaluar herë në pronësi të bankave dhe herë tek investitorët gjahtarë që kanë nxjerrë fitime të paligjshme nga shfrytëzimi i saj. Aq sa tani nuk merret më vesh se kush eshtë shitësi i radhës. Por këtij kalvari tashmë i ka ardhur fundi.

Naftëtarët protestojnë më kot. ARMO ka nisur të ekzekutohet dhe ekzekutori i saj është kompania Shijaku, që po e çmonton rafinerinë për skrap. Një operacion që po zhvillohet nën hundën e qeverisë dhe që ngre pikëpyetje shumë të mëdha ligjore. Zyrtarisht qeveria shqiptare është ende aksionere me 15 për qind tek ARMO dhe nuk mund të bëjë sikur nuk sheh.  

Përtej kësaj, ligjërisht ARMO është e klasifikuar si sektor strategjik. Legjislacioni në fuqi nuk e lejon falimentimin e ndërmarrjeve strategjike ndaj shitja e rafinerisë për skrap është një operacion i paligjshëm, pavarësisht se kjo paligjshmëri ka nisur vite më parë. Atëherë kur ARMO u shit fshehurazi në ankand dhe u lejua të ndryshojë pronësinë duke nisur një zinxhir monstruoz grabitjeje.  

Sipas vlerësimeve më konservatore, shfrytëzimi i ARMO-s që pas privatizimit të saj në vitin 2009 mendohet të ketë krijuar rreth 1 miliardë euro humbje për buxhetin dhe qytetarët shqiptarë në formën e taksave të papaguara dhe rrjetit të borxheve të krijuar në ekonomi. Kjo e bën këtë padiskutim krimin më të madh financiar në Shqipëri, i cili nëse hetohet mund të çojë pas hekurave të gjithë elitën politike dhe atë ekonomike të vendit. Dhe mekanizmi kryesor që ka mundësuar këtë vjedhje dhe fshehjen e përgjegjësive ligjore ishte ai i ndërrimit të shpeshtë të pronësisë dhe transferimit në disa duar.

Tashmë ARMO ka mbërritur në fund të jetës së saj. Një fund i palavdishëm, i cili të paktën në aspektin ekonomik duket lajm i mirë. Por në të njëjtën kohë, çmontimi i rafinerisë dhe shitja e saj për skrap përbën dhe aktin e fundit të vjedhjes më të madhe të shqiptarëve. Atë të shkatërrimit të provave dhe fshehjes së gjurmëve. Kjo është dhe arsyeja se pse po bëhet fshehtaz.