Për ndërtimin e pompave të derivateve ka kushte të veçanta të ndërtimit. Aspekti i sigurisë është një ndër kryesorët, kur bëhet fjalë për vendin ku ato ndërtohen, për shkak të shkallës së rrezikshmërisë dhe me qëllim të sigurisë së komunitetit. Pompat e derivateve preferohet të jenë larg qendrave të qyteteve dhe zonave të banuara, për të eliminuar çfarëdo rreziku prej ndonjë incidenti të mundshëm.
Megjithatë këto aspekte të sigurisë për stafin e vetë dhe për pacientët potencialë që do të shtrihen aty, duket që s’i ka marrë fare parasysh spitali privat “Medical Park Kosova”.
Ky spital ka nisur aktivitetin e tij ngjitur me një pompë të karburanteve që funksionon tash e sa kohë në Magjistralen Prishtinë-Ferizaj, konkretisht në kilometrin e katërt të kësaj rrugë, në Çagllavicë.
Nuk dihet nëse të njëjtit janë pajisur me leje për punë në atë vend dhe nëse po, mbi çfarë baze institucionet përkatëse kanë lëshuar leje pune në një lokacion të tillë sensitiv.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në Komunën e Prishtinës për të marrë një përgjigje të tyre lidhur me këtë çështje.
Spitali Medical Park Kosova megjithatë në faqen zyrtare në facebook është kujdesur që të fshijë pompën e derivateve duke u kujdesur që në vend të saj të duke sa më shumë gjelbërim dhe qielli i kaltër, por në realitet pamja aty është më e shëmtuar. Në një shtet normal është e vështirë të bashkëekzistojnë dy godina të tilla me leje të autoriteteve.
Kur jemi tek incidentet që shkaktohen nga pompat e karburantëve, hiç më larg se sot, në kryeqytetin e Italisë, janë lënduar plotë 27 persona nga shpërthimi i një pike të karburantit që ishte i vendosur në verilindje të Romës.
Për shpërthimin e madh dhe për lëndimin e 27 personave kanë reaguar kryeministrja Georgia Meloni dhe Papa Leo.
Prokurorët e Romës kanë nisur një hetim për shkakun e shpërthimit, i cili mund të lidhet me një rrjedhje të mëparshme gazi gjatë fazës së shkarkimit të gazit të lëngshëm të naftës në stacion.
Sipas raportimeve Qendra sportive pranë pikës së karburantit u evakuua me shpejtësi nga policia pas shpërthimit të parë, ku disa fëmijë u sollën të sigurt. Policia tha se kontrolloi zonën përreth për persona të plagosur ose të bllokuar në ndërtesat aty pranë.